Kreu i partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur mbrëmjen e sotme pas zgjedhjeve të djeshme në Himarë, duke i cilësuar ato si në farsë zgjedhore.
Berisha deklaroi para mbështetësve të tij se Himara duhet të jetë thirrja për çdo qytetar shqiptar se sipas tij , “me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë zgjedhje të lira”.
Ndër të tjera ai akuzoi kryeministrin se ai u mohoi të drejtat kushtetuese të 6135 qytetarëve.
“Nuk është meritë të deklarosh se ai shtoi në lista mbi 350-400 qytetarë që nuk kanë votuar kurrë në Himarë”, tha Berisha.
Më tej, kreu i PD, u shpreh se sot thirrja e çdo shqiptari është për opozitën shqiptare të bashkohet në kryengritje të fuqishme paqësore për realizimin e qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira, fitores së opozitës.
Pjesë nga fjala e Berishës
Të dashur qëndrestare dhe qëndrestarë, misionare dhe misionarë të kauzës tonë të drejtë, kauzës të çdo shqiptari, të shpresës, të besimit, të lirive dhe interesit kombëtar të kombit shqiptar.
Një përshëndetje të përzemërt të gjithëve ju qëndrestareve dhe qëndrestarëve të pamposhtur, që bëni gjithçka me fjalën tuaj, protestën tuaj të ndizni mendjet dhe zemrat e shqiptarëve.
Miqtë e mi, mbrëmë vonë u mbyll farsa e shëmtuar zgjedhore në Himarë, në të cilën Edi Rama shpalosi të gjithë mekanizmat e ekzekutimit të votës pa votuar, pa rënë në kuti. Duke falënderuar të gjithë ata votues, qytetarë që votuan për opozitën, unë i deklaroj sot popullit opozitar se Himara duhet të jetë prova jonë e fundit.
Himara duhet të jetë thirrja për çdo qytetar shqiptar se me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë zgjedhje të lira. Të dashur miq, nuk është sot as një meritë të deklarosh këtë gjë.
Nuk është meritë të deklarosh se Edi Rama vodhi mandatin. Nuk është meritë të deklarosh se ai mohoi të drejtat kushtetuese të 6135 qytetarëve.
Nuk është meritë të deklarosh se ai shtoi në lista mbi 350-400 qytetarë që nuk kanë votuar kurrë në Himarë. Nuk është meritë të deklarosh se ai përdori të gjithë shtetin kriminal elektoral për të grabitur mandatin e Himarës.
Jo miq. Sot thirrja e çdo shqiptari është për opozitën shqiptare të bashkohet në kryengritje të fuqishme paqësore për realizimin e qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira, fitores së opozitës.
Të dashur miq, në çdo zgjedhje, në qoftë se ne nuk bashkohemi. Në qoftë se ne nuk bëjmë atë që bëjnë kombet kur u merret vota e lirë, ne pothuajse nuk e meritojmë atë. Çdo e drejtë e marrë kërkon sakrifica për t’u rifituar.
Në një hark kohor të shkurtër, brenda dy muajve, dy shembuj të fuqishëm frymëzues mijëra e mijëra kilometra nga Tirana. Në Nairobi, të rinjtë dhe studentët gjunjëzuan diktatorin e tyre të zgjedhur me votë njëlloj si Maduroja e Tiranës.
Kurse sot, studentët e Bangladeshit në demonstratat më të fuqishme që mund të bëhen në një vend, detyruan kryeministren autokrate të korruptuar t’ia mbathë me avion nga Daka pas mbi një muaj protesta. Pas sakrificash sublime të dhjetëra e dhjetëra të rinjve. Nderim përjetë kujtimit të tyre.
Miq, të drejtat, liria nën pushtim nuk fitohen kurrë me fjalë.
Nuk fitohen kurrë me fjalime. Nuk fitohen kurrë në studio televizive. Nuk fitohen kurrë përveçse me zemërim, me revolta të pandalshme, me sakrifica gjer në fitore.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co