Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ-së, e konsideron si procesin më absurd të mundshëm, mbajtjen e zgjedhjeve për kryebashkiak të HImarës. Dule tha se nesër Himara do të gdhihet me dy kryebashkiakë, njëri Fredi Beleri, të cilit nuk iu ndërpre mandati ligjërisht dhe sipas procedurave, ndërkohë që kemi edhe fituesin e procesit të sotëm.
Dule solli në vëmendje se ende nuk kemi një vendim të formës së prerë lidhur me mandatin e Fredi Belerit, pasi në KAS ende nuk është shqyrtuar ankimimi i PBDNJ-së, ndërsa në Gjykatën Administrative është depozituar ankimimi lidhur me dekretin e Presidentit, që caktoi 4 gushtin si ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.
Kreu i PBDNJ tha se janë 93 zgjedhës që kanë transferuar gjendjen civile përtej afateve ligjore. “Janë shkelje fragrante, që janë kallëzuar në SPAK edhe nga kandidati Petro Gjikuria. Kandidati i PS-së ka pohuar me zë dhe figurë se ka shpërndarë mbi 1200 tituj pronësie, ndërkohë që në sirtarë e Kadastrës janë edhe mbi 600 të tjerë. Çfarë mund të presë më drejtësia për të vepruar”, tha Dule.
[embedded content]
Në vijim ai tha se mbi 6 mijë zgjedhësve i mohohet e drejta e votës sepse kanë dokumente identifikimi të skaduara. “Në bazë të të dhënave që ne kemi, janë rreth 600 zgjedhës që janë paraqitur në qendrat e votimit dhe për shkak të dokumenteve të skaduara, nuk janë lejuar të votojnë”, tha Dule.
Duke iu referuar parregullsive, Dule tha se në këtë proces kandidati socialist ka hyrë me mbi 1 mijë zgjedhës në favor, duke krijuar kështu një garë aspak të drejtë, transparente dhe të ndershme. “Nëse i referohemi numrit të personave të transferuar në Bashkinë e Himarës dhe atyre që po i mohohet e drejta e votës, kandidati socialist Vangjel Tavo, ka hyrë në këtë proces me plus 1 mijë vota”, tha Dule. Sipas tij, në Himarë janë gjysma e qeverisë dhe e administratës civile, që po ushtrojnë presion ndaj votuesve.
“Është vënë re prania intensive e qytetarëve me precedentë penale, të shoqëruar nga Kryetarët e Bashkive të Konispolit dhe Vlorës”, tha Dule.
Ai tha se në Himarë do t’i bëhet autopsia e asaj që e quajti kufomën e procesit të lirë zgjedhor. “Po i bëjmë një shërbim demokracie dhe ndershmërie jo vetëm komunitetit të Himarës, por të gjithë shoqërisë”, tha Dule. Ai tha se fryma që konstaton në Himarë është se Petro Gjikuria do të fitojë, por shtoi se nuk është profet që të parashikojë rezultatin e votave në kuti.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co