NIKOLETA KOVAÇI/ Një material prej 13 faqesh, paraqitur ditën e djeshme në sallën e gjyqit nga prokuroria, ka hedhur dritë mbi fakte tronditëse që lidhen me ngjarjen e rëndë të rrëmbimit, vrasjes dhe zhdukjes së Jan Prengës.
Në seancën gjyqësore pritej të ishte i pranishëm edhe Dritan Rexhepi, i ekstraduari nga Turqia, i cili konsiderohet dhe akuzohet nga SPAK si organizator i ngjarjes së rëndë të 17 majit të vitit 2020.
Kështu Dritan Rexhepi, bosi i trafikut të drogës kërkon të përfaqësohet nga avokatja e tij në seancën në Gjykatën e Posaçme, ku u zhvillua gjyqi për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës. Ndërkohë që në Gjykatë është paraqitur një kërkesë e Dritan Rexhepit, SPAK ka sjellë në sallën e gjyqit një material shkresor me një mori faktesh dhe provash të reja që lidhet me rrëmbimin e Jan Prengës.
Bëhet fjalë për hapje kamerash dhe një provë shkencore që lidhet me gjurmët e gjakut që janë gjendur në resortin luksoz të Altin Hajrit.
SEANCA
Në seancën e djeshme avokatja e Dritan Rexhepit është shprehur se ai nuk është paraqitur pasi duhet të shoqërohej ditën e premte nga paraburgimi i Fierit në drejtim të paraburgimit 313. Rexhepi kërkon nga gjykata nëse ka mundësi që të caktohen seancat ditë tjetër me përjashtim të ditës së hënë dhe të premte. SPAK paraqet provat shkresore gjithsej 13 faqe. Këqyrja e vendit të ngjarjes, që vërtetojnë se viktimë është shtetasi Jan Prenga.
Njollat e gjakut të gjetura në vendin e ngjarjes janë krahasuar me ADN e nënës së tij ku rezultojnë të përputhshme. Gjatë hetimeve kemi paraqitur prova të pamjeve filmike, të cilat janë marrë nga disa biznese. Nëpërmjet këtyre pamjeve është bërë e bërë e mundur ndjeka e itinerarit. Nëpërmjet këtyre pamjeve provohet se viktima është mbajtur nën vëzhgim disa ditë përpara ngjarjes në mënyrë që të bëhej rrëmbimi. Automjeti Land Rover i autorëve të dyshuarve, kanë ndjekur automjetin e viktimës. Konkretisht në datën 15,16 dhe 17 janar.
HETIMET
Sipas dosjes së SPAK-ut, rrëmbimi i Jan Prengës është urdhëruar nga Ekuadori, nga shtetasi Dritan Rexhepi dhe shtetasi Gentjan Funiqi, kjo për arsye se vëllai i viktimës u kishte vjedhur një sasi kokaine në Angli. Në dosjen e Prokurorisë thuhej se, ka dyshime të arsyeshme se shtetasi Jan Prenga, pasi është rrëmbyer në Kamzë, direkt pas ngjarjes është dërguar në kompleksin ‘Golden’ dhe aty është mbajtur peng, si dhe personat që posedojnë e administrojnë këtë kompleks janë të përfshirë në rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shtetasit Jan Prenga.
Gjithashtu, nga shpjegimet e vëllait të shtetasin Tan Prenga, Anton Prenga, rezulton se ai ka dijeni për motivin e rrëmbimit dh mbajtjes peng të Jan Prengës, që është vjedhja e një sasie prej 260 kg lëndë narkotike, kokainë, në Angli, nga vëllai tjetër, Astrit Prenga dhe shoku i tij, Gëzim Dollani.
Ai, gjithashtu, ka dijeni kush janë organizatorët dhe rrëmbyesit e Jan Prengës, shtetasit Gentjan Doçaj, Korado Gështenja, Korado Bleta dhe Gramos (Dritan) Rexhepi, pasi këta të fundit e kanë kontaktuar vëllain e tyre Astrit Prenga në Angli për kthimin e lëndës narkotike dhe më pas do të lironin Janin.
/Gazeta Panorama