Bota

Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 12 vatra ende aktive në të gjithë vendin! Qytetarët të sinjalizojnë në kohë

zjarret ne vend ministria e mbrojtjes 12 vatra ende aktive ne te gjithe vendin qytetaret te sinjalizojne ne kohe





































Ministria e Mbrojtjes ka bërë një bilanc të zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku raportohet se në të gjithë vendin janë shuar 14 vatra, ndërsa 12 të tjera mbeten ende aktive.

WhatsApp-Image-2024-08-03-at-18.50.31-600x450

Raportohet se forcat zjarrfikëse po vijojnë punën për shuarjen e zjarrit të rënë në Malin e Kakarriqit, bashkia Lezhë, e cila është vënë nën kontroll, por hera herës shpërthen për shkak të erës.

Gjithashtu puna po vijon në një tjetër vatër, atë në zonën pyjore Bode, mbi fshatin Lozhan, bashkia Maliq.

Në zonë po operojnë 26 efektivë nga FA dhe 50 forca nga strukturat vendore të bashkisë Maliq, të cilat e kanë vënë nën kontroll situatën dhe zjarri nuk paraqet rrezik për përhapje.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes beteja me zjarret vijon edhe në Prrenjas, Mallakastër, Selenicë, Himarë, etj.

Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje qytetarëve të sinjalizojnë në kohë vatrat e zjarrit, për të ndihmuar edhe autoritetet të operojnë në kohë për shuarjen e tyre!

Njoftimi i plotë:

Forcat Operacionale, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile po punojnë për shuarjen e zjarreve në 12 vatra, të cilat vijojnë të jenë aktive, ndërsa 14 të tjera të raportuara gjatë ditës së sotme janë shuar.

Po monitorohet nga strukturat e bashkisë Kurbin, vatra e zjarrit në fshatin Skuraj, ku pati riaktivizim, por aktualisht intensiteti është i dobët dhe nuk paraqet asnjë rrezik për zonat e banuara.

Vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në Malin e Kakarriqit, bashkia Lezhë. Vatra e zjarrit është vënë nën kontroll, por hera herës shpërthen për shkak të erës. Për shuarjen e plotë të saj janë të angazhuara 90 forca operacionale nga FA dhe strukturat vendore.

Është vënë nën kontroll dhe po punohet për izolimin e plotë të vatrës në Malin e Lopçit, Shkodër.

Puna po vijon në një tjetër vatër, atë në zonën pyjore Bode, mbi fshatin Lozhan, bashkia Maliq. Në zonë po operojnë 26 efektivë nga FA dhe 50 forca nga strukturat vendore të bashkisë Maliq, të cilat e kanë vënë nën kontroll situatën dhe zjarri nuk paraqet rrezik për përhapje.

Nën kontroll është vënë edhe zjarri në fshatin Qarrishtë, bashkia Librazhd, në një sipërfaqe pyjore në zonën e Parkut Kombëtar Shebenik.

Puna vijon dhe nuk paraqet rrezik për përhapje edhe zjarri në vendin e quajtur “Mali i Qukësit”, bashkia Prrenjas.

Forcat janë angazhuar dhe kanë nën kontroll situatën në vatrën e zjarrit në Malin Lugë, fshati Kus, Bashkia Tiranë.

Forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve të bashkisë Mallakastër, ku zjarri vazhdon me intensitet të ulët. Po punohet me 1 mjet zjarrfikës, 4 mjete të rënda tip Skrep dhe 2 mjete transporti vetëshkarkuese të tonazhit të rëndë. Vazhdon puna për kapsulimin e mbetjeve.

Në fshatin Mazhar, njësia administrative Sevaster, bashkia Selenicë është aktivizuar një vatër zjarri në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të dendur në një terren të thepisur. Vatra e zjarrit nuk rrezikon të përhapet, pasi pritet nga një përrua.

Në fshatin Bolenë, njësia administrative Horë-Vranisht, bashkia Himarë është aktivizuar një vatër zjarri në sipërfaqe me barishte dhe kullotë në një lartësi të madhe. Për shkak të terrenit, operimi është i vështirë, por vatra nuk paraqet rrezik.

Me vëmendje po shihet situata e krijuar nga zjarri në fshatin Ninat, bashkia Konispol, në sipërfaqe me kullotë. Era e fortë po favorizon flakët, por janë larg zonës së banuar.

Një tjetër vatër në vendin e quajtur “Ura e Zharrës”, fshati Turan, bashkia Tepelenë është vënë në kontroll.

Gjatë ditës së sotme është evidentuar një vatër zjarri në fshatin Karoq, njësia administrative Livadhja, bashkia Finiq, në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët. Në vendngjarje po punon një grup shërbimi nga MZSH Finiq. Momentalisht nuk paraqet rrezik.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë aktivizuar 450 forca dhe 33 mjete. Në mbështetje të këtyre forcave janë të angazhuar 130 trupa nga Forcat e Armatosura.

Ju lutemi qytetarëve të sinjalizojnë në kohë vatrat e zjarrit, për të ndihmuar edhe autoritetet të operojnë në kohë për shuarjen e tyre!

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts