Të paktën tre persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën kur një skele u shemb në një ndërtesë 19-katëshe në ndërtim në Prigis, në periferi të Lozanës, tha policia zvicerane.
Skela, e cila arrinte një lartësi prej 60 metrash, u shemb në njërën nga fasadat e ndërtesës pak pas orës 9:30 (koha lokale) “si një kullë letre”, siç tha një dëshmitar okular. Si pasojë, ndërtuesit që ishin ngjitur në të ranë nga një lartësi e madhe.
Policia tha se tre punëtorë u vranë. Nga të plagosurit, katër janë në gjendje të rëndë dhe njëri është dashur të transportohet me helikopter në një spital aty pranë. Pjesa tjetër kanë lëndime të lehta.
“Një ose dy persona janë ende të zhdukur”, tha zëdhënësi i policisë Jean-Christophe Soterel për AFP.
Zjarrfikësit kanë kërkuar për të zhdukurit në rrënojat e skelës, ndërsa të tjerë kanë tentuar të stabilizojnë pjesën e mbetur të saj, e cila nuk ka rënë. Sotterel tha se shkaku i aksidentit ende nuk është përcaktuar dhe se prokuroria po kryen një hetim paraprak.
Sipas informacioneve të televizionit publik RTS, shembja është shkaktuar nga rënia e ashensorit të përdorur nga ndërtuesit për t’u ngjitur vetë, por edhe për të ngritur materiale të ndryshme, deri në katin e fundit të pallatit. Duke rënë, ai mori me vete skelat.
“Pashë ashensorin që po ngjitej dhe më pas, papritmas, dëgjova një zhurmë të madhe. Gjithçka u shemb”, tha pensionisti Fernand Mono, një dëshmitar okular i tragjedisë.
Punëtorët i thanë AFP se deri atëherë nuk kishte pasur probleme sigurie. Disa, të cilët kërkuan të mbeten anonim, sugjeruan se ashensori u shemb sepse ishte i mbingarkuar. “Ajo zgjati të paktën shtatë sekonda. Mendova se ishte një bombë”, tha një kalimtar për RTS.
(BalkanWeb)
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co