Zyra e Borrelit publikon agjendën: Fillimisht takime të ndara me negociatorët, pastaj takimi mes Kurtit dhe Vuçiç

zyra e borrelit publikon agjenden fillimisht takime te ndara me negociatoret pastaj takimi mes kurtit dhe vucic
zyra e borrelit publikon agjenden fillimisht takime te ndara me negociatoret pastaj takimi mes kurtit dhe vucic

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell do të presë të mërkurën një takim të nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel. BE ka bërë të ditur se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

“Përfaqësuesi i Lartë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak do të zhvillojnë takime të ndara me liderët nga ora 15:00, pasuar më pas nga një takim i përbashkët trepalësh. Takimet do të analizojnë atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara”, thuhet në njoftimin e zyrës së Borrellit.

Po ashtu është bërë e ditur se para dhe pas takimit do të ketë deklaratë nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell. Borrell pritet që të deklarohet për media pas takimit të së mërkurës. Për mbajtjen e rundit të ri të dialogut është rënë dakord gjatë vizitave që Lajçak zhvilloi në Kosovë dhe Serbi javën e kaluar.

Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.

Disa ditë më vonë, më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit – në veri të Kosovës – duke vrarë një polic. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e akuzon Serbinë se qëndron prapa sulmit, por Beogradi mohon se ka gisht në të. Që atëherë, pavarësisht përpjekjeve të Perëndimit, Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes.

Kjo marrëveshje – e cila u arrit vitin e kaluar – nuk është nënshkruar nga palët, por BE-ja thotë se ligjërisht e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë. Kosova kërkon që të nënshkruhet marrëveshja, por Serbia refuzon një gjë të tillë.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

BE-ja – e cila që nga viti 2011 ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë – ka kritikuar palët për moszbatimin e marrëveshjes.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →