Zyrtarë amerikanë pritet të shkojnë në Kinë për takime mbi ekonominë

zyrtare amerikane pritet te shkojne ne kine per takime mbi ekonomine





































Zyrtarë të lartë amerikanë do të vizitojnë Kinën këtë javë, tha qeveria amerikane të hënën, në kuadër të përpjekjeve për të ruajtur lidhjet mes dy ekonomive më të mëdha në botë, pavarësisht tensioneve mbi çështjet tregtare.

shba

Udhëtimi në Shangai do të jetë pjesë e bisedimeve të një grupi pune për çështjet financiare, “FWG”, i formuar vitin e kaluar, nga të dyja palët për diskutimin e qëndrueshmërisë financiare, çështjet që lidhen me të dhënat ndërkufitare, si dhe luftën kundër fentanilit.

Takimet e grupit të punës do të zhvillohen të enjten dhe të premten. Delegacioni amerikan do të kryesohet nga Brent Neiman, zëvendës sekretari i Thesarit për financat ndërkombëtare.

Zyrtarëve të Thesarit do t’u bashkohen përfaqësues nga Rezerva Federale dhe Komisioni i Këmbimit të Letrave me Vlerë.

Delegacioni kinez do të udhëhiqet nga zëvendësguvernatori i Bankës Popullore të Kinës, Xuan Changneng.

“Ne synojmë që ky takim të përfshijë bisedime mbi stabilitetin financiar, çështjet që lidhen me të dhënat ndërkufitare, huadhënien dhe pagesat, sektorin privat të financave dhe hapat konkretë që mund të ndërmarrim për të përmirësuar komunikimin në rast të një krize financiare”, tha zoti Neiman.

Ai shtoi se mbledhja e zyrtarëve ekonomikë të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës bazohet në “udhëzimet e Presidentit Joe Biden dhe Sekretares së Thesarit Janet Yellen për të vendosur linja të qëndrueshme komunikimi ndërsa ne menaxhojmë me përgjegjësi marrëdhëniet tona” me Pekinin.

Zyrtarët pritet gjithashtu të diskutojnë ndryshimet e mundshme të ligjit të Kinës kundër pastrimit të parave, sipas Departamentit amerikan të Thesarit.

Bisedimet do të shënojnë takimin e pestë të grupit të punës për çështjet financiare dhe raundin e dytë të tij në Kinë.

Grupi u krijuar në vitin 2023 së bashku me një grup tjetër pune për çështjet ekonomike, do raporton drejtpërdrejt tek Sekretarja Yellen dhe zëvendëskryeministrin kinez He Lifeng.

Udhëtimi në Shangai këtë javë pason bisedimet e nivelit të lartë të zonjës Yellen në Pekin dhe Guangzhou në prill, ku ajo paralajmëroi me forcë për rreziqet e mbiprodhimit industrial kinez, një çështje për cilën zyrtarët kinezë kanë shprehur kundërshtime.

Administrata e Presidentit Biden ka bërë përpjekje edhe për ndërprerjen e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të kimikateve, që përdoren për prodhimin e fentanilit.

Ajo ka theksuar më parë fitoret nga diplomacia e saj me Kinën, duke përfshirë atë që zyrtarët thanë se ishte goditja e parë në vite nga Pekini ndaj prodhuesve të këtyre kimikateve përbërëse të drogës pas thellimit të krizës së varësisë nga droga në Shtetet e Bashkuara./voa

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →