Zyrtarët palestinezë njoftuan se si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në të gjithë Rripin e Gazës janë vrarë të paktën 18 persona, mes tyre 8 fëmijë.
Në pjesën jugore të Gazës, një sulm ndaj një shtëpie të martën herët në mëngjes kishte shkaktuar vdekjen e pesë personave, sipas informacioneve të ofruara nga Spitali Nasser në Khan Younis.
Një tjetër sulm ajror po të martën kishte rrafshuar një shtëpi në perëndim të Khan Younisit, duke vrarë të paktën katër persona.
Po kështu Mbrojtja Civile që kontrollohet nga Hamasi, tha se tre fëmijë dhe nëna e tyre ishin vrarë si pasojë e një sulmi ajror të hënën në mbrëmje në qytetin e Gazës. Zyrtarët palestinezë thanë se tre persona ishin zhdukur pas sulmit.
Një tjetër sulm të hënën në mbrëmje kishte goditur një ndërtesë në qendër të qytetit të Gazës, duke vrarë një fëmijë, tre gra dhe një burrë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë nuk bënë të ditur nëse të vrarët në sulmet izraelite ishin civilë apo militantë.
Izraeli thotë se po përpiqet të shmangë viktimat në mesin e popullatës civile dhe akuzon Hamasin se i vë ata në rrezik duke luftuar në zonat e banuara. Por ushtria rrallë komenton sulmet individuale, të cilat shpesh shkaktojnë vrasjen e grave dhe fëmijëve.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi gjatë ofensivës së Izraelit në rajon janë vrarë mbi 40 mijë persona. Lufta nisi pas sulmit terrorist të 7 tetorit të ndërmarë nga grupi militant në pjesën jugore të Izraelit, duke vrarë rreth 1200 persona, kryesisht civilë dhe duke rrëmbyer rreth 250 të tjerë./VOA
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co