Negociatat indirekte që synojnë përfundimin e një marrëveshjeje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit në kontekstin e së cilës pengjet izraelitë do të lirohen në këmbim të të burgosurve palestinezë “janë në rrugën e përfundimit”, siguroi të mërkurën një zyrtar i lartë amerikan.
Deklarata vjen në prag të takimit të planifikuar të presidentit amerikan Joe Biden me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Biden do të përpiqet të kapërcejë disa “boshllëqe përfundimtare” kur të mirëpresë Netanyahun sot në Shtëpinë e Bardhë, megjithatë elementët kyç të marrëveshjes, veçanërisht fati i pengjeve, mbeten për t’u pranuar nga Hamasi, sipas zyrtarit, i cili foli me gazetarët në kushte anonimiteti.
“Ne mendojmë se jemi në fazat përfundimtare dhe se një marrëveshje mund të arrihet,” insistoi ai përpara se të vazhdonte të thoshte se do të duhej “shumë aktivitet në javën e ardhshme” për të finalizuar marrëveshjen. Madje ai ka gjykuar se kjo marrëveshje është “jo vetëm e mundshme, por e nevojshme”.
Zyrtari u përpoq të minimizonte fjalimin e Netanyahut në Kongresin e SHBA të mërkurën, duke premtuar “fitore totale” ndaj Hamasit. Ai madje këmbënguli se fokusi i takimit Biden-Netanyahu do të jetë mbyllja e një marrëveshjeje. Armëpushimi eventual tani varet nga disa çështje si për shembull mënyra se si do të zbatohet, pasi Hamasi nuk kërkon më apriori një armëpushim përfundimtar dhe tërheqjen e trupave izraelite nga Rripi i Gazës, gjithmonë sipas zyrtarit amerikan.
“Nuk e pres që në takim pyetja do të jetë; ‘po ose jo’, do të jetë më shumë rreth ‘si t’i kapërcejmë këto boshllëqe të fundit?’ Ka disa gjëra që na duhen nga pala izraelite, pa dyshim. Por ka edhe elementë kyç që janë ekskluzivisht në duart e Hamasit, sepse pengjet janë në duart e këtij të fundit”, shtoi ai.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co