Rripi i Gazës mbetet hermetikisht i mbyllur. Nga ky burg me pamje nga deti arrijnë në botën e jashtme pak raporte të besueshme. Izraeli nuk lejon gazetarë të pavarur të hyjnë në Gazë. Që kur Hamasi vrau 1200 civilë izraelitë një vit më parë, duke shkaktuar kështu luftën, ushtria izraelite po përpiqet të shkatërrojë me ashpërsi organizatën terroriste palestineze dhe të lirojë pengjet. Shumica e informacioneve vijnë nga vetë palët e konfliktit dhe është e vështirë të verifikohen. Sipas organizatës Reporterët pa Kufij, deri tani kanë humbur jetën 140 gazetarë si rezultat i ofensivës ushtarake izraelite në Gazë.
Ndër të paktët dëshmitarë të ngjarjeve në terren janë mjekët e huaj që trajtojnë vullnetarisht viktimat e luftës në spitalet e Gazës. Javën e kaluar, 99 mjekë amerikanë, të cilët së bashku kanë kaluar 254 javë në zonën e luftës, i drejtuan një apel dramatik presidentit amerikan Joe Biden dhe zëvendëspresidentes Kamala Harris. Ata akuzojnë Izraelin për shkatërrimin e sistemit shëndetësor të Gazës dhe pengimin e personelit mjekësor në kryerjen e detyrës së tyre.
Mjekët, infermierët dhe mamitë kërkojnë në letrën e tyre të gjatë që Qeveria amerikane të vendosë një embargo ndërkombëtare të armëve kundër Izraelit dhe Hamasit. Për më tepër, sipas tyre, komuniteti ndërkombëtar duhet t’i detyrojë palët në luftë të arrijnë një armëpushim. Mjekët distancohen nga Hamasi dhe theksojnë: “Askush prej nesh nuk mbështet mizoritë e kryera më 7 tetor nga grupet dhe individët palestinezë të armatosur në Izrael.”
Letra dokumenton shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe kërkon hapjen e kalimit kufitar Rafah për të mundësuar furnizimet me ndihma humanitare. Mjekët tregojnë përvojat e tyre personale si ndihmës në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke përmendur “krime të pabesueshme” të Izraelit dhe duke dënuar kushtet humanitare katastrofike.
Është absolutisht tronditëse që Izraeli e zhvendos popullsinë e kequshqyer dhe të sëmurë të Rripit të Gazës në zona pa ujë të rrjedhshëm apo tualete, thuhet në letrën e publikuar në faqen e internetit “Gaza Healthcare Letters”. Aty theksohet veçanërisht gjendja e rëndë e fëmijëve. Plagët e tyre tronditin edhe mjekët më me përvojë. Ortopedi Mark Perlmutter shkruan: “Gaza ishte hera e parë që mbajta në dorë trurin e një fëmije të vogël. I pari nga shumë të tjerë.”
Organizata ndërkombëtare e ndihmave Oxfam, me seli në Angli, në një analizë arrin në përfundimin se në Gazë janë vrarë më shumë gra dhe fëmijë nga ushtria izraelite, sesa në çdo konflikt tjetër të dy dekadave të fundit. Deri tani, sipas analizës, kanë humbur jetën 11,000 fëmijë dhe 6,000 gra.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co