Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka riafirmuar qëllimin e tij për të eliminuar Hamasin, duke këmbëngulur se asnjë presion dhe kritikë ndërkombëtare mbi viktimat civile nuk do ta ndalojë Izraelin. “Vetë mbijetesa e vendit është në rrezik” dhe një “fitore totale” është e arritshme, theksoi ai.
Netanyahu u zotua të drejtojë ofensivën në Rafah, një qytet i madh pranë kufirit të Gazës me Egjiptin dhe që shërben si streha e fundit e rreth 1.5 milion njerëzve.
Qyteti dhe rrethinat e tij u mbushën me refugjatë pasi Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) udhëzuan palestinezët të largoheshin nga pjesa veriore e enklavës.
Kryeministri izraelit refuzoi vazhdimisht thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim, duke argumentuar se IDF duhet të spastrojë bastionet e mbetura të Hamasit.
“Për të fituar këtë luftë, ne duhet të shkatërrojmë batalionet e mbetura të Hamasit në Rafah”, këmbënguli Netanyahu. “Nëse jo, Hamasi do të rigrupohet, do të riarmatoset dhe do të ripushtojë Gazën dhe pastaj do të kthehemi në fillim. Ky është një kërcënim i patolerueshëm që ne nuk mund ta pranojmë” u shpreh ai.
“Ne do ta përfundojmë këtë punë në Rafah duke i mundësuar popullatës civile të dalë nga rreziku”, shtoi Netanyahu.
Luftëtarët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë më shumë se 200 pengje në Gaza. Netanyahu u përgjigj duke i shpallur luftë grupit militant palestinez dhe duke vendosur një rrethim pothuajse total në enklavë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co