Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka ndërtuar bazën për ardhjen në pushtet me kauza të gënjeshtërta.
Një deklaratë e tillë vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i dhënë 24 hektarë Manastirit të Deçanit.
“Tani vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të pakontestuara dhe kur them të pakontestuara nënkupton që edhe janë të zbatueshme. Është shenjë e pjekurisë demokratike fillimisht për një shtet dhe shoqëri dhe ky ka qenë qëndrimi ynë i gjithhershëm si LDK. Fatkeqësisht, Kurti ka zgjedhur me vetëdije të plotë që në kauza të tilla të rrejshme të ndërtojë bazën për ardhjen në pushtet dhe tani në pushtet ka kuptuar se kauzat e rrejshme nuk qëndrojnë, por gjithsesi ato janë të dëmshme. Pra ka ardhur në pushtet me kauza të rrejshme. Është pasojë e madhe për vendin, për stabilitetin politik e demokratik”, ka thënë ai.
Për takimin me emisarin e SHBA-së, Gabriel Escobar, Abdixhiku ka thënë se aty u bë e qartë se marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kosovës s’kanë qenë asnjëherë në nivel më të ulët se sot.
“Sa i përket takimit të mbrëmshëm, ishte një takim informues mbi relacionet bilaterale mesë Kosovës dhe SHBA, për ta thënë më thjeshtë në atë që na u tha qartë dhe zëshme nuk kanë qenë as një herë në nivel më të ulët se sa që janë sot. Mungesa e bashkëpunimit të ngushte me aleatët tanë kryesor, me SHBA sjell pasoja për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe kjo gjendje është shqetësuese për ne. Tani Kurti përfaqëson Qeverinë e Kosovës dhe këto pasoja patjetër se barten edhe në fatin e Kosovës. Por është obligim i gjithë nesh që të ruajmë dhe kultivojmë këto relacione se janë të domosdoshme janë të pa zëvendësueshme”, ka deklaruar kryetari i LDK-së.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co