Italia, rivali i Shqipërisë në “Euro2024”, nuk po gjen qetësi. “Azzurrët” jo vetëm nuk janë në kushte perfekte, por së fundmi trajneri Spalletti duhet të kujdeset edhe për një çështje që po bën jo pak zhurmë, përjashtimi i Francesco Acerbi-t, me lojtarin e Inter që u largua pas akuzave për racizëm ndaj Juan Jesus, në sfidën kundër Napolit. Ky është shqetësimi i fundit për Spalletti-n pasi trajneri është në garë me kohën për të gjetur një zgjidhje në fazën ofensive. Në vigjilje të dy testeve miqësore kundër Venezuelës dhe Ekuadorit, Spalletti befasoi jo pak duke lënë jashtë dy sulmues, Immobile dhe Scamacca:
“Nuk dua të tallem me askënd. Ciro e di që është një lojtar i rëndësishëm për Lazio-n dhe Italinë, por po kalon një moment ku e ka të vështirë të shprehet. Scamacca nuk ka luajtur për një periudhë, kur e kam thirrur nuk ka shprehur më të mirën e tij. Në përfaqësuese duhet të shprehesh në maksimumin në kohën e duhur. Retegui është në kushte të mira, Raspadori mund të luajë dy role, ndërsa vendosën të marrim edhe Lucca, për të kuptuar se çfarë brumi ka.
Rikthimi i Pellegrini-t? Po e prisnim prej kohësh, nuk e kam pasur kurrë në dispozicion. Ai është një lojtar i një tjetër niveli. Kam shumë besim tek ai”, u shpreh Spalletti.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co