Një burrë nga Georgia, që ishte shpallur fajtor për vrasjen e ish të dashurës së tij para tri dekadave, u ekzekutua në mbrëmje në ShBA. Ky ishte ekzekutimi i parë në shtetin amerikan në më shumë se katër vjet.
Willie James Pye, 59 vjeç, iu dha një injeksion vdekjeprurës me pentobarbital dhe u shpall i vdekur në orën 23 e 3 minuta në burgun shtetëror në Jackson. Ai ishte dënuar me vdekje për rrëmbimin, përdhunimin dhe vrasjen me armë të Alicia Lynn Yarbrough.
Pye u pyet nga gardiani nëse donte të thoshte ndonjë fjalë të fundit dhe ai bëri me shenjë në mënyrë mohuese. Kur u pyet nëse donte që të thuhej një lutje për të, ai bëri me shenjë në mënyrë pohuese. Një anëtar i klerit pastaj tha një lutje të shkurtër, duke kërkuar nga Zoti që ta ndihmonte Pye-n për të përjetuar mirësi e mëshirë, raporton gazeta “The Washington Post”.
Pye ishte kryesisht i palëvizshëm gjatë rrjedhjes së substancës. Ai filloi të nxirrte frymë shpejt 5 – 6 herë, duke i shkaktuar zgjerimin e faqeve dhe dridhjen e buzëve. Pastaj, ai ishte i palëvizshëm. Disa minuta më vonë, gardiani hyri në dhomën e vdekjes dhe e njoftoi kohën e vdekjes.
Avokatët e Pye-s kishin paraqitur apele për t’i bërë thirrje Gjykatës Supreme që të ndërhynte, por gjykatësit në mënyrë të njëzëshme e refuzuan pezullimin e ekzekutimit.
Ekipi mbrojtës argumentonte se shteti nuk i kishte përmbushur kushtet e nevojshme për rifillimin e ekzekutimeve pas pandemisë së koronavirusit dhe i përsëri argumentet se Pye nuk i plotësonte kriteret për ekzekutim për shkak të një paaftësie mendore.
Në anën tjetër, autoritetet ishin kundërpërgjigjur, duke thënë se pretendimet ishin zgjidhur më parë nga gjykatat dhe se ato nuk kishin vlerë. Ekzekutimi i fundit në Georgia ishte kryer në janar të vitit 2020, para përhapjes së koronavirusit.
Pye kishte qenë në marrëdhënie romantike me ndërprerje me Yarbrough-in, por në kohën e vrasjes së saj, ajo po jetonte me një burrë tjetër.
Që nga rikthimi i dënimit me vdekje më 1976 nga Gjykata Supreme, në Georgia janë ekzekutuar 75 burra e një grua. Tani për tani, në pritje të ekzekutimit në Georgia janë 35 burra e një grua.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co