Java e kulturore e Izraelit ka sjellë në Shqipëri edhe një prej DJ-ve që ishin pjesë e Festivalit ‘Nova’ ku Hamasi kreu masakrën e 7 tetorit. Dhjetëra të vdekur e dhjetëra pengje që i paraprinë një konflikti të gjatë e të dhimbshëm që vijon ende sot në Gaza. DJ Hidra vjen në një intervistë në ‘News 24’ ku tregon ditën e vështirë të 7 tetorit, si arriti të mbijetojë dhe mesazhet e tij sot kur thotë se e vetmja mënyrë që të gjejë paqe është të shohë pengjet të kthehen në shtëpi.
[embedded content]
– Nga Izraeli në Shqipëri për javën kulturore, si ka qenë ky udhëtim për ju?
DJ HIGHDRA: Ka qenë magjepsës. Dhe vendi është magjepsës. Sapo erdhëm dolëm nëpër qytet dhe pamë njerëz të mrekullueshëm dhe energji të mrekullueshme. Jeta e natës ishte po ashtu shumë e mirë, e ngjashme me Izraelin. njerëzit duken të mirë dhe janë shumë pranues. Kaq munda të shihja për një ditë.
– Ju quheni Oran Hayon, por emri juaj skenik është DJ Highdra. Si erdhët me këtë emër arti?
DJ HIGHDRA: Kur isha fëmijë, transmetohej një emision televiziv, mbi mitologjinë greke. Dhe Hidra ishte një dragua, një dragua që kishte tri kokë, çdo herë që i hiqej një kokë, kishte një tjetër. Ishte një dragua që nuk mund të vritej. Ndaj edhe sot, unë qëndroj, qëndroj ende dhe do të jem gjithnjë aty, për muzikën time dhe do të qëndroj pavarësisht asaj që ndodh, do të mbijetoj.
– Një koncert në Shqipëri. cilat pjesë muzikore luajtët?
DJ HIGHDRA: Luajta muzikë trans, është një muzikë që përfshin disa zhanre. Trance Muzik nuk është shumë e vjetër, por as shumë e re. Është një zhanër që ka nisur të luhet nga fundi i viteve 1980-1990, dhe është shpërndarë kudo nëpër botë. Ndër vite ky zhanër është përhapur dhe transformuar dhe ka disa rryma, përfshirë minimal techno. Çdo zhanër bazohet në të njëjtin koncept, por në bite të ndryshme. Kjo është linja e punës sime dhe e karrierës sime si artist. Kam studiuar muzikë në Tel Aviv, kur mbarova shkollën dhe nisa të vizitoja dhe të njihja vende të ndryshme në botë, kuptova që njerëzit e pëlqenin muzikën time. Vijnë në koncertet e mia, më ndjekin në instagram dhe më dërgojnë mesazhe. Kuptova që ka shumë njerëz që janë fansat e mi dhe nuk e kisha ditur që kisha fansa. Ata vijnë në koncertet e mia, shprehin simpatinë dhe dashurinë e tyre për muzikën që bëj dhe kjo është shumë e rëndësishme për të kërcyer sërish. Ky është slogani që përdorim në “Nova Festival”, sepse në kërcejmë dhe ata e ndalin kërcimin tonë, sepse erdhën nga të gjitha anët, vranë miqtë tanë. I kam parë miqtë e mi në situata që … janë të vështira të shpjegohen por ne i mbijetuam asaj. Unë jam një prej atyre të paktëve që i mbijetuan festivalit, dhe duhet të shkojmë në gjithë portën për të treguar anën tonë, anën tonë të kësaj lufte.
– Erdhët te pyetja ime, para se t’ju pyesja për atë moment të vështirë. Ju ishit pjesë e “festivalit Nova” në Izrael. Për opinionin publik ndërkombëtar, festivali është tashmë vendi ndodhi masakra e 7 tetorit. Si mundët të mbijetonit ju ?
DJ HIGHDRA: Është një histori e gjatë. Praktikisht për pothuaj 8 orë jam fshehur në bagazhe makinash. Kam hyrë në bagazh dhe e kam mbyllur nga pas. Kisha parë terroristë me armë, me bomba që shpërthenin pranë makinave e njerëzve. Kur po përpiqesha të ikja, vrapoja nga një makinë te tjetra, dhe fshihesha në një tjetër bagazh. Por nga njëra makinë në tjetrën, shihja trupa, shihja krahë, shihja këmbë, shihja kokë, gishtërinj. Shihja pjesë të trupave të njerëzve që i kisha njohur…
Në këtë moment, është shumë e vështirë të shpjegoj ato që kam përjetuar, por është një traumë e madhe, një traume e madhe edhe për dikë që thjesht e dëgjon atë që po them. Ndaj përpiquni të kuptoni se si është, se si ndjehesh të jesh brenda, ta kesh jetuar. Të jesh në një festival muzike, ku të gjithë janë të lumtur, po shijojnë muzikën, festivalin, je me miqtë, po pi, po kalon mirë, dhe papritur një minutë më vonë, sheh raketa në qiell dhe 1000 terroristë vijnë me armë dhe duan të vrasin. Ata nuk duan të jenë miqtë tuaj, nuk duan të ulen me ju, nuk duan të dëgjojnë muzikë, ata thjeshtë duan t’i vrasin të gjithë, këdo. Kjo është ajo që ndodhi me 7 tetor në Festivalin NOVA. Me sloganin “Do të kërcejmë përsëri” ne do t’i provojmë të gjithëve se nuk mund ta ndalin muzikën, se do të kërcejmë përsëri, pavarësisht nëse ka luftë, nëse ka një tjetër luftë, nëse ka terroristë- askush dhe asgjë nuk do ta ndalë muzikën. Ky është mesazhi më i rëndësishëm për të gjithë.
- Ju pritët 8 orë duke u fshehur nëpër makina. Kush erdhi t’ju shpëtojë?
DJ HIGHDRA: Askush nuk erdhi. Thjesht munda të ikja. Një moment ndërsa vrapoja pashë dy policë, ishin të vdekur.
- Policë izraelitë?
DJ HIGHDRA: Po. Izraelitë. Ishin të vdekur. I mora armën njërit prej tyre dhe vrapova megjithë armë. U fsheha në një tjetër makinë, dhe qëndrova në heshtje derisa pashë që po vinte ushtria. Kur erdhi ushtria u pa që kishte shumë trupa, shumë të vdekur. Kështu që unë ika. Vrapova sa munda për pothuaj 5 kilometra deri në qytetin më të afërt. Shkova atje dhe u fsheha deri në mbrëmje kur nisa të kuptoj që ka mbaruar. Atëherë telefonova prindërit.
-Dhe ju the që je gjallë?
DJ HIGHDRA: Po, iu thashë që jam gjallë.
– Ky ka qenë një moment i vështirë, jo vetëm për Izraelin, por më gjerë edhe për botën kur kupton se sa e pasigurt është bota. Ju mbijetuat dhe në këta muaj jeni përballur me traumën, si kanë qenë këta muaj?
DJ HIGHDRA: Nuk jam përballur me traumën. Jam ende nën traumë. Në fillim situata ishte shumë traumatike dhe dramatike sepse pas asaj që ndodhi në festival kam shkuar në disa funerale. Në funeralet e miqve të mi. Në 15 funerale në tri ditë. Ata ishin miqtë e mi dhe unë nuk e dija që kishin vdekur. Ti e kuptoje orë pas ore kush ishte i vdekur. Ne nuk gjenim Xhonin, nuk gjenim Anën apo dikë tjetër. Ti e kuptoje që diçka ka ndodhur. Ose janë të vdekur, ose janë marrë peng në Gaza. Një prej miqve të mi u mor peng, pastaj e liruan. Por kam edhe tre miq të tjerë që janë ende pengje në Gaza dhe ne nuk e dimë për ta.
- A ndihesh me fat?
DJ HIGHDRA: Në një mënyrë po, sepse askush nuk më ndihmoi. Thjesht ia dola vetë. Mund të ndodhte e kundërta. Varet nga vendimet që merr. Nëse do vendosja të ikja nga njëra anë, apo nga tjetra. Në asnjë çast nuk e dija se çfarë do të ndodhte. Në çdo moment, mendoja se mund të isha i vdekur në fund të ditës. Nuk e dija nëse kjo do të ndodhte tani, apo pas dy orësh, apo pas tre orësh. Dija vetëm që duhej të isha i qetë, dhe të përpiqesha të kuptoja se çfarë duhej të bëja në atë situatë. Nëse rri këtu ku jam edhe për 5 minuta të tjera, mbase ata do të hedhin një bombë në makinë dhe makina do shpërthejë. Nëse do të nxitoj për tu fshehur te një makinë tjetër, mbase ata do më kapin rrugës. Kështu që ishte e pasigurt. Duhej të mendoja shumë shkurt dhe të vendosja çfarë do të bëja. Në çdo rast nuk e dije se çfarë do të ndodhte.
- Shpesh shoqëritë moderne nuk janë shumë lidhura me Zotin. Ose mbase disa janë e disa jo. Çfarë të ndihmoi të mbijetoje? Je lutur?
DJ HIGHDRA: U përpoqa të lutesha, por e dija se nëse do të mbijetoja, duhej të gjeja një zgjidhje. U përpoqa të telefonoja policinë, por nuk lidhesha dot me të. Kur po përpiqesha të telefonoja prindërit, telefoni nuk lidhej më. Nuk kisha çfarë të bëja më, ndaj duhej të merrja një vendim, sepse nëse unë zgjodha një rrugë, dhe shoku im një tjetër, kjo nuk do të thotë se Zoti më deshi mua më shumë se atë. Ai bëri zgjedhjen e gabuar.
- Si kanë qenë muajt pas asaj që ndodhi në Festivalin Nova? Ke pasur kohë të procesosh me veten të gjithën?
DJ HIGHDRA: Muaji i parë ka qenë shumë i vështirë sepse kishte shumë funerale. Shumë prej miqve tanë vdiqën. Më pas, grupi jonë muzikor ka ngritur një qendër që quhet “Udhëtimi shërues i Novas”. Është një vend për njerëz që kanë qenë në festival. Ata vijnë, flasin me psikologë, marrin trajtime mjekësore, që të shërohen, që ta tejkalojnë atë që ndodhi, atë që panë. Kemi që nga tetori që i organizojmë këto takime çdo javë.
- Kur keni rinisur të luani muzikë?
DJ HIGHDRA: U desh shumë kohë. Për disa kohë nuk pati takime, nuk pati festa, nuk u bë muzikë. Katër muaj pas ngjarjes njerëzit rinisën të shkojnë në festa, por unë nuk ndihesh gati. Nuk ndihesha gati, miqtë e mi ishin ende pengje dhe janë edhe sot. Por nuk është celebrim, nuk është festë. Është për t’i treguar botës që ne nuk do ndalemi. Dhe për ti shpjeguar botës se çfarë ndodhi, sepse shumëkush nuk e dinte se çfarë ndodhi vërtetë. Shumë veta shohin tik-tokun dhe mendojnë që e dinë se çfarë ka ndodhur. Por ne duhet të flasim për të treguar çfarë ka ndodhur. Pastaj do ta kuptojnë, pse mbase jo, por ne duhet të tregojmë anën tjetër.
- Ky ka qenë një vit, shumë, shumë i gjatë. Në fillim masakra, pastaj pritja për të liruar pengjet, negociatat politike për pengjet dhe më pas çdo gjë që po ndodh deri tani në Gaza. Çfarë perceptimi keni, dhe çfarë mendimi keni për situatën që është shumë e vështirë?
DJ HIGHDRA: Është shumë e vështirë për tu shpjeguar sepse politika është… ka shumë interesa. Nëse do lirohesh pengje, do lirohen edhe të tjerë. Nuk mendoj se duhet bërë një lloj trafiku me njerëz. Nëse vazhdon me raketa, nëse vazhdon me negociata për jetët e njerëzve, nuk e di nëse do mbarojë lufta. Lufta do vazhdojë derisa të gjenden të gjithë, të gjallë apo të vdekur. Do t’i gjejmë të gjithë, t’i sjellim në shtëpi dhe të mbarojmë atë që kemi nisur.
- Historia e njerëzimit, është një histori luftërash, paqeje dhe mënyrash për të gjetur e ruajtur paqen, për të jetuar në paqe, me art, muzikë, biseda si kjo. Ne jemi nga dy vende të ndryshme, me besime të ndryshme fetare por ne ndajmë të njëjtin interes për artin dhe muzikën. Cila do të ishte mënyra më e mire për të gjetur paqe, jo vetëm në Izrael e në Gaza?
DJ HIGHDRA: Nuk mendoj se politika do të jetë zgjidhja. Mendoj që festivalet muzikore, arti mund të bëjë ndryshime. Nëse shkon në festivale dhe sheh njerëz, nuk sheh njerëz të trishtuar, nuk sheh njerëz që qajnë, sheh njerëz të lumtur, që dëgjojnë muzikë, që po kënaqen. Nuk është si në luftë. Në luftë ka njerëz të vdekur, ka gjak, ka njerëz që qajnë dhe ka trishtim. Kjo është e vetmja mënyrë për të bërë paqe, me muzikë.
- Java kulturore e izraelit në Shqipëri erdhi me moton “Do të kërcejmë përsëri”. A është ky një mesazh mbi vazhdimësinë e jetës apo si të bëjmë paqe?
DJ HIGHDRA: Mendoj që mesazhi është i njëjtë, të vazhdojmë të bëjmë festivale, të bëjmë paqe, të kërcejmë së bashku, së bashku: kam miq që janë myslimanë por besimi fetar nuk ka rëndësi. Ne na pëlqejnë të njëjtat ushqime, ne duam paqe, nuk duam luftë. Askush nuk do që të jetojë në luftë, ku shtëpitë shkatërrohen dhe njerëzit vriten.
- Si është të jesh një lloj ambasadori i Izraelit, të përfaqësosh Izraelin me muzikë?
DJ HIGHDRA: Ndjej që kam një lloj përgjegjësie, edhe për të treguar historinë time dhe për të përfaqësuar vendin tim, t’u them të gjithëve mendimin tim dhe opinionin e vendit tim. Jo politikisht, pra jo në mënyrë politike, por atë që mendoj unë, atë që ndjej unë për këtë luftë, për të këtë situatë në të cilën gjendemi.
- Ju mbijetuat dhe po jeni mesazhe paqeje. Sigurisht prindërit tuaj u gëzuan kur ju panë të ktheheshit në shtëpi gjallë pas shumë orësh që nuk dinin asgjë për ju. Kur do mundeni ju vetë, të gjeni paqe mbi atë që ndodhi në festivalin Nova?
DJ HIGHDRA: Do të gjej paqe kur të gjitha pengjet të kthehen në shtëpi. Vetëm kështu mund të gjendet paqe. Ende mendoj për shokët e mi që është një nga pengjet, që janë atje dhe nuk e di çka ndodhur, nëse kanë ngrënë, nëse kanë fjetur, madje as nëse janë gjallë. Këtë mendon gjithkush që e mendon luftën. Nuk është as luftë. Është një palë që ka marrë njerëz dhe një palë tjetër që po mbron veten, kaq. Vetëm paqja do t’i kthejë ata dhe unë do të jem i qetë kur ata të jenë në shtëpi.
- Nuk e di nëse muzika shqiptare, do të bëhet pjesë e koncerteve tuaja në të ardhmen?
DJ HIGHDRA: DO të dëgjoj muzikë shqiptare dhe kur të kthehem në studio do të përpiqem ta lidh me stilin tim.
- Nuk e di nëse jeni në dijeni për marrëdhënien që ka Shqipëria me Izraelin nisur që nga Lufta e Dytë Botërore kur shqiptarët shpëtuan hebrenjtë.
DJ HIGHDRA: Nuk e dija këtë, por nuk ka rëndësi se nga cilat kultura vijmë. Ne jemi qenie njerëzore, nuk ka rëndësi nëse je çifut, mysliman, i krishterë, budist. Ne jemi së pari njerëz, duhet të jetojmë në paqe.
- Faleminderit dhe uroj të ritakoni miqtë tuaj.
DJ HIGHDRA: Faleminderit. Uroj që po. Dhe ne do të kërcejmë përsëri.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co