Një burrë nigerian që mashtroi dhjetëra gra britanike dhe amerikane nga më shumë se 50,000 paund, ka shpërndarë një udhëzues hap pas hapi për manipulimin e grave në internet, pavarësisht këmbënguljes se ai tani po jeton një ‘jetë të mirë’ duke punuar për një agjenci për parandalimin e mashtrimit.
Christopher Smalling, 25 vjeç, tregoi se si kaloi gjashtë vjet duke gënjyer gratë duke u marrë atyre dhjetëra mijëra paund ose dollarë dhe pushoi së ndjeri me faj kur kuptoi se mund të bëhej i pasur.
“Fillimisht ndihesha keq, por me kalimin e kohës kur fillova të fitoja shumë para, nuk u ndjeva më keq”, tha ai për Sky News. Mashtrimet e tij të pashpirta bënë që një grua e moshuar amerikane të jepte plot 20,000 dollarë, duke e çuar atë në një depresion dhe që solli shqetësime për familjen e saj.
Tani, Smalling ka nxjerrë një manual të titulluar “Si ta bësh një grua të bardhë të bie në dashuri me ty nga biseda në internet” – një udhëzues prej 40 faqesh i keqdashjes dhe manipulimit që ai thotë se përdoret në mënyrë rutinore nga mashtruesit nigerianë për të mashtruar njerëzit që nuk dyshojnë nga vështirësitë e tyre.
Emri i autorit në libër nuk shkruhet por është i hartuar si një ‘urdhëresë ushtarake’ me ton të ftohtë, kalkulues dhe i fokusuar te objektivi, duke përshkruar viktimat si “shënjestra” ndaj të cilave përdoruesit duhet të veprojnë “ftohtësisht e me efikasitet”.
Në fillim të tij thuhet: “Kur nis të bisedosh me zonja të bardha, duhet të dish se ato janë ndryshe nga gratë nigeriane”, dhe më pas nisin instruksionet për shënjestrimin e grave të bardha të dobëta, mbi 40 vjeçe.
“Ky tip grash bie në dashuri me ty menjëherë pa shumë probleme. Zgjidh ato mbi 40 vjeçe që punojnë dhe që kanë paratë e nevojshme për ty. Nëse janë të pamartuara ato kërkojnë dashuri”, thuhet në manualin e mashtrimit.
Libri sjell më tej detaje , taktika dhe skenarë të mundshme të mashtrimit, duke gënjyer gratë me një rrjet kompleks gënjeshtrash që prej bashkëveprimeve të para. Lexuesi instruktohet të analizojë çdo informacion publik mbi objektivin si detaje personale, hobi e interesa, si faktorë për t’u shfrytëzuar në bisedë.
“Nëse i lë të flasin për veten e tyre, ato besojnë se ti kujdesesh për to dhe bien në dashuri”, thuhet në libër, ndërsa më tej jepet një listë prej 60 ‘komplimentesh’ për t’u përdorur gjatë bisedës me viktimën.
Smalling thotë se ishte arrestuar në Nigeri kur u zbulua mashtrimi i tij, por nuk është ndjekur asnjëherë penalisht. Ai punon tashmë me agjencinë ‘Social Catfish’ si konsulent për parandalimin e mashtrimeve të tilla, duke insistuar se eksperienca e hidhur me gruan amerikane e bëri të ndryshojë mendje. Zyrtarët në Britani tregojnë se numri viktimave të mashtrimeve të tillë të moshave 55 deri në 64 vjeç ishte rritur me 49 për qind në vitin 2023.
Më shumë se katër në çdo pesë viktima të mashtrimeve thoshin se ishin joshur nga gjuha e shkathët e kriminelëve, apo prej bisedave intime që kishin pasur, taktika të njëjta me ato të përshkruara në librin e Smalling.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co