Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se do të takohet me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi javën e ardhshme në Laos, ku do të mblidhen zyrtarë të lartë të vendeve të ASEAN-it (Shoqata e Vendeve të Azisë Juglindore). Sekretari Blinken shtoi se flet me zotin Wang rregullisht, një praktikë e rëndësishme kjo për të qartësuar qëllimet e secilit vend dhe për të shmangur konfliktet për shkak të keqkuptimeve.
“Jemi në gjendje të komunikojmë shumë qartë për fushat ku nuk jemi dakort. Kështu që të paktën Kina e njeh pozicionin tonë, ashtu siç ne e njohim pozicionin e tyre. E kemi këtë për Detin e Kinës Jugore. E kemi për Tajvanin dhe për mbiprodhimin”, i tha sekretari Blinken audiencës të mbledhur të premten në Forumin e Sigurisë në Aspen. Megjithëse Shtetet e Bashkuara dhe Kina nuk janë vende të Azisë Juglindore, diplomatë të lartë nga të dyja vendet ftohen zakonisht të ndjekin takimet rajonale dhe shpesh mbajnë edhe bisedime dypalëshe në këtë kuadër.
Të premten, qeveria amerikane këshilloi qytetarët amerikanë në Tajvan që të veprojnë në përputhje me rrethanat për një stërvitje të ardhshme vjetore të mbrojtjes ajrore në Tajvan të quajtur “Wan An Number 47”, e planifikuar të kryhet nga e hëna deri të enjten. Gjatë stërvitjes 30-minutëshe për civilët, do të testohet sistemi i njoftimit për emergjencat, që sinjalizon fillimin dhe përfundimin e një ngjarjeje. Javën e ardhshme, ushtria e Tajvanit do të zhvillojë gjithashtu stërvitjet e saj vjetore të mbrojtjes “Han Kuang”, të cilat zakonisht përfshijnë ushtrime në shkallë të gjerë me zjarr të drejtpërdrejtë.
Stërvitjet e mbrojtjes ajrore ndodhin ndërsa avionët dhe anijet ushtarake kineze vazhdojnë të operojnë përreth Tajvanit. Në muajt e fundit, Tajvani ka raportuar se avionët ushtarakë kinezë kalojnë shpesh vijën e mesme dhe hyjnë rregullisht në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të Tajvanit (ADIZ). “Nëse do të kishte një krizë për Tajvanin, do të ishte një krizë që prek vërtet të gjithë botën, jo vetëm fqinjët e afërt. Pesëdhjetë për qind e trafikut komercial të mallrave kalon përmes ngushticës çdo ditë; 70% e gjysmëpërçuesve tek të cilët mbështetet bota janë prodhuar në Tajvan”, tha sekretari Blinken të premten.
Bisedimet e sekretarit Blinken me ministrin Wang javën e ardhshme në Vientiane, kryeqyteti i Laosit, do të pasojnë përfundimin e një takimi të madh politik katërditor të mbajtur nga Partia Komuniste e Kinës në Pekin. I njohur si Pleniumi i Tretë i Kinës, takimet miratuan politika që synojnë avancimin e fuqisë teknologjike të vendit dhe forcimin e sigurisë së tij kombëtare. Ndryshimet e personelit të bëra në plenium tërhoqën shumë vëmendje pasi Partia Komuniste Kineze miratoi zyrtarisht largimin e ish-ministrit të saj të jashtëm, Qin Gang, nga Komiteti Qendror i saj.
Gjithashtu, pleniumi konfirmoi përjashtimin e ish-ministrit të mbrojtjes Li Shangfu. Li Yuchao dhe Sun Jinming, të Forcave Raketore të Ushtrisë Çlirimtare Popullor, u hoqën gjithashtu nga Komiteti Qendror. ASEAN ka njoftuar synimin e saj për të përshpejtuar negociatat me Kinën për një kod sjelljeje për të zvogëluar rrezikun e konflikteve në Detin e kontestuar të Kinës Jugore. Kjo organizatë e Azisë Juglindore shpreson t’i përfundojë bisedimet deri në vitin 2026.
“E ndjekim gjatë gjithë kohës, jo vetëm ngushticën e Tajvanit, [por edhe] Detin e Kinës Jugore”, tha sekretari Blinken të premten gjatë Forumit të Sigurisë në Aspen. Ai vuri në dukje përshkallëzimin e tensioneve midis Kinës dhe Filipineve për shkak të përplasjeve të fundit pranë ujërave rreth Second Thomas Shoal, i njohur si Rén’ài Jiao në Kinë. Sipas një vendimi ligjërisht të detyrueshëm të gjykatës ndërkombëtare të lëshuar në korrik 2016, Second Thomas Shoal është brenda zonës ekonomike ekskluzive të Filipineve dhe Kina nuk ka pretendime të ligjshme detare për ujërat përreth. Pekini e ka hedhur poshtë vendimin, duke pretenduar “sovranitet të padiskutueshëm” mbi pjesën më të madhe të Detit të Kinës Jugore./VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co