Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pritet të ulet në Rinas pak pas mesditës së të enjtes së 15 shkurtit. Siç mësohet nga detaje të përgatitjes së vizitës, do të jetë kryediplomati Igli Hasani ai që do t’i urojë i pari Blinkenit mirëseardhjen në aeroportin Nënë Tereza.
Ndalesa e parë e sekretarit Blinken mësohet se do të jetë në selinë diplomatike amerikane në Tiranë. Më pas është parashikuar takimi me kryeministrin Edi Rama. Kryefjalë e takimit mes Ramës dhe Blinken pritet të jenë çështje të demokracisë, antikorrupsionit dhe veçanërisht ato të sigurisë në rajon.
\Pritet që në këtë kontekst të ketë diskutim specifik për angazhime bilaterale dhe në kuadër të NATO-s, të cilat janë të lidhura me rajonin tonë, ku Rusia haptas ka demonstruar përpjekje konstante destabilizuese. Mesazhet e kësaj vizite sekretari Blinken pritet t’i japë në një konferencë shtypi të përbashkët me kryeministrin Edi Rama.
Ajo që pritet me interes që nga zyrtarizimi i vizitës është takimi me kreun e SPAK-ut, Altin Dumanin, një takim ky i lexuar si një mbështetje e qartë e SHBA-ve për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke prekur nivelet më të larta në drejtim apo ish drejtim të qeverisë dhe institucioneve shqiptare.
Nga Tirana, sekretari Blinken do të udhëtojë drejt konferencës së sigurisë në Mynih, e cila zhvillohet të premten e 16 shkurtit.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co