Pas zgjedhjeve të parakohshme në të cilat fitoi aleanca e majtë Fronti i Ri Popullor (NFP), presidenti francez Emmanuel Macron refuzoi të emërojë kandidatin e përbashkët të së majtës dhe emëroi kryeministër ish-ministrin e Jashtëm dhe ish-negociatorin e Bashkimit Evropian (BE) për Brexit-in, Michel Barnier, nga qendra e djathtë, transmeton Anadolu.
Në deklaratën nga Pallati Elysee u tha se Macron e ngarkoi Barnierin me “formimin e një qeverie unifikuese që do t’i shërbejë francezëve”.
Emërimi i Barnierit si kryeministër u bë pas një sërë konsultimesh të zhvilluara nga Macron për një kryeministër dhe qeveri që të jetë “sa më e qëndrueshme” dhe të “ketë shanse për të siguruar një shumicë” në përputhje me përgjegjësitë e tij kushtetuese, thuhet më tej.
I ardhur nga tradita republikane e qendrës së djathtë, 73-vjeçari Barnier ka shërbyer më parë në kabinete të ndryshme. Në vitet në 2004-2005 ka kryer detyrën si ministër i Punëve të Jashtme ndërsa në periudhën 2016-2021 si kryenegociator i BE-së për Brexit-in.
Macron emëroi kryeministrin dy muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme të mbajtura më 30 qershor dhe 7 korrik. Në zgjedhjet në të cilat NFP-ja e majtë fitoi shumicën e vendeve, asnjë parti apo aleancë nuk mundi të arrinte shumicën absolute prej 289 deputetësh dhe zgjedhjet zbuluan tablonë parlamentare më të fragmentuar në historinë e Francës.
Macron tha se ai nuk do të emëronte kryeministër të ri gjatë Lojërave Olimpike “Paris 2024” të organizuara nga vendi i tij dhe kërkoi që qeveria e Gabriel Attal-it i cili paraqiti dorëheqje, të qëndronte në detyrë edhe për një kohë.
Pasi filloi negociatat më 23 gusht, të cilat i pezulloi gjatë Lojërave Olimpike, Macron nuk pranoi të emëronte Lucie Castets, kandidaten e përbashkët për kryeministër të aleancës së majtë që fitoi zgjedhjet dhe njoftoi se do të vazhdonte negociatat.
Pas zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme në Francë, grupi më i madh politik në Asamblenë Kombëtare është NFP dhe partnerët e saj me 193 deputetë e cila ndiqet nga koalicioni qeverisës i Macron me 166 deputetë dhe RN e ekstremit të djathtë dhe partnerët e saj me 142 deputetë.
Sipas Kushtetutës franceze, presidenti ka autoritetin të emërojë këdo që dëshiron si kryeministër, por sipas traditës politike kryeministri zgjidhet nga partia ose aleanca që merr më shumë vota.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co