Me rastin e 101-vjetorit të themelimit të institucionit të Shërbimit Pyjor, në zonën e Shëngjergjit në kryeqytet u mbollën 10 mijë fidanëve akacie në një sipërfaqe prej 4 ha. Krahas stafit të APR dhe studentëve të Universitetit Bujqësor, aksionit iu bashkuan sot dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, Drejori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, Artur Kala, si dhe drejtues të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Veliaj u shpreh se është detyrë e shoqërisë që t’i kthejë natyrës një detyrim që do të shërbejë dhe për brezat e ardhshëm. “Gëzuar 101-vjetorin e Agjencisë së Pyjeve, Shërbimit Pyjor Shqiptar. Teksa shoh kontrastin e 50 mijë fidanëve, ku 10 mijë po i mbjellim sot, të tjerat në vijim, me atë që shohim përballë, është në fakt pasqyra ku duhet të shikojmë veten. Të shikojmë veten si shoqëri dhe të kuptojmë që i kemi bërë natyrës atë që nuk i bëhet hasmit.
I kemi prerë vetë pyjet, i kemi rrënuar lumenjtë, i kemi gërryer kodrat. Në këtë sens, po ne vetë do duhet t’i kthejmë natyrës, vendit, shoqërisë, atdheut këtë borxh. Në qoftë se atdheu më përpara na kërkonte të merrnim pushkë, sot na kërkon të marrim lopatë dhe të mbjellim edhe të shlyejmë një detyrim që e kemi për një brez tjetër. Jo detyrimisht të gjitha këto pisha që mbjellim sot do e bëjnë hijen për ne, por sigurisht që do e bëjnë për fëmijët tanë, dhe fëmijët e fëmijëve tanë”, tha ai.
Veliaj komentoi dhe nismën e Bashkisë Tiranës për mbjelljen e pemëve të reja, duke sjellë një ndryshim në mentalitet. “Duket komplet pa sens edhe debati që patëm këtë vit sa pemë u mbollën, u mbollën 900 mijë apo 1 milion e 100 mijë. Po të rrish tërë ditën në kolltuk dhe të jesh analist nga krevati, dhe të rrish tërë ditën në rrjetet sociale, nuk mbillen pemët. Por duhet të bësh këtë që bëjnë studentët, apo këtë që bëjnë dhe miqtë tanë, që i kanë dedikuar jetën këtij shërbimi. Çdo ditë nga 1, nga 101, nga 10 mijë e 1, vetëm kështu bëhet ky kontribut. Shërbimi ka sjellë patjetër rezultat konkret kur vjen puna te pyjet, por ka sjellë edhe ndryshim të mentalitetit. Fakti që sot shikoj fëmijë të vegjël që mbjellin te kopshti, te çerdhja, te shkolla, poshtë pallatit, në lagje, te bahçja, do të thotë që jemi një shoqëri komplet tjetër. Ne e kemi fuqinë të transformohemi, kemi fuqinë të mendojmë ndryshe dhe kemi fuqinë të bëhemi europianë edhe pa hyrë zyrtarisht në Bashkimin Europian”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.
Ai dha lajmin e mirë për studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, të cilët do të kenë mundësi që të kryejnë praktikat mësimore në Kopshtin Botanik. “Më vjen mirë që, jo vetëm ne si Bashki e Tiranës, që jemi punëdhënësi më i madh për studentët që mbarojnë degë të tilla, por duhet të inkurajojmë çdo bashki. Ne nuk duhet të kemi një histori suksesi. Ne duhet të jemi të gjithë një histori suksesi. Ndaj, më vjen mirë që do fillojmë punën së bashku edhe për Kopshtin Botanik. Të njëjtën gjë kemi bërë me studentët dhe me Fakultetet në UBT, edhe për kopshtin Zoologjik. Dua që të bëjmë të njëjtën gjë bashkë me Shkencat e Natyrës dhe me UBT për kopshtin Botanik dhe duhet të kthehet e gjitha në një hapësirë që është e aksesueshme edhe për qytetarët, por edhe për studentët për të bërë eksperimente, për të pasur atë punën prodhuese, për të bërë praktikat e tyre”, theksoi Veliaj.
Ai nënvizoi se vendi ynë ia doli me sukses që të 5-fishojë numrin e turistëve dhe është momenti që ata të shohin dhe një Shqipëri të re. “Ne kemi pasur vitin më të suksesshëm turistik. Kush e mendonte se do të kishim 5-fishin e banorëve si turistë. Ia dolëm dhe unë besoj se duhet të përgatitemi për një vit tjetër, ku shumë njerëz do duan të shohin jo vetëm qendrën e Tiranës, duan të shohin edhe rrethinat. Duan që të shohin që “Po” është ajo Shqipëria e erozionit dhe e shkatërrimit, por është edhe kjo Shqipëria e re e mbjelljes dhe rigjenerimit.”, tha Veliaj, teksa ftoi dhe qytetarët që të japin kontributin e tyre në këtë nismë.
“Dua të ftoj të gjithë qytetarët. Ne vazhdojmë në periudhën e Mars-Prillit edhe thirrjen për të gjithë, për kompani, për shoqata, për organizata, për klasa, për shkolla, për universitete, ku secili jep një kontribut. Kur të bëhet pema 101 vjet, ajo që mbillet sot dhe të ketë moshën e dikujt që është bërë gjysh dhe është 101 vjeç, secili do ketë mundësi të thotë që lashë një shenjë në këtë qytet dhe hodha rrënjë jo vetëm si metaforë, por hodha rrënjë dhe fizikisht”, deklaroi Veliaj.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro vlerësoi se dita e sotme është një tjetër provë se Bashkia e Tiranës ka krijuar modelin më të mirë në nivel të njësisë së qeverisjes vendore të administrimit të pyjeve. “E kemi shpallur vitin e pyjeve. Nuk është se në një vit do pyllëzojmë gjithë Shqipërinë dhe do mbarojmë punë me pyjet, por janë disa vite në të cilat duam të lëmë më shumë gjurmë, sidomos për pjesën e edukimit. Sinqerisht shumë faleminderit Erion për faktin që donim të mbillnim 101 fidane sot në shenjë të atyre që kanë qenë, janë dhe do vijnë më vonë në Shërbimin Pyjor. Por nga 101, e bëjmë 50 mijë fidanë. Bashkitë kanë detyrën kryesore të mirëmbajtjes, të administrimit pyjor, por edhe të vjeljes së ekonomisë pyjore. E kam thënë dhe më vjen shumë mirë që rikthehemi sot me një provë që Bashkia Tiranë ka krijuar modelin më të mirë në nivel njësisë së qeverisjes vendore të administrimit të pyjeve”, deklaroi ministrja Kumbaro.
Data 27 Janar e vitit 1923 është dita e dekretimit të Ligjit të parë shqiptar “Për pylltarinë shqiptare” dhe sot përkujtohet si Dita e Shërbimit Pyjor Shqiptar.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co