Kabineti izraelit i luftës ka shqyrtuar planet ushtarake për një përgjigje të mundshme kundër Iranit. Këto plane u diskutuan në një takim gati tre orësh të hënën, tha një zyrtar. Kabineti i luftës mbetet i vendosur për të vepruar, por në këtë pikë nuk është e qartë nëse është marrë një vendim.
Ekziston një ndjenjë se Izraeli duhet të veprojë shpejt, tha zyrtari. Kabineti i luftës shqyrtoi gjithashtu opsionet diplomatike për të izoluar më tej Iranin, të cilat mund të kryheshin përveç një reagimi ushtarak.
Ish-kreu i CIA-s, David Petraeus, i tha programit World Tonight të BBC Radio 4 se Uashingtoni nuk dëshiron të rrezikojë mirëqenien e ekonomisë globale me çdo hakmarrje izraelite kundër Iranit. Gjenerali Petraeus, i cili gjithashtu komandonte forcat ndërkombëtare në Irak dhe Afganistan, tha se sulmi iranian ishte një “punë shumë e madhe” dhe se Perëndimi duhej të kuptonte se sa e rëndësishme ishte kjo për Izraelin.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara i bënë të hënën thirrje Izraelit të tregojë vetëpërmbajtje dhe të shmangë përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme ndërsa qeveria izraelite po shqyrton se si do t’i përgjigjet sulmeve të Iranit gjatë fundjavës me 300 dronë dhe raketa. “Ne nuk duam përshkallëzim, por do të vazhdojmë të mbështesin mbrojtjen e Izraelit dhe do të vazhdojmë të mbrojmë personelin tonë në rajon”, tha Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken në nisje të një takimi me zëvendës kryeministrin e Irakut Mohammed Ali Tamim.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co