Presidenti i Francës, Emmanuel Macron deklaroi gjatë fjalimit nga Sorbona se për herë të parë në historinë e Europës lufta ka ndryshuar rregulla loje: “Ajo po zhvillohet në kontinentin europian nga një fuqi bërthamore siç është Rusia”. “Kjo sfidë e panjohur më parë i ka kapur europianët në befasi”. Për këtë Macron propozon ose lë të kuptohet se bomba berthamore franceze shërben edhe si çadër për vendet anëtare të BE-së.
Ja si u shpreh ai mbi këtë pikë të ndjeshme strategjike:
“Në muajt e ardhshëm, do t’i ftoj të gjithë partnerët e mi europianë të ndërtojnë këtë nismë europiane të mbrojtjes… Franca do të luajë rolin e saj si ushtria më efektive në kontinent, dhe që jemi gjithashtu të pajisur me armë bërthamore. Fuqia parandaluese që na jep arma bërthamore është në qendër të strategjisë së mbrojtjes së Francës dhe është një element thelbësor në mbrojtjen e kontinentit europian. Falë kësaj mbrojtje të besueshme, ne do të jemi në gjendje të ndërtojmë garancitë e sigurisë që të gjithë partnerët tanë presin në Europë”.
“Ne jemi në një pikë kthese“, vazhdoi Emmanuel Macron, “që na ka kapur në një moment kur “nuk jemi të armatosur për të përballuar këto rreziqe të reja“. “Ne kemi filluar një zgjim”, beson presidenti francez. “Vetë Franca ka dyfishuar buxhetin e saj të mbrojtjes. (…) Por, në një shkallë kontinentale, ky zgjim është ende i ngadalshëm, tepër i dobët përballë riarmatimit të përgjithshëm të botës”.
Emmanuel Macron pohoi se “Europa është në një situatë rrethimi nga fuqi të shfrenuara si Rusia dhe Irani për të përmendur vetëm ato”. Konstatimi i tretë në fushën e sigurisë lidhet me emigracionin në masë që po bëhet një kërcënim serioz për vendet e BE-së. Por Macron, pa e përmendur Italinë apo Britaninë e Madhe, nuk beson aspak te zgjidhja që ka gjetur Meloni me transferim të një pjese të emigrantëve në Shqipëri, ndonëse nuk e përmend me emër fqinjin e vet.
“Unë nuk besoj në modelin që po na propozohet sot, i cili konsiston në gjetjen e vendeve të treta në kontinentin afrikan apo gjetkë, ku do të çohen njerëz që vijnë tek ne në mënyrë të paligjshme. Ne po krijojmë në këtë mënyrë një gjeopolitikë cinizmi që tradhton vlerat tona dhe që do të jetë krejtësisht e paefektshme”.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co