Akuza për ndërhyrja në sistemin TIMS, si ra në pranga drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça

akuza per nderhyrja ne sistemin tims si ra ne pranga drejtori i it ne policine e shtetit ervin muca
akuza per nderhyrja ne sistemin tims si ra ne pranga drejtori i it ne policine e shtetit ervin muca

Në Shqipëri drejtori i Teknologjisë së Informacionit (IT) në Policinë e Shtetit, Ervin Muço, u vu në “Arrest shtëpie” të martën, pasi dyshohet të ketë ndërhyrë verën e shkuar në sistemin TIMS, i cili regjistron hyrje-daljet e qytetarëve nga kufijtë e vendit. Arrestimi përkon me nisjen e punës së Komisionit të posaçëm hetimor parlamentar, të ngritur me kërkesë të opozitës, pikërisht për ngjarjen për të cilën u arrestua drejtori Muço.

Prokuroria e Tiranës e cila nisi hetimet, pas kallëzimit të vetë strukturave të policisë, bëri të ditur se drejtori i IT-së, dyshohet për “Hyrje të Paautorizuar Kompjuterike”. Njoftimi i Prokurorisë shpjegon se “në datë 2 gusht 2023, në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara, nga Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, Ervin Muco. Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin”.

Prokurori bëri të ditur se hetimet janë shtrirë në marrjen në pyetje të të gjithë personave të përfshirë në ditën e ngjarjes, ndërkohë që verifikimet e mëtejshme mbi drejtorin Muço, kanë nxjerrë në dritë probleme dhe me të kaluarën e tij. “Rezulton se në datë 23.10.2007 në Itali është raportuar si përgjegjës për veprat penale të dokumenteve false kryer nga persona privatë dhe përdorimin e një akti të rremë. Në datë 09.09.2008 shtetasit Ervin Muço, i është njoftuar vendimi për refuzimin e rinovimit të lejes së qëndrimit të marrë nga shtabi i policisë në Bari”, lexohet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.

Po ashtu, ka rezultuar se Muço “është këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërkohë që është edhe Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionit në Policinë e shtetit. Ligji për policinë e shtetit, ndalon veprimtari të dyta përveç mësimdhënies. Muco nuk e ka deklaruar këtë veprimtari të dytë në dokumentet aplikues për pozicionin e Drejtorit në Policinë e Shtetit.”

Procedimi penal për ngjarjen, është regjistruar që në shtator të vitit të kaluar dhe Muço, ka qenë person nën hetim. Në Prokurori ka patur fillimisht një referim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në 8 gusht, dhe më pas, në fund të po atij muaji nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Mbetet e paqartë arsyeja se përse Muco ka vijuar të ushtrojë i qetë detyrën, dhe vetëm të martën në mbrëmje, pas urdhrit të arrestit për të, Policia njoftoi pezullimin e tij nga detyra.

Po ashtu, urdhri i arrestit, si për rastësi, përkon me nisjen e aktivitetit të Komisionit të posacëm hetimor parlamentar. Kryetari i këtij Komisioni deputeti demokrat Ervin Salianji, deklaroi në mbrëmje se “arrestimi i Drejtorit të IT-së në Policinë e Shtetit, dëshmitari i parë i listuar në planin paraprak të hetimeve të Komisionit hetimor, Ervin Muca, është rezultati i parë i punës së Komisionit hetimor për të dhënat e TIMS-it dhe konfirmim i denoncimeve të vazhdueshme të opozitës”.

Në gusht të vitit të kaluar, autoritetet u përpoqën ta minimizonin ngjarjen. Ajo mori vëmendje pasi i Ngarkuari me punë në ambasadën amerikane Martin McDowell “vuri në dukje shqetësimin e SHBA-së, në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemin TIMS në Policinë e Shtetit. Ai nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshirë dhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri”, bënte të ditur në atë kohë një postim i ambasadës amerikane mbi takimin e zotit McDowell më 17 gusht me ministrin e Brendshëm Taulant Balla. Ky i fundit, në të kundërt, nuk e kishte përmendur temën e çështjes TIMS, në njoftimin mbi bisedën me diplomatin amerikan.

Pak ditë më vonë kryeministri Edi Rama, e trajtoi rastin si një çështje thjesht teknike. “Hetimi i brendshëm është kryer i plotë dhe nuk ka asnjë shqetësim. Ajo ngjarja e rëndë nuk ka ndodhur se s’ka pasur as mundësi të ndodhi sepse në përpjekje për të bërë backup-in ka dalë që s’ka backup fare. Kështu që, është një problem teknik i brendshëm. Ata kanë punën e tyre dhe në atë punë ata janë të monitoruar. Edhe hetimi është bërë kështu që nuk ekziston kjo”, deklaroi zoti Rama në një konferencë për shtyp më 25 gusht./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →