Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), përshëndet përzemërsisht vendimin e djeshëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për pranimin më se të merituar të Kosovës në këtë Organizatë shumë të rëndësishme për ruajtjen dhe forcimin e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut në kontinentin tonë.
Ky është hapi i parafundit drejt pranimit me të drejta të plota të Kosovës në KiE, pasi kemi bindjen e plotë se edhe Këshilli i Ministrave në mbledhjen në mesin e muajit maj, do të votojë për pranimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Europës, bazuar pikërisht mbi meritat dhe arritjet e Kosovës në fushën e zbatimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
KASH vlerëson se votimi i djeshëm pozitiv dhe deklaratat e përfaqësuesve të vendeve të ndryshme në favor të Kosovës, është një nga arritjet më të rëndësishme politike e diplomatike të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë së saj.
Uniteti i grupit të përfaqësuesve të parlamentit të Kosovës dhe koordinimi i punëve është edhe një shembull i mirë qe së bashku ia arrijmë në çdo gjë.
KASH vlerëson lart ngritjen e statusit te Kosovës edhe në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ku për shumë vite Kosova kishte statusin e anëtarit vëzhgues dhe tani është Anëtare e Asociuar e Asamblesë Parlamentare të NATOS, vendim i cili do të formalizohet me votim në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në sesionin pranveror të Asamblesë, që do të mbahet më 27 maj në Sofje të Bullgarisë.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ju gëzohet pa masë të gjitha arritjeve diplomatike dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat dhe institucionet e rëndësishme ndërkombëtare, por, në mënyrë të veçantë vlerëson bashkimin dhe bashkëveprimin brendashqiptar, si në politikë, diplomaci, ekonomi dhe në çdo fushë tjetër të jetës.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co