Ligji që rikthen bastet sportive “online” është miratuar dhe çudia mbetet që nuk po zbatohet. Kjo është një shkelje e Kushtetutës, pasi aktet nënligjore nuk janë miratuar në afatin që është përcaktuar në Fletoren Zyrtare.
Që prej muajit 1 tetor, kur ishte edhe afati i fundit, gjithçka kalohet në heshtje, ndërkohë në të gjithë Shqipërinë luhen baste në të zezë, arrestohen qytetarë dhe asnjë taksë nuk shkon në buxhetin e shtetit nga kjo industri, e cila prej disa vitesh po pasuron vetëm elementë të botës së krimit.
Një industri që funksionon në të zezë, por ambientet e tyre janë në mes të Tiranës, kjo ndoshta pasi kanë edhe mbrojtjen e strukturave të Policisë.
Një rast ky që tregon më së miri sesi ligji nuk zbatohet në Republikën e Shqipërisë. Nga taksimi i këtyre kompanive, nëse do të funksiononin legalisht nesër, një pjesë e të ardhurave do të shkonte për sportin dhe artin.
Nga ana tjetër, edhe Komisioni i Licencave nuk ka fuqi përballë qeverisë dhe ministrive përkatëse të cilat kanë në dorë gjënë më të rëndësishme. Të miratojnë aktet nënligjore dhe gjithçka të marrë formë në mënyrë të ligjshme në lidhje me bastet sportive “online”.
PANORAMASPORT.AL