Dionis Prifti shpallet fitues i edicionit të dhjetë të Çmimit letrar KADARE 2024, me romanin “Dy javë nën balonë”
Në përputhje me Statutin e Çmimit Letrar Kadare dhe pas shqyrtimit të dokumentacionit, në lidhje me shpalljen e Çmimit Kadare 2024, i parashikuar për datën 24/ 02/ 2024, Instituti Liberal Pashko, enti juridik që akordon Çmimin Kadare vendosi:
T’i konsiderojë të gjitha mbledhjet dhe votimet e mëparshme, përfshi edhe atë të datës 24 shkurt 2024, e parashikuar si mbledhja finale, si paraprake dhe konsultative, përderisa nuk pati procesverbal të nënshkruar, dhe të thërrasë një mbledhje të re në datën 10/ 05/ 2024 për të kryer votimin formal, sipas dokumentacionit përkatës, e domosdoshme kjo për shkak se, në ndryshim nga tradita e viteve të mëparshme, nuk ka pasur konsensus të plotë të të pesë anëtarëve të jurisë për fituesin.
Mbledhja u zhvillua në datën 10/05/2024 dhe në të morën pjesë këta anëtarë jurie: Armando Bora, Ermir Nika, Suadela Balliu.
Munguan në mbledhje: Nasi Lera, kryetar i jurisë, Gazmend Krasniqi, anëtar.
Në përfundim të mbledhjes, mes pesë finalistëve:
1-ANTONIO ÇIKOLLARI “Tregime” – Tregime
2- DIONIS PRIFTI “Dy javë nën balonë” – Roman
3-GRANIT ZELA “Përmbytja” – Roman
4- GRIGOR JOVANI “Klinika” – Tregime
5-LULJETA DANO “Njohja” – Roman
Fitues u zgjodh Dionis Prifti me motivacionin:
“Me prozën “Dy javë në balonë” autori i ri, nëpërmjet një stili origjinal letrar paraqet risi në konceptim dhe një frymë novatore, ku përthyerja e realitetit në epokën teknologjike krijon kode të reja komunikimi në shoqërinë e sotme”.
Në vitin e dhjetë të Çmimit Kadare, duke inkurajuar përmes këtij çmimi një autor të ri, juria synon të mbështesë një gjeneratë të re letrarësh, e cila meriton vëmendje për t’u shfaqur në jetën kulturore të vendit me profilin dhe zërin vetjak.
Me qëllim mbajtjen larg të çdo ndikimi, Instituti Liberal i Tiranës, Pashko, i cili akordon Çmimin Kadare, beson se promovimi i letërsisë shqipe, nëpërmjet këtij çmimi të veçantë, ku konkurrohet me dorëshkrim, mbetet një qëllim madhor i këtij çmimi, prandaj respektimi i procedurave juridike dhe statutit ka rëndësi parësore.
Nisur nga kjo, me qëllim rritjen e reputacionit të Çmimit Kadare, i iniciuar në vitin 2014, me mbështetjen e partnereve të këtij çmimi, shtëpisë botuese UET PRESS, Departamentit të Arteve të Aplikuara të Universitetit Europian të Tiranës, Gazeta Liberale, duke nisur nga konkursi i radhës, juria e Çmimit Kadare, do të përbëhet vetëm nga autorë fitues të edicioneve të mëparshme të Çmimit Kadare.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co