Debati për ‘ligjet e emigracionit’, republikanët votojnë për shkarkimin e sekretarit të Sigurisë Kombëtare në SHBA

debati per ligjet e emigracionit republikanet votojne per shkarkimin e sekretarit te sigurise kombetare ne shba
debati per ligjet e emigracionit republikanet votojne per shkarkimin e sekretarit te sigurise kombetare ne shba

Ligjvënësit republikanë votuan të mërkurën për të vazhduar me procesin e hetimit për ngritje akuzash me qëllim shkarkimin e sekretarit të Sigurisë Alejandro Mayorkas, për shkak të refuzimit “të vullnetshëm dhe sistematik” për të zbatuar ligjet e emigracionit, ndërsa çështja e sigurisë së kufirit është bërë një temë kryesore për zgjedhjet e këtij viti. Komisioni për Sigurinë Kombëtare debatoi gjatë gjithë ditës së martë dhe vazhdoi punën edhe gjatë orëve të natës, përpara se të rekomandonte dy nene akuzash për t’u ngritur ndaj sekretarit Mayorkas. Për akuzat duhet të votohet në vazhdim në një seancë plenare të Dhomës së Përfaqësuesve. Kjo lloj procesi ndaj një anëtari të kabinetit qeveritar është i rrallë dhe pothuajse nuk është ushtruar gjatë 150 viteve. Me këtë hap, republikanët duket se po e përqafojnë linjën e ashpër ndaj emigracionit të kandidatit të tyre kryesor për president, Donald Trump.

Ligjvënësit republikanë të këtij komisioni votuan pro, ndërsa demokratët votuan kundër, 18 me 15. Akuzat për shkarkimin e sekretarit Mayorkas thonë se ai “refuzoi zbatimin e ligjeve federale të emigracionit”, ndërsa ka një valë rekord prurjesh të emigrantëve dhe se ai “ka shkelur besimin e publikut” duke i deklaruar Kongresit se kufiri SHBA – Meksikë është i sigurt. Dhoma e Përfaqësuesve mund të votojë për shkarkimin e zotit Mayorkas ndoshta që javën e ardhshme. Nëse miratohen, akuzat do të dërgohen në Senat ku do të zhvillohet një proces gjykimi. Senatorët kanë gjithashtu mundësinë të mbledhin një komitet të posaçëm për ta shqyrtuar paraprakisht propozimin.

Nëpërmjet një kërkese të pazakontë personale, sekretari Mayorkas, i cili është gjithashtu i angazhuar në bisedimet në Senat për një projekt-buxhet për sigurimin e kufirit, u shkruajti anëtarëve të komisionit se ata duhet të punojnë me administratën e presidentit Biden për ta përditësuar legjislacionin “e çalë dhe të vjetëruar” të emigracionit, për t’u përballur me sfidat e shekullit të 21-të, një epokë emigracioni rekord në nivel global.
Është e rrallë që një anëtar i kabinetit qeveritar të përballet me mundësinë e shkarkimit për “krime dhe shkelje të rënda”, dhe ligjvënësit demokratë të komisionit e quajtën procedurën një sajesë që mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për punonjësit e tjerë të shërbimit civil të gjendur përballë kundërshtive të ligjvënësve që nuk janë dakort me përqasjen e presidentit.

Nuk është e qartë nëse ligjvënësit republikanë do t’i përmbahen linjës së partisë së tyre për të votuar në favor të ngritjes së akuzave gjatë seancës plenare të Dhomës së Përfaqësuesve, ku ata kanë një shumicë të ngushtë dhe ku demokratët pritet të votojnë kundër. Nëse Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë në favor të ngritjes së akuzave ndaj sekretarit Mayorkas, akuzat do të merren në vazhdim në shqyrtim nga Senati. Në vitin 1876, Dhoma e Përfaqësuesve ngriti akuza ndaj sekretarit të Mbrojtjes William Belknap në lidhje me kontratat qeveritare, por Senati e shfajësoi atë gjatë procesit të gjykimit./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →