Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit politik: Nga veprimet e ndyra të atij imorali, m’u errën sytë dhe me shpejtësi rrufeje e ngrita lart lopatën dhe ja lëshova mbi krye…

deshmia e rralle e ish te denuarit politik nga veprimet e ndyra te atij imorali mu erren syte dhe me shpejtesi rrufeje e ngrita lart lopaten dhe ja leshova mbi krye

i denuari politikKam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

          Autori

                   SHKËLQIM ABAZI

                                                                               R E P S I

                                                               (Kampi i punës së detyruar)

Memuaristikë

Këta tipa shëtitës treteshin si kripa në ujë, sa në kampe, sa në birucat e Degëve të Brendshme. Po ashtu si kripa, linin pas vazhdën e ndyrësisë së tyre, që s’ish e vështirë ta dalloje. Nga ngjyra e zbehtë e fytyrës, e mora me mend menjëherë, sapo do ish kthyer nga ndonjë “shërbim” makabër, ku me siguri s’dihej kujt mund t’i kish bërë gropën, duke e mashtruar të pranonte fajësi të pabëra, apo do i kish dalë ndokujt dëshmitar i rremë. Urrejtja po më vlonte përbrenda, megjithatë tentova ta shmangia: – “O Sali Nela, hiqmu qafe! Vërtetë surratin s’ta kam parë, po bëmat t’i njoh mirë! S’ka të burgosur që s’i njeh pisllëqet dhe horrllëqet e tua! Ndaj largomu, se do mallkosh ditën, kur ke lindur”! – e kërcënova dhe mendja po kërkonte një zgjidhje me shpejtësi maksimale.

– “Ehu-uu, sa kam kaluar në zdrukth si puna jote, unë! – m’u trimërua. – Pse o, ti do më shpëtoç mua”! – me një dorë vazhdonte të më përkëdhelte faqen, ndërsa me tjetrën, nisi të masturbohej. – “S’jam mësuar me sorra të zgjebosura unë, o kuçkë! Dua mish thëllëze! Dre-dre, zoçkat kalojnë njëherë te unë, pastaj te të tjerët”! – dhe vazhdonte masturbimin. Ndërsa truri kërkonte udhëzgjidhje, si mes një vizioni të përtymur, m’u faneps figura kokorroçe e Muharrem Dylit, me duart të kryqëzuara mbi gjoks. Në thellësi të kafkës, më gjëmuan fjalët e tij: “Jemi në xhungël këtu, or babuç….të ngacmoi, mbytja i pari, se po ndodhi ndryshe, ta la…, dëgjo vllaçkon ti”!

E mora vendimin. Lopatën me dhe, e derdha në gropë. Me shpejtësi rrufeje e ngrita lartë, pastaj ja lëshova mbi krye personit që masturbohej mbi mua, me sa më hante krahu. Një krisëm e shurdhët si jehona e mbytur e thesit të bykut, kur e shkundin me shkop, u pasua nga një klithmë e mprehtë, që ushtoi në tërë hapësirën e laboratorit. I godituri u shemb së prapthi pas pirgut me dhe të freskët, e përpëlitej, ndërsa unë vazhdoja të shtija e të shtija, kuturu.

Tingulli i metalit që përplasej mbi gurishte, u përzje me ulërimat dhe kaptoi kubenë e lartë të godinës, jehona rikthehej e shumëfishuar te unë. Më uturinin veshët nga këto zhurma të nakatosura, të cilat nxitën ndoshta më instiktin kafshëror. M’u lëbyrën sytë e vazhdoja të qëlloja, në hava. Nga pozicioni ku gjendesha, e kisha të pamundur të godisja saktësisht, se gjatësia e bishtit, ishte i limituar. Bëra të dilja jashtë gropës, po ajo ish e thellë, s’ja mbërrita. Atëherë e shtriva krahun më tepër, deri sa nga tingulli, dallova se duhej të shukej mbi kurm njeriu.

Inati më kish eklipsuar orbitat e trurit, ndjenjat qenë mpirë, logjika s’funksiononte. Papritmas nga vetëmbrojtës, isha shndërruar në grabitqar, që pavetëdijshëm e instinktivisht për mbijetesë, isha gati të shqyeja çdo të ngjashëm, që të më delte para. Sa herë kujtoj ato çaste, përfytyroj njeriun dhe kafshën, ngjashmëritë e diferencat mes tyre. Konkluzioni më rezulton paksa konfuz; kufiri ndarës mes njërës gjendje dhe tjetrës, s’është kushedi se sa i qartë; thjeshtë vetëm arsyeja e bën dallimin. Po zhvishe njeriun nga logjika dhe automatikisht, përfton kafshën më mizore.

Në analizën që jam rrekur t’i bëjë këtij rasti, kam arritur të gjejë anët e padukshme të karakterit njerëzor, apo shtazërinë humane. Nxite këtë veti-ves te kafsha-njeri, stimulo unin primitiv dhe ke përftuar kainin modern. Këto metoda i instrumentalizojnë popujt, të egërsohen deri në shtazëri kundër njeri tjetrit. Njeriut të qytetëruar, si qenia më perfekte mendërisht, po dhe më e manipulueshme shpirtërisht, vëri ballë arsyen e mos arsyes dhe në një farë mënyre, i ke injektuar drogën, i ke induktuar egërsinë, papandehur e ke shndërruar në antropofag.

Kjo e shpjegon faktin se si i ndërsejnë të panjohurit, se si e detyrojnë ushtarin në llogore, të kthehet në instrument vrastar; që të urrej me gjithë forcën e shpirtin, kundërshtarin në llogoren tjetër përkarshi, pa e ditur aspak cili është dhe si është? Pa u përplasur kurrë personalisht, pa shkëmbyer asnjëherë ndonjë fyerje të ndërsjellët, pa pasur ndonjëherë kontradikta individuale. Në fund, pa pikë dhembshurie humane, pa ndjenjën më minimale të mëshirës, shpojnë kurmet e njeri-tjetrit, me majën e mprehtë të bajonetës, si të ishin manekinë.

Sërish për të shpjeguar këtë fenomen, më vjen në ndihmë defiçenca e intelektit apo veti-vesi më i spikatur i kafshës-njeri. Mjafton që te individi të stimulosh sinergjinë negative dhe i ke eklipsuar logjikën! Preki sedrën e sëmurë dhe qenien e arsyeshme njeri, e ke transformuar në subjektin më të egër, në një minotaur me rrezikshmëri eksplozive, që pa mëdyshje e meriton të eliminohet nga faqja e dheut. Nën shtysën e këtyre instinkteve vrastarë, kafsha-njeri, zhduk të ngjashmin e vet, vëllai vret vëllanë, babai djalin, mëma birin, gruaja burrin e anasjelltas, madje kjo meduzë njëmijë krerëshe, ndihet krenare për triumfin ndaj të ngjashmit, si të përmbushte një detyrim hyjnor, pothuajse të shenjtë. Kështu lindin kainët!

Ulërimat e mprehta, të shoqëruara me britmat e thekshme që nxirrte i rrëzuari, tërhoqën vëmendjen e të tjerëve në sallat pranë. Ata, të tromaksur u sulën brenda e diç flisnin me zë të lartë. Por unë s’kuptoja asgjë nga ç’thoshin. Një hije m’u afrua, më zgjati dorën, por s’e përcaktova dot cili qe. E zura atë dorë të shtrirë, i dhashë trupit përpjetë, me ndihmën e gjunjëve mbështetur në paretet anësore të gropës, mbërrita të dilja jashtë. Sapo u dhashë në sipërfaqe, rrëmbeva bishtit të parë që më zuri dora dhe u lëshova mbi të plandosurin që vazhdonte ulërimat. Vegla kish qëlluar kazma qylyke, me çek të mprehtë.

Kur maja e kazmës iu drejtua fytyrës, personi i mbuluar me gjak, shtrirë nën këmbët e mia, çakërriti sytë. O Zot, ç’kokordhokë të zgurdulluar, të shqyer nga tmerri, njëkohësisht urryes e lutës deri në përgjërim! Toidho, sytë e një kau që pret t’a therin. Asnjëherë më në jetë, s’më ka rastisur të shoh shkëndijim të tillë. Ata sy të xhamtë, të terrorizuar deri në tmerr, më stepën një çast, me kazmën në ajër. Por nën shtysën e instinktit shtazarak, e lëshova mbi atë surrat të shpërfytyruar, pa asnjë grimë pishmëndi. Neveria përzierë me marazin, i kishin kyçur gjithë dyert e arsyes, inati i verbër dhe fyerja e paprecedentë, e kishin bjerrë logjikën.

Kazma u plas dhe u zhyt e tëra! Mandej një zhurmë qelqi që thyhet, shpoi trurin. “Ja çava kafkën”! – ulërita i ngopur me krimin tim, pastaj hapa shuplakat dhe e lëshova bishti që gjer atë moment, e shtrëngoja ethshëm. – “Ngriheni, vendoseni diku, me trupin drejt”! – urdhëroi dikush. “Në arkë-mort, atje e ka vendi qelbësira! Madje, më mirë, zhyteni te kjo gropa që hapa unë! Mbulojani kërmën, të mos qelbë dynjanë”! – mendova se kisha folur, po vetëm kisha përsiatur.

Poshtë këmbëve, një kurm të gjakosur lëvrinte si të kthenin në krah, një berr të therur, për t’i fryrë lëkurën që ta rripnin më lehtë. Por berri ish gjallë! Përpëlitej dhe ende s’i kish dalë shpirti! Ulërimat vazhduan të mbushnin kubenë. Gjithsesi, kishte shpëtuar. Në momentin final, dikush më kish dhënë të shtymën, kazma kish devijuar dhe ish zhytur në një arkë dërrase, nga ku erdhi krisma e qelqit që thyhet. Padyshim, ndonjë pajisje hidrosanitare, ish martirizuar, në vend të pederastit. Viktima i shpëtoi paq eliminimet përfundimtar, po edhe unë i shpëtoja ri dënimit të sigurt. Se kush qe shpëtimtari i dyfishtë, edhe sot mbas dyzetetre vitesh, s’kam arritur ta mësoj. Por sidoqoftë, do ta kisha kryer atë krim, si një kanibal i vërtetë, pa brehej ndërgjegje.

Madje, e kreva! Ato çaste isha tërësisht i bindur, se ndërmerrja veprimin më të drejtë. Vetëdija nuk funksiononte. Më zunë përkrahësh e më drejtuan diku. Se kush dhe për ku, s’e mora vesh. Hidhja këmbët si somnambul, pas xhindeve që më kishin zaptuar. Di-kund, më plasën mbi një stol dhoge. Para, boshllëk pacak. Një lloj perde e ndehur ngjyrë gjaku, tendosur nuk e di nga ç’dorë e padukshme, m’a kuqëloi shikimin. Mbase, ish vërtetë gjak! Por ishte shumë, shumë! Një det i tërë, një glob, madje një qiell dhe një galaktikë e tërë e kuqe! Asnjëherë më parë, s’kisha parë kaq shumë gjak! Gjak gjithandej, që rridhte, e rridhte nga vrimat kozmike.

M’u ndërmend vetja i vogël, me sherret fëmijërore e të adoleshencës, që përfundonin zakonisht me nga një flakërimë surratit, apo e shumta me një pizgë gjaku nën hundë. Si nëpër mjegull, shikimin m’a përthithi një zjarr i kuq, i largët e i paarritshëm, një tip rrezeje që projektohej mbi një ekran gjigant. Ndjesia, se gjithë kjo po shtjellohej mbi një beze të një skene abstrakte, në një sallë teatri absurd dhe që s’kishte asnjë lidhje me mua, më mposhti. U shkreha pa frymë, i drobitur dhe krejt apatik. Sytë më përcëllonin nga flaka e largët, që mbërrinte nga ekrani eterik, ndërsa në veshë më shungullonin pareshtur klithma dhe ulërima, si të ishin sinjale te ardhura nga përtej-bota.

Më shkundën për supesh. M’u drodh gjithë shtati, si të më kish përshkuar tej e tej një rryme elektrike. Nën efektin elektroshok, hapa sytë. Kur ç’të shohë! Gjendesha mbi stol në kovaçhanën e Qazimit! Zjarri s’qe pjellë fantazie, po i njëmendët! Forxha e Qazimit flakëronte, ndërsa vet Qazimi e të tjerët, rrinin mendueshëm, si të mpirë. Ja, çibuku i Qazimit shkëndijonte e tymonte! Pra, ishin njerëz realë, me mish e me eshtra, jo aktorë moviolash. Se kush më zgjati një cigare të ndezur e, ma vuri në buzë. E thitha me eks, mushkrit m’u mbushën me tym. Tymi kundër tymit! “Xhi-hi-i-xhi”! Helmi kundër helmit! Rreth dy muaj më parë, e kisha lënë duhanin, por çastin kur e thitha, m’u bë si ta kisha shuar të fundit para pesë minutash. Ajo cigare e hequr me babëzi ato momente dramatike, më ktheu në realitet, po do mbetej një ves i tej zgjatur, që do më ndiqte pas edhe në ditën e sotme, kur hedh këto shënime.

Dikush hoqi peliçen dhe ma hodhi krahëve: “Në qeli bën shumë ftohtë, vishe se do të duhet! Me xhaketë doku, nuk shtyhet një muaj birucë”! – “Birucë”? – fola përçart. “Po, or ta marsha, e ç’pret tjetër? Apo, don dekorata”?! Ai që foli, hoqi opingat e zhvesh çorapet e leshta, m’u avit dhe si më zhvati prej këmbëve llastikat e mia dhe pecet e pista, m’u shkreh: – “Vishi, pra, ti kënke veç n’pece”! E lashë të vepronte, pa e kuptuar ç’po ndodhte. Isha i trullosur, akoma s’isha ndërgjegjësuar për ç’kisha bërë dhe, as për ç’më priste pas kësaj.

Një tjetër më zgjati një qese duhan, po cili? S’e fiksova. Dukej, isha krejt i paaftë, të dalloja fytyrat e bashkëvuajtësve. “Fute këtë zhaken në xhep, se do të duhet atje”! – foli dhe e rrasi qesuken në xhepin e xhaketës sime. Edhe një tjetër, bëri të njëjtë gjë. Pasi nxori nga kutia një grusht duhan, bashkë me një defter letra, e derdhi në një qeskë lëkure që ia zgjatën: – “Merre edhe kët, se s’i dihet, po të mbajtën një muaj, të del mënd e kresë pa duhan! – “Në birucë?! O Zot”! Veprimet e bashkëvuajtësve, më kujtuan se shpejt do përfundoja në qeli.

Ishte ndëshkimi i parë, s’e kisha provuar ndonjëherë. Mungesa e eksperiencës, ngërthyer me terrorin psikologjik për të panjohurën që më priste, më bëri esëll. Mendova për orët, ditët, muajin dhe pastaj, për ri dënimin… e zemra m’u drithërua. “O Zot i Madh! Ç’më gjeti, mua të mjerin”?! Kisha dëgjuar të thoshin: “Këtu të dënojnë kot së koti edhe dy, edhe tri herë! Këta mezi ç’presin, të shtojnë dënim mbi dënime”! Po për çfarë se?! Për kë duhej të m’i shtonin mundimet! Për një pederast të ndyrë? O Zot! Nga kjo turbullirë ku po zhytesha, më nxori një bubullimë:

– “Të lumshin durt, ej burr, ç’m’i bane hakun atij çeni! E ka dasht prej kohet, aj pederasti! Po, t’na kishe thirr na, bre, se ti je i ri”! – “Ç’të kem bërë, vallë”?! S’po kthjellohesha dot, as për atë që bëra, as për atë që më priste. – “Njitash, sikur kanë ardh! – shtoi dikush. – Kan me t’lidh, po mos u nep, mbaje vedin! Fundja e më së fundi, t’tanë i kena hjek kto halle”! -Ç’ka m’i ba, të zuni kusuri! S’je as i pari, as i mbrapmi”! – u hodh një tjetër. – “Veç dita e parë asht nji fije e hidhët, ma von ke me pas ene t’jerë! Qetsohu, he burr, jan tuj ardhë”!

Ndërkaq mbërrinin gumëzhima të zhurmëta, me tone të ngritur, që afroheshin përherë e më pranë. Rrëmbyeshëm, një turmë policësh hynë në kovaçhanë; njeri u shkëput e m’u qas: “I d’nuem, a tëj e ke ba kët gjamë”?! – “Or shtazë, ke dasht me vra njeri, tëj”?! – m’u trus një tjetër. – “Zëne, or Ndrec, t’i futim nji t’lidhme, me e m’sue si vritet robi”! Ndreca m’u afrua me një shuk teli në dorë. Tre të tjerët, më kapën për krahësh dhe më kthyen me fytyrë për muri.

– “Jak, hej, a s’po e lidhim njitu? Për ideal, kena ene darët e Qazimit për m’e shtërngue paq”! – ai që foli, u zgjat mbi sergjen. – “Ç’je tuj bo, or shoq?! Argalit e mia jan me punue, jo me lidh rob”! – u fut në mes Qazim Vula, që deri ato çaste për shkak të dëgjimit të rënduar/ s’kish kuptuar qartë ç’po ndodhte. – “Or Frrok, qite jashtë kriminelin”! – urdhëroi ai që duhej të ish mbi tjerët. Më kllaposën ligësht, krahë e kofshë, gati havadan më hoqën rëshqanth, aq sa edhe këmbët s’më prekën në tokë. Ashtu zvarrë, u drejtuan për nga dera e dy kampeve.

Ky demonstrim force më kthjelloi, u ndërgjegjësova për pasojën. Kur i pashë të merrnin drejt hyrjes, mendova se iu shpëtova torturave të lidhjes pas shtyllës: “Epo, gjysma e së keqes, do më fusin një dajak dhe pastaj në birucë”! ngushëllova veten. Por isha gabuar. Me t’iu afruar portës, ata stopuan e më shtrinë përmbys. Më përdrodhën duart mbas shpine e, fytyrën m’a ngjeshën mbi llucën shkrirë nga thumbat e këpucëve. Diçka e mprehtë më preu në kyçet duarve, dhimbja therëse, m’u ngjit deri në zemër.

– “Or Jak, shtrëngoja në zero, ta marr vesht nji ky picirruku, si vritet robi. Pesha e disa trupave e gozhdët e kundrave, sa s’po më nxirrnin shpirtir – “Ndrec a, ç’ka ba nji ky, bre”?! – njoha zërin e Mark “mustakuqit”, siç quanin ne të dënuarit, për shkak të mustaqeve të verdha, që i përdridh për merak. Mark “mustakuqin”, e mbanin për policin më të mirë, të paktën s’ishte dhunshëm me të dënuarit. – “Mark a, shihe nji kët spurdhjakun, ka dasht me vra Salën, bre”! – i ktheu Ndreca. – “Kë Sal, o? Ah-ahh, at b…q…, at’ shkërdhatën, pederastin? – shprehi habi Marku. – Për njikët e keni lidh, a”?!

– “Po, or shoq, a e din se asht mik i operativit, hej”?! – iu përgjigj tjetri. – “Po, qe besa, e dij mir boll! Por dij q’asht ene imoral, or shoq! Ç’m’ paska ba hakun, burra”! – “Pruhu, Mark, ik bre, na len t’bajm punën”! Me fytyrën mes baltës, dëgjova hapat e Mark “mustakuqit” të bënin tej, ndërsa të tjerët mbaruan lidhjen, më ngritën në këmbë e, më kthyen drej shtyllës elektrike, nën karakollit të rojës.

Më dhanë një shqelm në të pasmet, që u pasua nga një i dytë dhe nga një e shtyme e beftë, pas kurrizit. Këmbët m’u ngatërruan ke-qazi me njëra tjetrën. Duke u kalamendur, iu drejtova trungut të shtyllës si flurudhë dhe me siguri do kisha pësuar dëme serioze, sikur para përplasjes fatale të mos bëja përpjekje mbinjerëzore. Zhepova paksa në një krah. Koka shpëtoi, por e pësoi supi. Një dhimbje llahtarë, më sëmboi në zemër. Duket, klavikula kish marr krisje. U plasa pa ndjenja mbi një gëmushë trëndafilash të egër. Humba në eter.

Atëbotë, i pandërgjegjshëm për veprimet e mëtejshme që ndërmorën me trupin tim, s’kuptova se ç’u bë. Më pas, kur do vija në vete, i mora me mend. Ata, më kishin kryqëzuar atyllës, ashtu të kllaposur, më kishin braktisur në mëshirë të llohës. Më shumë do më rrëfenin bashkëvuajtësit, kur dola nga biruca. Ata e kishin ndjekur skenën nga lartësia e kodrës, ku çdo detaj, dukej si në pëllëmbë të dorës. Nuk di të them saktësisht, sa kohë duhet të kem nusëruar kështu. Por, ndjeva mbi fytyrë të më përplasej një gulsh i ftohtë uji, nakatosur me gjilpërëza që m’u ngulën në mish. Nofullat dridheshin e dhëmbët trokëllinin pareshtur.

Llohja e shiu më rrihte me pareshtur. Rrymat e forta të luginës së Fanit, rrëmbenin dhe vërtisnin në furinë e tyre çmendurake valët e ujit mbi kurmin tim. I ftohti i kthente pikëzat në thumba akulli, që jepnin mes fishkëllimave të thekëve të një kamxhiku. Pozicioni kllaposur pas shtyllës, e dyfishoi torturën, s’arrija të lëvizja krahët, as këmbët, asnjë pjesë të trupit. Nga dhimbjet therëse, arrita të gjej se më kishin lidhur trefish; te supet poshtë qafës, te duart në bel, poshtë gjunjëve, te kërcinjtë. Dridhërima më kaploi çdo qelizë, ndjeja të ftohtin kur zhytej e mbërrinte palcë.

Peliçja që më veshën shokët pak para se të më rrëmbenin policët, u bë mburoja e parë për ujin, që s’arriti të depërtonte deri në mish. Kishte kaluar mbi gjysma e ditës së punës. Këtë e kuptova kur pashë rojet vertikale të togës së ushtarëve, që zëvendësonin njeri tjetrin nëpër oklle. Në burgje, s’lejonin sahat për të matur kohën. Sikur donin të na thonin; “Për ju, ka ndaluar ora! Koha juaj matet me vite e dhjetëvjeçarë!” Nocioni “orë dhe kohë”, ish bërë shpesh objekt talljesh, mes të dënuarve dhe policëve.

Në një rast në Spaç, miku im Esat Kalaj, duke iu referuar orës si objekt dhe kohës si nocion, u tall hidhët me policin më të ashpër, po edhe më injorantin në burgjet politike, Preng Rrapin. – “Iku ora, or tëj”! – ish ankuar polic Ndreca. – “Sa ka shkue, or Ndrec”! – e kish pyetur tjetri. – “Tash ka kapërcye dymbëdhjetë e kacafiu”! – ia kthen i pari. – “Qe besa, paska shkue vonë”! – shfreu ai që kish pyetur. “Të d’nuem, lueni, se na xuni darka”! – urdhëroi zëlartë Preng Rrapi, me kapadaillëkun prej budallai.

– “S’na duhet vakti, neve, po jeta”! – ja kish kthyer Esat Kala. – “Or tëj, orën e kena na, ju veç prangat keni”! – e kërcënoi Prenga dhe me gishtin tregues, i binte xhamit të një sahati rroskop, lidhur pas kyçit të dorës, me një rrip letre. – “M’a gëzofsh, juve u ka mbetur ora, por ne kemi kohën në dispozicion”! – ja pat kthyer Esati, duke aluduar për të ardhmen që shpresonte se na përkiste ne dhe ideve tona. – “Hekrat, bre, n’birucë, or tëj! Don m’u tall surrati i jot”! – iu kërcënua kapter Prenga dhe Esati përfundoi, një muaj në izolim.

Në mungesë të orës, të dënuarit kishin shpikur ca metoda origjinale, që në kushte lirie, s’mund të imagjinohen sepse s’i hyjnë në punë askujt. Gjatë muajve të verës, kur dita ishte me diell, ora e të burgosurve, ishte fare e thjeshtë; një kunj i ngulur mes një rrethi të ngjashëm me fushën e sahatit, gjithë vijën e harkuar e ndanin në dymbëdhjetë pjesë të barabarta, që t’i korrespondonin secila një numri. Aq mjeshtëri kishin fituar ata në këtë zeje, saqë në çdo moment të ditës me diell, duke ndjekur lëvizjen e hijes së kunjit, të jepnin me saktësi orën, madje edhe minutën, po t’ua kërkoje. Ora diellore e burgut, mund të krahasohej, për saktësinë e saj, me etalonin e Londrës.

Kam qenë prezent në një rast, kur kujunxhiu nga Durrësi Fran Shiroka, fitoi bastin me disa inxhinierë të lirë. Mbasi u kontrolluan dhjetë orë “Superatllantik” e “Pobieda”, secila prej tyre, ish disa sekonda para apo prapa, kurse kunji i Franit, ishte fiks, i pagabueshëm asnjë sekondë. Shpërblimi prej dy paketash cigare “Partizani”, ishte vërtetë simbolik, por i merituar. Të dënuarit në burgje, kishin edhe aleatë të tjerë, që në rrjedhën e viteve, ishin bërë edhe sahat, edhe miq të pandarë.

Këta sipas rastit, mund të ishin kafshë, shpendë, po edhe zvarranikë: si kali çalaman i Bedenit të Kavajës, lejleku i plagosur i kanaleve kulluese të Thumanës, dallëndyshja e Burrelit, pulëbardha e Skrofotinës, po më tipiku, ai që do 3 në historinë e burgologjisë shqiptare, si qeni i parë antikomunist, “Tartarini”, këlyshi i Spaçit, që në revoltën e 21 majit 1973, përfundoi i dënuar me vdekje, me pushkatim.

Por sipas vendit, aleati mund të edhe një hardhucë, një bretkosë apo një mi, etj. Këta aleatë ishin afruar aq shumë me miqtë e tyre të dënuar, si rrjedhojë e trajtimit me dashuri dhe përkushtim të këtyre të fundit, saqë çdo ditë në orarin i prisnin që t’i shoqëronin, nga kampi në punë, dhe anasjelltas.

Ndoshta kur të vij radha, mund t’i përmendim, si ato të ditëve me re dhe në dimër kur moti kish llohë, të dënuarit orientoheshim nëpërmjet veprimeve të togave ushtarake. Ndiqnim me vëmendje rojet, kur zëvendësoheshin nëpër karakolle. Kur ishte ftohtë ushtarët i ndërronin çdo katër orë, ndërsa kur bënte shumë-shumë ngricë, çdo dy orë. Memorie.alNga Shkëlqim Abazi  

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →