“Do mbroj unionin nga forcat që synojnë ta ndajnë”, BE: Von der Leyen kërkon një mandat të dytë ndërsa rritet ndikimi i ekstremit të djathtë

do mbroj unionin nga forcat qe synojne ta ndajne be von der leyen kerkon nje mandat te dyte ndersa rritet ndikimi i ekstremit te djathte
do mbroj unionin nga forcat qe synojne ta ndajne be von der leyen kerkon nje mandat te dyte ndersa rritet ndikimi i ekstremit te djathte

Ursula von der Leyen njoftoi të hënën se do të kërkojë një mandat të dytë si shefe e Komisionit Evropian, duke u zotuar të mbrojë bllokun nga forcat që synojnë ta ndajnë atë.

Kandidatura e ish-ministres 65-vjeçare gjermane vjen në një kohë kur blloku po përballet me rritjen e ndikimit të të djathtës së vijës së ashpër, luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe mundësinë e kthimit të ish-presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, diçka që po shkakton shqetësim tek aleatët.

“Ne duhet të mbrohemi kundër ndasive nga brenda dhe nga jashtë. Jam e sigurt se kemi forcën për ta bërë këtë, dhe kjo është detyra që i kam vënë vetes”, tha zonja von der Leyen në Berlin, teksa konfirmoi kandidaturën e saj në një takim të partisë së saj Unioni Kristian-Demokrat (CDU).

Zonja von der Leyen ka udhëhequr organin ekzekutiv të bllokut që nga viti 2019 ndërsa BE-ja ka kaluar një periudhë të jashtëzakonshme pengesash – nga Brexiti tek pandemia e koronavirusit e deri te agresioni i Rusisë ndaj fqinjit të saj pro-BE-së, Ukrainës.

Hendrik Wuest, një figurë kyçe në CDU në Gjermani, tha se pesë vite të tjera për të do të ishin një vazhdimësi shumë e nevojshme në një kohë pasigurish.

“Një mandat i dytë do të ishte një shenjë stabiliteti, kjo është edhe më e nevojshme në një kohë kur vlerat tona evropiane po sulmohen nga të gjitha anët”, i tha ai medias Politico.

Pas emërimit që mori të hënën nga CDU, aleanca më e gjerë e konservatorëve anembanë bllokut — grupi i Partisë Popullore Evropiane (PEPP) të cilit i përket CDU-ja, pritet ta emërojë atë si kandidaten e tij kryesore për postin kur të takohet në Bukuresht më 6 dhe 7 mars, thotë udhëheqësi i PEPP-ut, Manfred Weber.

Zonja Von der Leyen, e cila ishte aleate e afërt me ish-kancelaren gjermane Angela Merkel, ka shërbyer si ministre në të katër kabinetet e saj dhe është gruaja e parë që drejton Komisionin Evropian.

Një mandat i dytë i saj ka të ngjarë ta gjejë Komisionin me një peizazh politik të ndryshuar.

Sondazhet e votuesve sugjerojnë se partitë e ekstremit të djathtë dhe anti-imigracionit në të gjithë Evropën do të marrin më shumë vende në zgjedhjet e Parlamentit Evropian më 6-9 qershor, duke e shtyrë legjislaturën më djathtas.

Kjo mund të ngadalësojë përparimin drejt tranzicionit të gjelbër të Bashkimit Evropian që zonja von der Leyen e kishte bërë gur themeli të mandatit të saj të parë. Mund të rritet gjithashtu grupi i ligjvënësve evropianë që mbështesin zotin Trump, nëse ai rifiton Shtëpinë e Bardhë.

– E vendosur në mbështetjen e Ukrainës –

Ligjvënësi i BE-së Daniel Caspary nga CDU tha se ai parashikon që prioritetet e saj të zhvendosen, me më shumë lëshime për fermerët evropianë, megjithëse mbështetja e saj për Ukrainën dhe për sanksionet kundër Rusisë ka të ngjarë të vazhdojë.

Duke nënvizuar rëndësinë thelbësore të qëndrimit të vendosur pas Kievit, zonja von der Leyen tha në Konferencën e Sigurisë në Mynih gjatë fundjavës se ishte shumë më shumë se vetëm një çështje Rusi-Ukrainë.

“Pyetja që shtrohet është a do të triumfojnë demokracitë në shkallë globale dhe a jemi ne në gjendje të mbrojmë dhe ruajmë vlerat tona. Përgjigjia duhet të jetë po”, theksoi ajo.

Duke aluduar për një kthim të mundshëm të zotit Trump, i cili ka tronditur aleatët e NATO-s duke kërcënuar se nuk do të mbrojë ata që nuk arrijnë të përmbushin angazhimet e tyre për shpenzimet e mbrojtjes, zonja von der Leyen theksoi gjithashtu rëndësinë e një “Evrope të fortë”.

“Blloku duhet të rrisë burimet e tij të mbrojtjes duke rritur shpenzimet për prodhimet ushtarake të mbrojtjes dhe duke siguruar që prodhimi të bëhet në Evropë në mënyrë që miliarda në fondet e taksapaguesve të kanalizohen te kompanitë që po krijojnë vende pune në kontinent”, tha ajo.

Zonja Von der Leyen gjithashtu parashtroi planet për të “caktuar një komisioner për mbrojtjen” nëse ajo fiton një mandat të ri.

“Nga vjen ai ose ajo — është një çështje e hapur, por sigurisht mendoj se është shumë e rëndësishme që vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore të marrin një portofol me peshë dhe ky është një portofol me peshë”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →