Merkato e hapur për të gjithë lojtarët që janë pjesë e Skënderbeut me një kontratë të rregullt kjo është strategjia që po ndjek ekipi korçar për të vlerësuar më pas gjithçka në varësi të ofertave.
Në kushte të tilla duket se sinjalet dhe kambanat po bëhen shumë të shtuara edhe për lojtarë që fillimisht konsideroheshin se ishin të pashitshëm të paktën për këtë sezon. I tillë është rasti i nigerianit Mario Rabiu, i cili ka bërë një sezon fantastik me Skënderbeun dhe është rritur mjaft në aspektin personal. Burime të sigurta pranë klubit bënë me dije se ditët e fundit në drejtim të lojtarit kanë shfaqur interes ekipe nga Seria B e Italisë për ta rikthyer sërish mesfushorin nigerian në këtë kategori.
Edhe pse nuk bëhet e ditur për momentin se cilat janë ekipet që kanë shfaqur interes për Rabiun mësohet se për momentin ka pasur vetëm interesim për sa i përket të dhënave të lojtarit dhe performancat sezonale kryesisht në aspektin fizik. Ky interesim ka vënë në lëvizje klubin bardhekuq që po punon me përqendrim maksimal për të pritur ndoshta ofertën zyrtare. E nëse diçka e tillë do të jete e konsiderueshme në bazë të pritshmërive që ka klubi bardhekuq mund të kemi një transferim surprizë të një prej lojtarëve kyç të Skënderbeut në sezonin që u mbyll.
Nga ana e tij Rabiu duket se pret me qetësi të mësojë të ardhmen teksa nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për t’u rikthyer në Itali.
LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL
Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co