I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak sot do të jetë në Prishtinë.
Lajçak në Prishtinë pritet të takohet me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë, pas vizitës që kishte në Beograd. Pas takimeve atje ai ka thënë se janë përfshirë në “një diskutim të thellë” dhe kanë trajtuar “një gamë të gjerë çështjesh pragmatike që lidhen me dialogun.”
Lajçak në rrjetin social “X”, tha se janë adresuar disa çështje specifike që janë aktualisht në agjendën e dialogut. I dërguari i BE-së për dialogun paralajmëroi po ashtu një takim midis dy kryenegociatorëve, Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar PetkoviL nga Serbia, i cili sipas tij mund të ndodhë së shpejti në Bruksel, për të vazhduar me negociatat.
Ndryshe, periudhën e fundit pati reagime për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që thekson se valuta e vetme e vlefshme në Kosovë është euro, duke përjashtuar kështu dinarin serb.
Brukseli kërkoi nga autoritetet në Kosovë të hënën që të shtyjnë zbatimin e vendimit për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin e Kosovës, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Nga Qeveria e Kosovës kanë argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por QUINT-i ka thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”./Telegrafi
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co