Bota Shqiperia Sport

“Jemi më mirë se në EURO 2016, kemi ardhur të kalojmë grupin”, Duka bën parashikimin: Shqipëria e para, Italia e dyta

jemi me mire se ne euro 2016 kemi ardhur te kalojme grupin duka ben parashikimin shqiperia e para italia e dyta

































Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është i bindur se Shqipëria ka potencialin që duhet për të kaluar fazën në grupe të Euro 2024. Edhe pse ai ka pranuar se përballë janë tre skuadra shumë të forta në Grupin B, në intervistën e tij për “Sport News” në “News 24”, numri 1 i futbollit në vendin tonë ka shprehur besimin se kuqezinjtë mund t’ia dalin.

duka

Ai ka argumentuar këtë me eksperiencën e akumuluar gjatë këtyre 8 viteve që nga pjesëmarrja e parë, por edhe nga cilësitë e futbollistëve që ka, teksa nuk ka ngurruar që në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, të parashikojë vendin e parë në grup për kuqezinjtë.

President, si është atmosfera, si po shkojnë këto ditë të para grumbullimi? Shohim kudo fëmijë të lumtur, flamuj kuqezi…
Këtu në bazën e ekipit kombëtar çdo gjë është e organizuar shumë mirë, pritja nga autoritetet lokale ka qenë fantastike, nga komuniteti shqiptar, nga fëmijët e tyre, gjithçka ka qenë fantastike. Dje kishim edhe një stërvitje të hapur ku morën pjesë shumë nga mbështetësit tanë, por tashmë duke ardhur dita e ndeshjes rritet presioni, emocionet, më shumë emocione, më pak buzëqeshje.

Si po e përjetojnë djemtë, trajneri Silvinjo. Më bëri përshtypje, tifozë që qëndronin në shi duke ndjekur seancat stërvitore…
Dje në stërvitjen e hapur kishte kohë me shi, këtu është pak më ftohtë, ndryshim i madh me Shqipërinë. Ekipi po përgatitet shumë seriozisht, çdo gjë ka shkuar shumë mirë, në të gjitha këndvështrimet, gjendja duket e mirë. Tani jemi në ditët e fundit, jemi në pritje të ndeshjes së parë, rritet përgjegjësia, emocioni. Pritshmëritë janë të mëdha, por unë i thashë edhe dje djemve në fushë. Ne nuk kemi pse të mbajmë përgjegjësinë, le ta mbajnë këto tre të tjerët, tre kundërshtarët tanë vijnë në këtë kompeticion mbase për të fituar, përgjegjësia e tyre është shumë e madhe, ndërsa ne e kemi fituar Europianin tonë në një lloj mënyrë, kështu që duhet të luajmë lirshëm, të mos kemi emocione të jashtëzakonshme. Nëse do të bëjmë mirë, do të bëjmë, nëse do të largojmë atë mbingarkesën emocionale. Padyshim që një ndeshje ndaj Italisë ka përgjegjësinë, por duhet ta kemi deri aty sa të mos dëmtojë gjendjen sportive të skuadrës.

Ju shohim dhe ju personalisht shumë të përfshirë, por ketë herë nuk e hiqni kostumin. Tetë vite më parë keni qenë më sportiv, çfarë të ka bërë më shumë përshtypje këtë herë, çfarë do veçonit?
Ne si Shqipëri, si ekipi kombëtar, si Federatë, jemi për herë të dytë, kemi një eksperiencë më shumë. Nëse e shohim nga pikëpamja organizative, në raport me tetë vite më parë, nëse do të shohim kushtet tani, janë një ndryshim i jashtëzakonshëm, është progresi i tetë viteve, është eksperienca e tetë viteve. Realisht në këtë kompeticion jemi në kushte shumë të mira, por dhe vetë klima, pasi një pjesë e çunave e kanë për herë të dytë, të gjitha këto na bëjnë të jemi ndryshe, të jemi një hap përpara. Tani nga pikëpamja sportive, sporti i ka të gjitha të papriturat, grupi jonë siç thatë dhe ju është i vështirë, nuk e di nëse do të bëjmë më mirë apo në keq, në rezultat, në raport me 2016. Jam i sigurt që në lojë do të bëjmë më mirë, rezultat nuk e di.

Dy teste miqësore, 6 gola të shënuar, një i pësuar. Çfarë të pëlqeu dhe çfarë jo?
Ajo që më ka pëlqyer gjithnjë në skuadër, edhe gjatë këtyre ditëve grumbullimi që shihet në fushë, është fryma e skuadrës, atmosfera pozitive, kjo shihet edhe në fushë. Slogani i Kombëtares: “Jemi një”, është demonstruar edhe në ndeshjet miqësore, jam i sigurt që kjo do të shpaloset edhe në fushë. Që skuadra është një, stafi është një, jemi të gjithë bashkë. Ne e kemi theksuar, ne nuk është se kemi yje në skuadër, por kemi një skuadër kompakte me një atmosferë pozitive, me këto ne shpresojmë që të bëjmë rezultat.

Ka diçka që i druhesh president? Ka diçka për të cilën ke frikë? Po Silvinjon çfarë e shqetëson, besoj keni kohë për të diskutuar edhe detaje…
Frikë, pikërisht kjo është, që nuk duhet të kemi frikë, por respekt po. Kemi tre kundërshtarë shumë të mirë, kujdesi dhe respekti i shtuar për kualitet që kanë, janë të tre skuadra shumë të mira. Italia, rivali jonë i parë, ka kualitete shumë të mira. Ka shumë që mendojnë që nuk është Italia më e mirë, e yjeve të kaluara. Por ne e pamë në miqësoren e fundit, atë kundër Bosnjës që ishte e vendosur shumë mirë, me kualitete, një ekip që mund të dëmtojë në çdo moment. Pra jo frikë, por kujdes për kualitetin e rivalëve. Dua ta përsëris, të mos kemi mbingarkesë emocionale, të mos i dhurojmë asgjë, pastaj në fund diferencën le ta bëjë kualiteti, apo fati.

Flitet pafund për Shqipërinë në rrjet, madje italianët shkruajnë më shumë respekt. Mendojnë që mund të jemi një “Hirushe” e këtij Europiani, po ju besoni realisht?
Unë jam realist dhe mendoj se të tre ekipet janë përfaqësuese shumë të mira, janë pretendentë për të fituar, nuk do të ishte çudi që një prej tyre të fitonte Europianin. Në letër, me statistika, me histori, ne jemi më keq, por në kompeticionin e fundit ne kemi bërë shumë mirë, kemi fituar grupin përpara Polonisë, Çekisë. Pra edhe në kemi bërë progres të jashtëzakonshëm. Nëse marrim historinë, të tre ekipet janë shumë më të mira se ne. Nëse marrim kompeticionin e fundit, skuadra jonë ka bërë mirë, mund ta përballojë dhe mund ta kalojë këtë grup.

Për Italianët, për mediat sigurisht, e konsiderojnë Shqipërinë provën e zjarrit, ndeshja që duhet fituar. Edhe në Shqipëri është krijuar ky perceptim, që Italinë e shohin si rivalin më të mundshëm që mund t’i marrim pikë. Ju si mendoni?
Ne nuk duhet ta shohim si provën e zjarrit. Italia, po, për pretendimet që kanë, ata janë të dënuar jo vetëm për të kaluar grupin, por për ta fituar, pavarësisht se Italia nuk ka marrë pjesë në dy Botëroret e fundit. Ata duhet ta shohin si ndeshje zjarr, kanë të drejtë ta shohin kështu, pasi në rast të një rezultati negativ me Shqipërinë do ta kenë shumë të vështirë të kalojnë grupin sepse janë edhe dy kundërshtarë të tjerë shumë të fortë. Në llogaritë e tyre, jam i bindur se ata llogarisin tre pikë me Shqipërinë, ndërsa ne nuk kemi pse ta shohim si një ndeshje zjarri, duhet ta shohim si një ndeshje radhe me respekt maksimal për kampionët e Europës, por me objektiv për t’i sfiduar.

Çfarë pret nga sfida e 15 qershorit, a do të krijohet “muri” kuqezi? Keni një info sa tifozë shqiptarë mund të jenë në stadium në atë ndeshje?
Unë jam shumë i sigurt që stadiumi do të jetë më shumë me tifozë shqiptar, jam shumë i sigurt që do ta mbështesin skuadrën, do të jenë një vlerë e shtuar. Ai muri i verdhë do të jetë mur i kuq. Uroj që të gjithë ata që do të jenë në stadium ta shijojnë, uroj që skuadra t’i kënaqë më shumë me rezultat se sa me lojë.

President, sporti, mbi të gjitha Kombëtarja, bashkon shqiptarët kudo në botë. Përveç ish futbollistëve, a do këtë të ftuar të tjerë VIP, kryeministri Rama, apo Albin Kurti… Ramën e kishit pranë edhe në finalen e Champions League?
Ne kemi ftuar të jenë pjesë e ndeshjes hapëse me Italinë të gjithë ish lojtarët e kombëtares, ish trajnerët, anëtarët e FSHF-së. Padyshim që në stadium do të jetë edhe kryeministri Rama, një pjesë e kabinetit, Ministria e Arsimit, Manastirliu, Taulant Balla, Ministri i Brendshëm, e shumë të tjerë. Kryeministri i Kosovës dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës do të jenë në ndeshjen e dytë me Kroacinë, edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë do të jetë në ndeshjen e dytë. Do të ketë shumë mbështetje, por mbështetja më e madhe do të jetë e murit kuqezi.

Tani, pasaportat diplomatike i morëm përpara Europianit, edhe Silvinjon e bëmë shqiptar. Prisni ndonjë dhuratë tjetër nga Qeveria, kam përshtypjen se politika është në borxh me sportin…
Silvinjo është një nga figurat, ai është histori për futbollin shqiptar, për atë që ka kontribuar. Ai po vazhdon të bëjë mirë, unë pres nga qeveria Ligjin e Sponsorizimit dhe pasaportat diplomatike. Klubet kanë nevojë për më shumë financa. Kemi edhe premtimin e Ligjit të Basteve, që një pjesë e tyre duhet të kalojë për futbollin dhe sportin në përgjithësi. U tha që do kenë mundësi klubet për reklama, por që në fillim u përjashtuan.

President kemi realisht një objektiv të qartë në këtë grup?
Në çdo ndeshje do futemi për të fituar, këtë e kam gjithë kohën. Në çdo ndeshje do hyjmë për të fituar. Ne të gjitha ndeshjet, unë ju them se nuk kemi ardhur vetëm për turizëm. Unë e di realitetin. Objektivi jonë është që të kalojmë grupin e pastaj të shikojmë sesi do shkojnë gjërat. Unë jam me këmbë në tokë, por natyrisht që kemi një objektiv.

Ndryshe nga Italia, Kroacia dhe Spanja duken në top formë. Kujt i druheni më shumë, apo cili është ai skenar që i druheni më shumë?
Ndeshja nuk i ngjan ndeshjes. Miqësorja, ndryshon nga eliminatorja, apo edhe nga ndeshjet e grupeve. Tani jemi në turne dhe do të shikojmë sesi do shkojnë gjërat. Të 23 kundërshtarët janë skuadra me nivel, sepse kanë kaluar pengesa për të ardhur këtu. Nuk mund të them kush është më i fortë edhe më i dobët. Askush nuk ka arritur rastësisht këtu.

President, Spanja nuk priti Europianin për të bërë publike rinovimin e kontratës me De La Fuente. Po në çfarë presim, besoj keni diskutuar edhe për këtë, a keni gjetur një akord final?
Ne jemi të fokusuar te Europiani. Nuk e kam dëgjuar këtë lajmin për De La Fuenten. E kemi shprehur me kohë dëshirën tonë në lidhje me Silvinjon. Pastaj, duhet të jetë edhe ai vetë që të na tregojë dëshirën e tij. Marrëveshja është dypalëshe, jo njëpalëshe.

President, nëse kalojmë grupin, keni menduar për një premio, besoj e keni menduar edhe këtë?
Jemi një nga federatat që kemi dhënë më shumë bonuse së të tjerët. Të njëjtën gjë do bëjmë edhe në Europian, nëse do kemi rezultate pozitive. Ajo që i motivon lojtarët është fanella dhe flamuri.

Në rrjetet bëhet shumë parashikime, algoritme. Ju si një financiar, i njihni mirë shifrat. Me jep një parashikim, një konfigurim të grupit…
Shqipëria e para, Italia e dyta, Spanja e treta.

E fundit, të vjen keq që Cikalleshi nuk është atje me ju? Të vjen keq për Uzunin, që aq shumë e priste këtë Europian…
Më vjen keq për çdo lojtar që ka kontribuar dhe që nuk i është dhënë mundësia që të jetë me ne. Ky është futbolli, nuk t’i realizon gjithmonë pritshmëritë. Këtë situatë kam përjetuar edhe në vitin 2016. Ka mërzi kur nuk grumbullohesh, ka mërzi edhe kur je në pankinë, ka mërzi nuk merr asnjë minutë. Të jesh pjesë e një Kampionati Europian është një objektiv madhor. Më vjen keq për ata që nuk janë, Uzuni, Cikalleshi, Bare, e pse jo edhe Veseli. Kryesorja është të jemi të fokusuar, duhet ta inkurajojmë grupin. Unë, sido që të shkojë, jam krenar për këtë skuadër.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts