Emisioni ‘Në shënjestër’, trajtoi këtë të mërkurë, atentatin e ndodhur më 8 qershor 2022, pranë fshatit Nikël në Fushë-Krujë, ndaj Marklen Hakës, i cili kishte rënë edhe më parë pre e sulmeve të ngjashme me armë, ku kishte mbetur i plagosur rëndë.
Gjatë emisionit u fol edhe për rolin e dy mikeshave që e nxorën në kafe, para se ai të ishte pre e atentatit.
Dokumentari, pjesa e dytë:
Që nga atentati i fundit ndaj tij në qershor të vitit 2022, thuhet se Marklen Haka nuk është bërë më fare i gjallë jashtë mureve të fortifikatës së tij, në fshatin Nikël të Fushë-Krujës, njohur si VIP-i i krimit. Ai mendohet se kalon një jetë gati prej eremiti, të vetmuar brenda vilës së tij, ku gojët rreth e rrotull thonë se jeton bashkë me babain e tij të moshuar, në një historik të vrazhdë dhe gjakësor ku familja e madhe Haka është përfshirë.
Historia e hakmarrjes nuk duket të ketë lënë pa prekur as Marklen Hakan. Emri i tij fillimisht nis të lakohet për herë të parë në vitin 2011, kur ai akuzohet për vrasjen në qendër të kryeqytetit, në zonën e ish-Bllokut, të biznesmenit, Nadien Zeneli.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 13 qershorit të këtij viti në një nga baret më të frekuentuara të zonës, ku mbetën të plagosur rëndë shtetasit Taf Mandri dhe Bledar Miha. Marklen Haka u akuzua për këtë ngjarje, por nuk u dënua kurrë, edhe pse për të u ngritën dy akuza të rënda, të cilat më pas u rrëzuan. Në atë kohë, sipas prokurorisë, ai kreu krimin si një formë hakmarrje ndaj biznesmenit 32 vjeçar nga Bulqiza, për vrasjen e vëllait të tij, Roland Haka.
Sipas prokurorisë familja Haka dyshonte se vrasës i djalit të tyre në vitin 2004, ishte Nadien Zeneli.
Prokuroria e Tiranës/ 2011: Vrasja e shtetasit Nadien Zeneli dyshohet të jetë bërë për motive gjakmarrje, pasi viktima dyshohej nga familja e shtetasit Marklen Haka si autor i vrasjes së shtetasit Roland Lutfi Haka, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2004 në Krujë.
Por, ashtu siç u bë e ditur, Marklen Haka ia doli të rrëzojë pretendimet e Prokurorisë së Tiranës dhe tia dalë të mos vuajë asnjë ditë dënim për këtë ngjarje. Një nga vajzat dëshmitare e pranishme në atë moment në skenën e krimit identifikoi atë si vrasësin që qëlloi mbi biznesmenin dhe dy personat e tjerë që mbetën të plagosur. Ngjarja mbeti edhe më tej pa autor.
Kronikë/2011: Roland Haka, vëllai i Marklen Hakës, u vra mbrëmjen e datës 10 qershor 2004 teksa po darkonte me disa miq të tij në një lokal në Fushë-Krujë. Pasi dikush e telefonoi, ai u ngrit nga tavolina për të dalë më pas në pjesën e parkingut të lokalit. Në këtë moment, persona të paidentifikuar e qëlluan me breshëri automatike duke e lënë të vdekur në vend. Familja e Roland Hakës pati dyshime se ishte biznesmeni i kromit Nadien Zeneli ai që i kishte telefonuar Roland Hakës për ta nxjerrë në pritë. Zeneli kishte njohje të mëparshme me Roland Hakën për shkak se ai ishte i martuar me një vajzë nga fisi Haka.
Në vitin 2004 Marklen Haka, ishte vetëm 13 vjeç.
Por kjo ngjarje ishte vetëm fillimi i një sërë episodesh dramatike dhe tragjike që do të përndiqnin Marklen Hakën në jetën e tij. Ngjarje të tilla do të shoqëroheshin në vazhdim me humbje të tjera të rënda brenda familjes së tij, por edhe me prita të armatosura ku këtë herë shënjestër do të ishte ai vetë. Atentati i parë ndodhi në derën e banesës së tij në fshatin Zezë të Fushë-Krujës, natën e 21 shtatorit 2019, ku një togë qitësish qëlluan pa mëshirë ndaj pjesëtarëve të familjes Haka.
Në këtë ngjarje, Marklen Haka mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua në Spitalin e Traumës në kryeqytet. Ndërsa atje, ai u prit me dy makina luksoze, njëri prej tyre identifikohet si Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, një personazh i fortë në Nikël. Por, ajo që bëri edhe më të rëndë atentatin ndaj Marklen Hakës ishte humbja e jetës së hallës së tij, Shpresa Basha. Ajo u qëllua në derën e banesës dhe humbi jetën si pasojë e plumbave në Spitalin e Traumës, vetëm pak minuta pasi kishte mbërritur aty.
Raporti policor: Më datë 21 shtator 2019, është njoftuar salla operative se në fshatin Zezë, Nikël, janë plagosur Marklen Haka dhe halla e tij Shpresa Basha, e cila më vonë nga plagët e marra ka gjetur vdekjen në spital. Banesa e Marklen Hakës është një banesë dykatëshe, e rrethuar me mure dhe me portë metalike dy kanatëshe, ndërsa ajo njëkanatëshe ndodhet në drejtim të krahut jugor. Në sheshin përpara portës, që të nxjerr në rrugën e asfaltuar që lidh fshatin Nikël me lagjen Zezë, gjithashtu dhe një shesh që ndodhet në anën perëndimore të asfaltit janë gjetur gjithsej 85 gëzhoja model 56 kalibri 7.62 mm.
Ishte e qartë edhe nga furia e plumbave të derdhur, ashpërsia me të cilën autorët kundërvepruan ndaj Marklen Hakës. Atë mbrëmje, sipas dosjes hetimore, Marklen Haka mbërriti në banesën e tij rreth orës 21:00. Por kur dukej se gjithçka po shkonte normalisht, kushëriri i tij e njoftoi për disa lëvizje të dyshimta rreth banesave të tyre, lëvizje të cilat ishin konstatuar edhe një natë para krimit.
Siç rezulton nga hetimi, mënjëherë pasi dëgjuan zhurmat që vinin nga lumi, kushëriri dhe nipi i Marklen Hakës dolën me elektrikë në duar për të kontrolluar perimetrin e zonës përreth. Në këtë moment, Markleni dhe halla e tij, Shpresa Basha, doli jashtë. Por, 3 persona të armatosur filluan të hapin zjarr drejt tyre.
Marklen Haka: Më datë 21 shtator 2019, kam shkuar rreth orës 21.00 në shtëpi, ku kishin ardhur për vizitë motra ime dhe halla Shpresa Basha. Kemi qëndruar të gjithë së bashku për darkë, aty ishte dhe djali i xhaxhait tim Egustian Haka. Gusti doli për të parë ndeshjen Inter-Milan. Ai është kthyer rreth orës 23.00, dhe ka parkuar automjetin para shtëpisë time.
Erdhi tek unë dhe më tha se tek skarpati e lumit, kishte dëgjuar zhurmë. Më ka thënë hajde të dalim të shikojmë njëherë. I kam thënë Gustit dhe nipit Ervis Basha të marrin nga një elektrik dhe të kontrollonim skarpatin e lumit. Të dy kemi dalë nga banesa duke kontrolluar, ndërsa unë me hallën Shpresën kemi dalë tek porta kryesore. I kam thënë Shpresës të kthehet në shtëpi, por ajo nuk më dëgjoi. Pasi kam bërë 4-5 hapa nga porta kryesore, kam dëgjuar breshëri automatiku, teksa po qëllohej drejt meje. Kam ndjerë që u plagosa te krahu i djathtë.
Ndërsa mendohet se plumbat dhe atentatet ndaj Marklen Hakës do të ndaleshin këtu, vetëm disa vite më pas, ai pësoi një herë të dytë ekspozimin ndaj një prite të armatosur. Kjo ndodhi tri vite më vonë, në muajin qershor të vitit 2023, në hyrje të fshatit Nikël, vetëm pak çaste pasi kishte dalë nga strofka e tij. Përpara këtij episodi të radhës të dhunshëm, Marklen Haka ishte arrestuar bashkë me pjesëtarë të tjerë të familjes, gjatë një kontrolli të befasishëm të policisë. Gjatë kontrollit, u zbulua se ai mbante një armë zjarri pa leje dhe u arrestua ndërsa tentoi të fshihej pas një divani.
Dosja Hetimore: Nga aktet e përfshira në fashikullin e gjykimit të kësaj çështje, ka rezultuar se më datë 6 Janar 2022, rreth orës 19.00 në fshatin Nikël, Bashkia Krujë, më konkretisht tek Kalçeto e shtetasit Ylli Çangu, nga ana e shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, është bërë kontroll dhe janë kapur në flagrancë disa shtetas.
Midis shtetasve të ndaluar është edhe Marklen Lutfi (Aliu) Haka.
Nga aktet, rezulton se ky shtetas pasi është kapur në flagrancë, sapo ka parë shërbimet e policisë është larguar me vrap dhe është kapur në katin e dytë të objektit, brenda një dhome të lokalit të fshehur mbas një divani.
Nga kontrolli i ushtruar, pranë tij është gjetur një kuti me ngjyrë të verdhë me mbishkrimin OZKURSAN 922 Cal. 9 mm P.A.K, brenda së cilës ndodheshin 44 fishekë me ngjyrë gri, si dhe një telefon i markës ‘Iphone me këllëf ngjyrë kafe’, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës material dhe u kryen vendimet përkatëse.
Sipas policisë bashkë me Marklen Hakën në momentin e arrestimit u ndaluan edhe disa persona të tjerë, miq dhe shokë të tij, edhe këta, disa të armatosur. Vetë Marklen Haka i tha policisë se ai nuk kishte lidhje me armën që iu gjet në momentin e ndalimit.
Dosja Hetimore: Nga ana e policisë gjyqësore u pyet në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet edhe shtetasi Marklen Haka.
Gjatë marrjes në pyetje ai deklaroi se më datë 6 Janar 2022, ai ka dalë pasdite te lokali i YIli Çangut dhe ka qëndruar në kafe, te tavolinat brenda lokalit, ku kishte dhe persona të tjerë.
Ai po kështu deklaroi se është ulur i vetëm në tavolinë, ku rreth orës 17.30 ka ardhur policia për kontroll. Marklen Haka, tha se nuk e ka kundërshtuar policinë dhe se gjatë kontrollit nuk i është gjetur asgjë e paligjshme. Dhe se fishekët nuk janë të tijat. Pasi ato nuk i janë gjetur atij, por në ambientet e lokalit ku po pinte kafe, në katin e dytë dhe se ai nuk e di se të kujt mund të jenë.
Sikurse kishte mundur tia hidhte më herët drejtësisë, Marklen Haka mundi edhe këtë herë në këtë episod t’i shpëtonte qelisë. Ai u la në masën e arrestit shtëpiak, aty ku duhet të ishte edhe ditën kur la banesën e tij dhe doli për kafe, duke rënë më pas pre e atentatit më qershor 2022.
Dosja Hetimore: Prokuroria i është drejtuar gjykatës me kërkesë me objekt vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të kryer nga policia gjyqësore dhe caktimin ndaj personave nën hetim Zenel Haka dhe Gazmir Haka të masës së sigurimit personal ‘arrest në burg’ dhe ‘arrest në shtëpi’ ndaj shtetasit Marklen Haka.
Megjithatë Marklen Haka nuk duket të ketë qenë thjesht një objektiv hakmarrje ndaj familjarëve të tij të përfshirë në kohë të ndryshme në ngjarje të rënda kriminale. Policisë dhe prokurorisë gjithmonë kanë pasur dyshimet e tyre se ai vetë është i implikuar në ngjarje të ndryshme, të cilat më pas e kanë përndjekur si hije dhe kanë sjellë për pasojë edhe nevojën e kundërshtarëve për eliminimin e tij fizik.
Bardhok Pllanaj, i konsideruar si kumbari i drogës veri të vendit, ishte i lidhur me grupin të fortëve të Niklës. Ai u ekzekutua më 4 prill 2021 në lagjen Dobraç të Shkodrës nga një togë e vogël qitësish, kur sapo kishte lënë bashkëshorten e tij në banesë, ndërsa sapo ishte kthyer nga një vizitë në spital te nëna e tij e sëmurë dhe po merrte rrugën për në Malësinë e Madhe. Edhe pse krimi mbeti pa autor, prokuroria në atë kohë mori në përgjim shumë personazhe të njohur të krimit, midis tyre edhe të fshatit Nikël në Fushë-Krujë. Një ndër këto personazhe që u vendos në përgjim ishte edhe Marklen Haka.
Dosja Hetimore Me qëllim përftmin e të dhënave me vlerë janë marrë dhe dërguar në përgjim disa numra telefoni të cilët janë lidhje e viktimës.
Nga përgjimi i të cilëve mendohet se mund të përfitohen biseda me interes për hetimin.
Përkatësisht janë përgjuar bisedat e Marklen Hakas, Kujtim Markut, Orlando Pllanaj, Eugers, Elhad dhe Erol Hyseni, Gëzim Cafit, Dorjan Dulit dhe Mehdi Ivzikut.
Por paralelisht me përgjimin ambiental të këtyre personave, grupi hetues mori në pyetje edhe dëshmitarë në vendngjarje, të cilët mund të jepnin detaje të rëndësishme mbi atë çfarë mund të kishin parë.
Pra, siç shikohet, Marklen Haka ishte një ndër personat që kishte lidhje me kumbarin e vrarë të drogës, Bardhok Pllanaj. Ndërkohë që Bardhok Pllanaj ishte në hetim edhe për episodin e dështuar të transportit të drogës nëpërmjet Lagunës së Vilunit, ku bashkëpunoi me Indrit Rrajën, një personazh tjetër i krimit me banim në fshatin Nikël të Fushë-Krujës, dhe kishte edhe lidhje miqësore me Marklen Hakën. Indrit Rraja, i cili shoqëroi Marklen Hakën drejt Spitalit të Traumës në Tiranë pas atentatit në shtator të vitit 2019, ishte ndër personat e parë që shërbyen si urë lidhëse midis një grupi prodhuesish narkotikësh nga Vlora dhe atyre italian, në Operacionin e Lagunës së Vilunit.
Pllanaj, thuhej se ishte ndërlidhësi i tonelatave me drogë që po bëheshin gati të niseshin drejt Italisë, përmes dijenisë dhe territorit të të fortëve të Fushë-Krujës, për të cilën Marklen Haka ruante miqësi të konsoliduar me Indrit Rrajën. Megjithatë, nuk është bërë e qartë roli i Marklen Hakës në këtë marrëdhënie të Rrajës me Bardhok Pllanaj ose me trafikun e drogës. Ndërkohë, dihet se Marklen Haka ruante miqësi edhe me vëllezërit Durim dhe Valter Bami.
Fërkimet midis Marklen Hakës dhe Bamëve nga ana tjetër nisën pas atentatit, kur Marklen Haka dyshoi se ai ishte tradhëtuar nga brenda grupit të tij. Përplasjet filluan pas ekzekutimit të Aleksandër Ndokës në Lezhë, vëllait të ish-deputetit socialist Arben Ndoka, në dhjetor të vitit 2017. Marklen Haka ishte një nga personat e dyshuar për këtë ngjarje, që shërbeu si prelud për pakënaqësinë e tij me vëllezërit Bami. Miqësia mes tyre u prish më vonë dhe tani ata janë armiq të përbetuar.
Gjithashtu, duket se Marklen Haka u kthye në armik edhe me Gentjan Bejtjen, një tjetër eskponent i krimit në Fushë-Krujë. Gentjan Bejtja ishte i pranishëm në një lokal në Fushë-Krujë në shkurt të vitit 2013, kur u rrëmbye Enver Stafuka. Një atentat në korrik të vitit 2023, në fshatin Larushk të Fushë-Krujës, ndaj makinës me të cilën udhëtonin fëmijët e Gentjan Bejtjes, tregoi përplasjet e forta brenda grupit të ‘Të fortëve’ të Niklës, ku Ramazan Sino, kunati i tij, u vra. Gentjan Bejtja kishte shkëputur marrëdhëniet me Bamët dhe edhe me Marklen Hakën, duke refuzuar ballafaqimin me ta në varrimin e mikut të tij të vrarë, biznesmenit Iljas Çali. Ai është thirrur për të dhënë dëshmi në polici dhe dyshohet se është një nga organizatorët e atentatit ndaj Marklen Hakës, duke ndarë një urrejtje të gjatë me të.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co