Bota Sport

“Kombëtare “memece”, Silvinjo u paralizua nga goli i Bajramit!”-Neptun Bajko: Kush ushqehet me shpresë, vdes i uritur

kombetare memece silvinjo u paralizua nga goli i bajramit neptun bajko kush ushqehet me shprese vdes i uritur

































Opinion nga Neptun BajkoFutbolli është edhe i tillë: në 23 sekonda lojë arrin atë që nuk e bën dot ër 94 minuta. Dua ta filloj analizën me episodin e shënimit të golit në 23 sekonda nga Bajrami. Dhe kundër kujt skuadre:

MixCollage-17-Jun-2024-09-40-AM-2577

Italisë! Një moment hezitimi i mbrojtjes italiane dhe ne kaluam në avantazh. Ky aspekt përcaktoi gati gjithë ndeshjen. Në këtë moment na u shfaqën dy pamje. Ishte një gëzim disi hutues, një peshë që erdhi kaq papritur dhe befasues. Kjo solli çekuilibrim në të gjitha aspektet në Kombëtaren tonë, në veçanti në atë morale dhe psikologjike.

Ekipi u bë i lehtë, ndërsa orientimi ishte i pamundur. Italianët, me përvojën që kanë, vunë në funksion të gjithë arsenalin që zotërojnë: teknikofizik-taktik dhe moralin e tyre, në bazë të të cilave nxorën në pah forcën karakteriale, që i lejoi për 30 minuta të pasqyronin vlerat më të mira të futbollit të tyre. Në këto 30 minuta, Shqipëria thuajse nuk mundi të bënte dot asgjë. Pra, kjo tregoi që përgatitja nuk ishte e plotë në nivel dhe me mangësi profesionale.

HUTIMI NGA PANKINA

Analiza e pjesës së parë duhet të jetë e plotë. Të gjitha të metat e dobësitë në parapërgatitje duhen analizuar me qetësi dhe bazë profesionale. Lojtarët italianë i jepnin kurajë njëri-tjetrit, duke u bashkuar, ndërsa nga stoli kishte vetëm inkurajim dhe besim se ky ishte vetëm një aspekt i futbollit që duhej kaluar sa më shpejt.

Ekipi ynë kishte vetëm mbështetjen e tifozëve të jashtëzakonshëm, pasi nga stoli trajnerët qëndronin të palëvizur dhe të paralizuar. Italianët kishin motivim dhe besim, ndërsa ne hutim, çekuilibrim moral e psikologjik. Ishte një skuadër që u pa krejtësisht memece. Ne nuk ditëm të menaxhonim fitoren e momentit dhe në këtë aspekt përgatitja ka qenë jo e mirë, jo profesionale dhe ka munguar plotësisht. Pikërisht në atë moment, Italia, jo vetëm që zotëroi lojën, por ishte skuadra më e fortë në të dyja fazat e saj.

NJË LOJË TRAJNERËSH

Dihet që ky takim ishte dhe lojë trajnerësh dhe në këtë drejtim Spaleti u tregua më i aftë se Silvinjo. Për shumë arsye kjo ndeshje do të pasqyronte një ngarkesë të madhe psikologjike dhe morale. Mendoj dhe jo pa arsye, se ne i njihnim mirë lojtarët e ekipit italian dhe në të njëjtën kohë ata na njihnin më mirë si individ, si skuadër me pikat tona të dobëta dhe të forta. Takimi tregoi se italianët kishin marrë masa konkrete dhe kjo u pa mjaft mirë në mbulimin nga afër dhe shpesh të dubluar ndaj Brojës, Asanit e Seferit. Këtu del në pah roli i rëndësishëm i repartit të mesfushës, që është përcaktues.

Mesfusha është mushkëria e skuadrës. Ky repart vendos shumë në arritjen ose jo të suksesit. Pikërisht aty, ekipi italian jo vetëm zotëronte lojën, por ishte pika më e fortë në të dyja fazat e saj. Prej aty lindi dhe superioriteti dhe po aty ishte dhe dobësia jonë. Futbolli është i paparashikueshëm.

Kjo është e fshehta e tij, sepse mund ta zotërosh lojën dhe fitoren deri në minutën e 92-të, edhe pse mund të kesh luajtur mjaft mirë e bërë gjëra pozitive, por në një moment siç ishte rasti i Manaj, të rrëzon gjithë atë lojë që ishte ndërtuar. Por, le të shpresojmë që mund të bëhet edhe më mirë me Kroacinë apo Spanjën. Një fjalë e urtë na kujton, se kush ushqehet me shpresë, vdes i uritur.

BEFASIA E ÇUDITSHME

Lind pyetja pse u hutua më shumë stafi teknik dhe lojtarët e Kombëtares sonë nga goli i Bajramit dhe jo kundërshtari? Sigurisht që futbolli i ka këto, mund të pësosh gol në sekondat e para dhe mund të pësosh edhe në sekondat e fundit.

Ndaj, në këtë aspekt duhet bërë dhe një përgatitje e veçantë, specifike. Madje gjatë gjithë kohës, se si t’i menaxhosh këto situata që sjell loja. Ajo që ka shumë rëndësi, ka të bëjë me momentin kur Italia u zhvendos i gjithi në gjysmëfushën tonë. Në këtë situatë, ne jo vetëm që nuk luajtëm bllok, por ishim tërësisht të çorientuar, njëlloj si në pjesën e dytë të ndeshjes miqësore me Azerbajxhanin. Mbrojtja ishte shumë thellë, pa markime, pa mbulime dhe ndihmë reciproke. Mungoi absolutisht çdo gjë.

NDËRHYRJET E MUNGUARA

Dy ishin mënyrat për të ndërhyrë nga stoli në momentin që skuadra u shokua dhe ndeshja u përmbys nga italianët. E para, trajneri duhej të ishte vazhdimisht në alarm. Kjo, pasi ai e pa që Italia po lëvizte me shpejtësi në të gjitha drejtimet, me kombinime, ku lojës në anësore i dha shumë rëndësi. Kieza po bënte “kanal” në të djathtë, ndërsa Barela e Fratezi në mesin e fushës po ndihmonin me kombinime dhe motivimin e lojtarëve për të shkuar sa më shpejt në portë. Në këtë moment, trajneri duhej të bënte tre ndërhyrje. E para, fillimisht të zgjonte nga gjumi portierin Strakosha dhe kapiteni Gjimshiti.

Sepse roli i portierit dhe kapitenit të skuadrës në ato momente është jashtëzakonisht i vështirë. Ndihma që mund t’i jepte Silvinjo këtyre dy lojtarëve ishte që të ndërhynte direkt, duke përdorur edhe ndonjë truk, siç janë vonesat e lojës, shtrirja në fushë sa të kalonte epërsia ose goditja e topit të gjatë në drejtim të Brojës. Kjo, vetëm që të qetësohej reparti mbrojtjes nga presioni italian. Këto ishin dy mënyrat që mund të përdorte Silvinjo. Por, edhe në këtë aspekt ishte i papërgatitur dhe ai vetë. Nëse nuk do të kishim shënuar në sekondat e para me Bajramin, gjykoj se do të ishte më mirë për ne vazhdimësia e lojës. Gëzimi i tepërt të çekuilibron dhe këtë e ndjeu ekipi. Ata dolën jashtë fazës, as nuk gëzoheshin dot shumë, por as nuk dinin të orientoheshin më në fushë.

LOJTARËT QË ZHGËNJYEN

Nuk më bindi loja e Asanit dhe Seferit. Dhe kjo, jo prej aftësive të tyre, por prej detyrave që kishin marrë në aspektin mbrojtës. Ata 80 për qind u kthyen në mbrojtës dhe 20 për qind ishin në veprimet sulmuese. Broja u la i vetëm! Edhe pse mbulohej mjaft mirë nga italianët, gjithsesi ai u la i vetëm. Në këtë aspekt, përgjegjësia i bie futbollistëve të mesit të fushës, Asllanit, Bajramit apo edhe Ramadanit. Veçanërisht Asllanit dhe Bajramit i binte detyra të ishin në mbështetje të veprimeve të Brojës. Në këtë aspekt, ekipi ishte fare i papërgatitur.

NDRYSHIMET ME KROACINË

Ndryshimet ndodhin në dy drejtime. Fillimisht, ndryshime gjatë lojës, sepse ke 5 lojtarë që mund t’i aktivizosh. Por, edhe lojtarët e stolit me cilësitë që kanë, nëse bëhet ndërrimi në momentin dhe vendin e duhur, ndryshojnë edhe lojën. Përballë Kroacisë trajneri padyshim që duhet të ndryshojë diçka, sepse nuk është i njëjti ekip me Italinë në mënyrën e lojës. Kroacia është më fizike, më e fortë, ka më tepër driblime dhe fantazi në lojë. Pra, janë një ekip që është shumë e vështirë t’i përballosh. Kështu që, padyshim duhet të ketë ndryshime në formacion. Se cili lojtar, këtë unë nuk mund ta them, sepse e dinë ata që janë natë e ditë aty dhe bëjnë punën në Kombëtare.

Dilemat që kishte trajneri për formacionin para Italisë, i kishim edhe ne në aspektin e ndryshimeve apo zëvendësimeve që mund të bënte. Tani kjo ndeshje kaloi dhe të gjitha këto janë dobësitë që u pasqyruan dhe kanë vlerën e tyre, por tani nuk është momenti që të bëjmë një kritikë të drejtpërdrejtë, megjithëse edhe këtë nuk përtoj ta bëj. Por, ky nuk është momenti sepse është ndeshja e parë që humb në këtë mënyrë dhe duhet menduar për ecurinë e mëtejshme. Betejat do të bëhen më të vështira. Ato do të jenë me dy kundërshtarë të një niveli shumë të lartë. Sidomos Spanja me atë që tregoi përballë kroatëve i befasoi të gjithë në aspektin e lojës, vrullit, teknikës së lartë.

Kroacia ka lojtarë me shumë përvojë që mund të zgjidhin momentet e lojës në fraksion të sekondës. Kroatët janë shumë të motivuar, sepse e kanë këtë sfidë për jetë a vdekje në kuptimin e ecurisë së mëtejshme. Një barazim ose një humbje i nxjerr jashtë loje. Gjithmonë ne vendet e Ballkanit e kemi shumë të lartë dëshirën që t’i mundim kundërshtarët.

* Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts