Pa praninë e mediave dhe me dyer të mbyllu ra është zhvilluar paraditen e djeshme, seanca e fundit stërvitore e Kombëtares shqiptare në Tiranë. Rreth orës 10:00 të mëngjesit, Silvinjo zbriti në fushë me të tijtë, ku në dispozicion nuk kishte vetëm tri lojtarë, Berat Gjimshitin, Amir Abrashin dhe Taulant Seferin, të cilët do të bashkohen me ekipin në Austri. Po ashtu edhe Elhan Kastrati nuk ka mundur të stërvitet për shkak të gjendjes gripale.
Me skuadrën u stërviten edhe dy lojtarë të Shpresave, Rejan Alivoda dhe Erald Maksuti. Duke punuar më së shumti me lojë mes njëri-tjetrit, Silvinjo po mundohet të përgatisë edhe titullarët për ndeshjen miqësore që do të luajë pasnesër.
TITULLARËT – Në mungesë të Gjimshitit i cili ka angazhime me Atalantën dhe do të bashkohet më 3 qershor me skuadrën, Silvinjo ka provuar për miqësoren me Lihtenshtejnin dyshen Ismajli-Mihaj. Kjo për shkak se Kumbulla nuk është në gjendjen e tij më të mirë, ndërsa Ajeti ende nuk ka kapur 100 të formës pasi nuk ka shumë kohë që është rikthyer nga një dëmtim. Madje dje, mbrojtësi u detyrua që të mbyllte përpara kohe stërvitjen për shkak të ngarkesës së lartë. Në vendin e tij u vendos Gjasula, ndërsa në mesfushë i riu Alivoda. Nga krahu i djathtë është vendosur Hysaj, ndërsa majtas, edhe pse Mitaj shihet si titullar, kundër Lihtenshtejnit mund t’i jepet mundësia Naser Alijit, i cili në seancën e fundit kishte kaluar te grupi që pritet ta nisë nga fillimi, pavarësisht se gjithçka mund të ndryshojë deri pasnesër.
Mesfusha mbetet e pandryshuar: Ramadani-AsllaniBajrami, pritet të jetë treshja që Silvinjo do t’i besojë, ashtu siç ka bërë në shumicën e ndeshjeve eliminatore. Të tre lojtarët luajnë në Serinë A dhe kanë një kimi me njëri-tjetrin. Ndërkohë, në vijën përpara është Jasir Asani në krahun e djathtë, ndërsa majtas Arbër Hoxha. Anësori i Dinamo Zagrebit po kalon një formë të mirë, kjo u pa edhe në seancën e djeshme ku në krah, Hoxha bëri disa kalime të bukura ndaj Balliut, veprime që u duartrokitën nga trajneri Silvinjo. Mes tij dhe Seferit, do të ketë një konkurrencë të fortë për vendin e titullarit në ndeshjet e Europianit. Si sulmues kryesor, Silvinjo ka provuar Mirlind Dakun.
Megjithatë, edhe Rei Manaj me Armando Brojën janë alternativa të forta për majën e sulmit. Gjatë seancës u pa një duel i shpeshtë i Manajt me Ramadanin, me këtë të fundit që nuk i ndahej, aq sa në një moment, kur lushnjari e kalon, godet topin shumë fort në nerva e sipër dhe aty ndërhyn Silvinjo që akordon faull. Ndërkaq, lojë e ashpër edhe ndaj Armando Brojës, ku në një moment përplaset me Asllanin dhe Ramadanin dhe përfundon në tokë ku ndjen dhimbje. Pas disa sekondash, sulmuesi zhduk alarmin e vogël që u ngrit dhe s’ka asgjë serioze duke u ndihmuar të çohet në këmbë nga shokët e skuadrës. Sa i përket portës, Tomas Strakosha është më i avantazhuar për ta nisur nga minuta e parë, duke qenë se Etrit Berisha sapo është kthyer nga dëmtimi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co