Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i është ankuar OKB-së se me veprimet ushtarake shteti serb paraqet kërcënim të vazhdueshëm për Kosovën. E, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një telefonatë që e ka zhvilluar me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, ka theksuar se paqja mund të garantohet vetëm pasi Kosova ta themelojë Asociacionin.
Autoritetet e Kosovës kanë përsëritur brengën për kërcënimin që Serbia paraqet për shtetin, të njëjtën ditë kur Beogradi zyrtar e theksoi qëndrimin se s’mund të ketë paqe pa themelimin e Asociacionit.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi brengën e ka shprehur të premten në takim me ndihmëssekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Miroslav Jença.
“Mbi qasjen destruktive dhe kërcënimin e vazhdueshëm që Serbia paraqet për Kosovën, zëvendëskryeministri rikujtoi se fqinji ynë verior ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, në vazhdimësi mban ushtrime e stërvitje të mëdha ushtarake pak kilometra larg kufirit me shtetin tonë dhe fluturon avionët luftarakë MIG 29 përreth kufirit”, thuhet në një komunikatë të Qeverisë.
Po të premten, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se paqja mund të garantohet vetëm pasi Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. E ka deklaruar këtë në Instagram, ku ka njoftuar për një telefonatë që e ka zhvilluar me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, e të cilit i ka kërkuar që çështjet e rëndësishme për Serbinë, që ndërlidhen me Kosovën, të vazhdojnë të jenë lart në agjendën e Bashkimit Evropian.
“E ritheksova se kjo çështje duhet të vazhdojë të zërë vend të rëndësishëm në agjendën e BE-së, me angazhim të fortë diplomatik që synon realizimin përfundimtar të Marrëveshjes së Brukselit dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si bazë për ndërtimin e paqes së qëndrueshme”, ka deklaruar ai.
Kryeministri Albin Kurti dhe Vuçiqi do të takohen për herë të parë këtë vit, më 26 qershor në Bruksel. Takimi i fundit në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, është ai i 14 shtatorit të vjetëm, kur diskutuan për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve dhe për planin e zbatimit, për të cilat shprehën paraprakisht pajtueshmëri në Bruksel dhe Ohër.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co