Izraeli ka sjellë në Bregun Perëndimor “brutalitetin sistematik” të kryer në Gaza, tha sot ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, raporton Anadolu.
Në një konferencë të përbashkët për media me homologen e tij sllovene Tanja Fajon në Lubjanë, Fidan tha se Izraeli po kryen okupim, shtypje, mizori dhe masakër në rajon dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndalojë krimet izraelite që kryhen në territoret palestineze.
Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit kaluar, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.
Sulmi ka rezultuar në mbi 40.600 palestinezë të vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe mbi 93.800 të plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Bllokada e vazhdueshme e Rripit të Gazës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa sulmet izraelite kanë lënë pjesën më të madhe të rajonit në gërmadha.
Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila ka urdhëruar ndalimin e operacioneve ushtarake në qytetin jugor Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim përpara se zona të pushtohej më 6 maj.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co