Zyrtarë të BE deklarojnë se lobimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës shkelje e Marrëveshjes së Ohrit. Një raport i kreut të diplomacisë së BE lidhur me masat e sanksionuese ndaj Kosovës pritet së shpejti.
Bashkimi Evropian ia bëri të qartë Serbisë, se pa normalizim të raporteve me Kosovën nuk mund të bëhet anëtare e BE-së. Megjithatë Bashkimi Evropian, nuk është shprehur qartë nëse njohja formale e Kosovës nga Serbia do të jetë kusht për Serbinë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Zëdhënësi i BE-së Peter Stano, tha, se “qëndrimi i bllokut rreth kësaj çështjeje mbetet i pandryshuar”.
“Qëndrimi i BE-së rreth kësaj nuk ka ndryshuar dhe mbetet i njëjti, siç është thënë në të kaluarën dhe siç është cekur në kriteret e anëtarësimit. Marrëveshja e Ohrit aktualisht e bën këtë shumë të qartë, nëse nuk ka progres në normalizim, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit”, tha Stano. Bashkimi Evropian tashmë zyrtarisht e ka ndryshuar kapitullin e 35, ku në kornizën e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, normalizimi i raporteve me Kosovën është përfshirë si kusht.
Këto deklarata zyrtarë BE-ja i bën pasi ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, në të përjavshmes NIN nga Beogradi, tha se njohja “formale eKosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në BE”.
Por në lidhje me deklarimet e Christofer Hill, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde, duke cituar kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz, shkroi se “është i paimagjinueshëm anëtarësimi në BE pa njohje reciproke”. Kancelari Scholz, këtë deklaratë e kishte bërë gjatë vizitës së tij në Kosovë, në qershor të vitit 2022.
“Vetëm sa për të rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të kancelarit gjerman Scholz gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi në qershor të vitit 2022 për normalizimin, përfshirë njohjen reciproke. Kjo qëndron ende. Rruga është aty. Zbatim i plotë i marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit nga të dyja palët sa më parë”, shkroi Rohde në platformën X.
“Një marrëveshje politike mes të dy vendeve është një kusht i rëndësishëm për investime dhe vende pune e me këtë edhe për perspektivën e të rinjve në Kosovë. E qartë është se marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse, është e paimagjinueshme që dy vende të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së”, kishte deklaruar Olaf Scholz më 2022.
I dërguari i qeverisë gjermane për Ballkanain, Manuel Sarazin, zhvilloi të premten një bisede telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku sipas këtij të fundit është folur edhe për “për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe për situatën në rajon”. Vuçiq shkroi në Instagram siç thotë se ” ka pasur një bisedë të hapur dhe të drejtpërdrejtë me Sarrazin për ‘marrëveshjet e pazbatuara’, nga dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, në radhë të parë, ato që kanë të bëjnë me sigurinë e serbëve në Kosovë, posaçërisht themelimin e Asociacionit me shumicë serbe”. Vuçiq thotë, se “përsërita se Gjermania dhe komuniteti ndërkombëtar në Serbi kanë një partner të besueshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, forcimin e bashkëpunimit dhe prosperitetit rajonal. Por, mbrojtja e interesave kombëtare të shtetit dhe popullit serb do të jetë gjithmonë prioriteti ynë”.
Por, kur është fjala tek zbatimi i marrëveshjeve, Bashkimi Evropian, për herë të parë e qortoi Serbinë se e ka shkelur marrëveshjen e Brukselit, duke lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, ndonëse marrëveshja e ndalon një gjë të tillë.
“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit është e vlefshme dhe plotësisht detyruese për të dyja: Kosovën dhe Serbinë. Kjo përfshin edhe Nenin 4. Lobimi i Serbisë kundër Kosovës është shkelje e qartë e kësaj marrëveshje”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2023 arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve që më vonë u bë e njohur si “Marrëveshja e Ohrit’, marrëveshje kjo që ka mbetur e pa zbatuar në tërësinë e saj. Bashkimi Evropian vazhdon ta mbajë nën sanksione Kosovën për shkak të – siç thuhet -“veprimeve të pakoordinuara të qeverisë së Kosovës në veri të vendit”, Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrel, pritet të paraqesë një raport lidhur me heqjen ose jo të këtyre masave ndaj Kosovës. Zëvendëskryeministri i Kosovës që njëherësh është edhe kryenegociator në dialog me Serbinë, tha para një komisioni parlamentar se “ka informacione se është rekomanduar heqja e masave sanksionuese ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian”.
“Raporti i Borrellit është parakusht për trajtimin në Këshillin e Europës, është përpiluar në muajin prill, por ka pasur hezitim që të dërgohet në Komision. Raporti është dashur që të dorëzohet pardje, por një pjesë e Komisionit ka kërkuar pak shtyrje. Besojmë se do të dorëzohet javën tjetër. Informacionet që kam është se përmbajtja e raportit është pozitive dhe rekomandon heqjen e masave”, është shprehur Besnik Bislimi./DW
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co