Mbaheshin peng nga serbët, Kurti: Janë liruar 4 nga 5 zyrtarët e policisë së Kosovës! Zëvendësdrejtori, ende në burg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sipas informacioneve të fundit, katër zyrtarë policorë të Kosovës, që po mbaheshin në Rashkë të Serbisë, janë liruar dhe i ndaluar vazhdon të mbetet vetëm zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se zyrtarët policorë ishin ndaluar në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë, Dheu i Bardhë e Jarinjë, si dhe në një pikëkalim kufitar mes Serbisë dhe Kroacisë.

“Zëvendësdrejtori i policisë vazhdon të mbahet në burg në Serbi”, tha Kurti, duke iu referuar Jankoviqit.

Më 17 prill, autoritetet në Kosovë bënë të ditur se dhjetë zyrtarë policorë të Kosovës – shqiptarë dhe serbë – ishin ndaluar nga autoritetet serbe. Pesë prej tyre u liruan po atë ditë.

Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë bëri të ditur se pesë policët, ishin dërguar në Rashkë.

Ai po ashtu tha se Serbia ndaloi dhe “keqtrajtoi” për më shumë se 20 orë, qindra qytetarë të Kosovës që po kalonin nëpër Serbi me autobusë.

Sipas Kurtit, këto veprime të autoriteteve serbe u bënë në shenjë hakmarrjeje, pasi më 16 prill Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Veprimi hakmarrës i Serbisë është menduar edhe si akt me qëllim të përshkallëzimit të tensioneve. Kjo sepse Serbisë nuk i konvenon normaliteti, paqja dhe qetësia në rajon, e sidomos në Kosovë”, tha Kurti.

Sipas kryeministrit kosovar arrestimet ishin paralajmëruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një konference për media në fundjavë, në shënimin e përvjetorit të themelimit të një njësie speciale ushtarake serbe, që sipas Kurtit, ishte përgjegjës për “rrëmbimin” e tre policëve të Kosovës gjatë vitit të kaluar.

“Momenti kur kanë filluar arrestimet në masë, ndalimet dhe maltretimet e udhëtarëve është menjëherë pas votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Pra, të shtunën e kemi ditur se kjo javë do të jetë javë e ndjekjes dhe arrestimeve, sepse është paralajmëruar, por çasti, momenti dhe intensiteti i jashtëzakonshëm masiv i këtyre arrestimeve dhe ndalimeve, nisi pikërisht pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, tha Kurti./REL

The post Mbaheshin peng nga serbët, Kurti: Janë liruar 4 nga 5 zyrtarët e policisë së Kosovës! Zëvendësdrejtori, ende në burg appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

dsaadmin

Learn More →