Me tespihe në duar, ku çdo një prej gurëve duket sikur numëron ditët mes të shkuarës e së ardhmes, 29 të rinj kalojnë ditët në Institucionin e Vuajtjes së Dënimit për të Mitur në Kavajë.
Teksa ua sheh fytyrat është e vështirë të besosh se akuzat që rëndojnë ndaj tyre shkojnë nga vrasja me paramendim, te grabitja e shitja e lëndëve narkotike, vjedhja e shtëpive e dyqaneve e madje, në disa raste, edhe në grup të strukturuar kriminal. “Vetting” sjelle ekskluzivisht disa dëshmi prej të paraburgosurve në Institucionin e Vuajtjes së Dënimit për të Mitur nga burgu i Kavajës, të cilët rrëfejnë se si kanë përfunduar aty dhe se çfarë ëndrra kanë.
“Këtu janë të gjithë çuna të mirë, mos i shikoni ça kanë bërë, shumicën i ka sjell halli këtu”, shprehet një prej të miturve sapo i afrohet kamerës.
Teksa hedhim hapat e parë në korridoret e këtij institucioni të rrethuar nga tela me gjemba, një grumbull të rinjsh na përqasen për t’u prezantuar menjëherë. Ndërsa misioni jonë është për të kuptuar se cilët janë në të vërtetë ata që fati i ka sjellë brenda këtij kurthi.
Ndërkohë që biseda nis, disa e shprehin dëshirën për të dhënë intervistë. Megjithëse fjalëpak dallohet nevoja për t’u shprehur për atë që ka ndodhur e hera herës në diskutimet larg mikrofonit kërkonin edhe një mirëkuptim për veprimet e tyre të cilat bien ndesh me ligjin. Një kalvar vuajtjeje për t’u vetidentifikuar si dikush i fortë apo viktimë e çastit, këta adoleshentë duket sikur po kalojnë në një krizë identiteti.
Të penduar apo jo??!!!
Luftën e brendshme për atë që janë, e shohim tek paqëndrueshmëria në përgjigjet që japin për të njëjtën pyetje në dy momente të ndryshme, në vetëm pak minuta diferencë. Se cili është zëri i tyre më i vërtetë këtë nuk e dimë. Ndërsa i riu nga Vlora për gazetarët e “ Vetting” shprehet “ Jam i penduar. Kam kryer vjedhjen nën efektin e lëndëve narkotike”. Një tjetër bashkëmoshatar i tij shprehet se, pavarësisht nga krimi që ka kryer nuk është penduar. Ndërsa shton se me familjen e bashkëmoshatarit në konflikt është rregulluar. Më tej biseda nis e zgjerohet, kur i riu vijon “Jam penduar që kam vjedhur, jam penduar që përfundova këtu dhe po të jepej mundësia e lirisë nuk do rrija më fare në Shqipëri”. Një tjetër dëshmi interesante që sjell “ Vetting” është dëshmia e një të mituri i cili tregon se ka shitur lëndë narkotike, ku më të mëdhenjtë në moshë i kanë dhënë garanci që nuk do kapej sepse nuk i shkonte kujt mendja që ai shiste lëndë narkotike, për vet paraqitjen që kishte, të një adoleshenti. Më tej ai vijon qetësisht bisedën, teksa shprehet: “Po të ishin shqiptar s’do isha këtu në burg unë. Do kisha gjetur zgjidhjen e do kisha dalë. Me lekë edhe malin çan, pasi do kisha korruptuar ndonjërin, pasi s’ka njeri që s’korruptohet”.
Po policia? Po familja?
I mituri tregon që ka pasur edhe raste të tjera që është ndaluar e shoqëruar në komisariatet e policisë së shtetit, aq sa nuk i mban mend, por është babai i tij që kishte bërë të mundur ta shpëtonte nga burgu. “Me lek edhe malin çan. Këtë herë babi nuk ia doli”, shprehet ai duke hapur disa nga pyetjet që na duhet të bëjmë të gjithë, më së pari policinë.
Ndërkohë, pas policisë, e cila sipas vetë të miturve ka qenë në dijeni dhe ka mbyllur sytë ose është korruptuar, pyetjet na drejtohen edhe në të gjithëve, prindër apo zyrtarë qofshin. Madje, pyetjet e këtyre të miturve u drejtohen edhe atyre që nuk janë drejtpërdrejtë të përfshirë, por që heshtin kur një individ kryen një krim.
Mosha e tyre duket se nuk i tremb kur zhveshin të vërteta të forta në sytë e publikut. Ato të vërteta që ndoshta të gjithë i dimë por nuk i themi- se si korrupsioni i zyrtarëve dhe, jo pak herë, instinkti i prindërve për të mbrojtur fëmijë e tyre pavarësisht gabimeve, sjell këto pasoja fatale. Por sa i shpeshtë është ky fenomen? Një tjetër i dënuar konfirmon pikërisht po të njëjtën gjë si shoku i tij, ku shkelje pas shkeljeje, ai herë është toleruar e herë e ka blerë heshtjen. Një tjetër i mitur tregon se përgjegjëse për fatin e tyre janë edhe punonjësit e policisë , teksa është kapur në shkelje të ligjit, i riu shprehet se ka mundur ti korruptoj ata. Ndërsa shoku i tij shton: “në shumë më ka ecur. Pasi më kanë kapur me doza kanabisi duke ikur për Durrës më kanë ikur 500 euro dhe më kanë marrë edhe drogën”.
A ka faj vetëm familja? Po shkolla?
Sipas drejtoreshës së burgut të miturve në Kavajë, Marinela Alia, shkak për përfundimin e këtyre të miturve në institucionin e riedukimit janë të shumta, ku përfshihen familja, shoqëria, korrupsioni, varfëria. “Patjetër që faktori social ekonomik i familjeve është dominues dhe tregues i këtyre rasteve. Kemi pasur edhe raste të stadeve të ndryshme të zhvillimit ekonomik të familjeve, por shoqëria ambienti nga ata rrethohen janë faktorë për t’i nxitur për të kryer vepra penale”, shprehet Alia.
Ndërkohë, psikologia Lorela Garuli, shprehet se, faktorët domunues që ccojnë këta të rinj drejt një rruge të tillë janë rrethi shoqëror, problemet familjare si dhe e shkuara familjare, e cila mund të jetë e lidhur me precedentë të tillë që shfaqin ata. Por, Garuli, veccon dhunën në fëmijëri si një nga shkaqet që ndikon në viktimizimin e tyre dhe përfshirjen në të tilla aktivitete.
Ndërkaq, Drejtoresha e Qendrës së Parandalimit të Krimeve, Klaudia Hasanllari, thotë se një i mitur që përfshihet në kriminalitet nuk del nga hiçi. Sipas saj, duhen monitoruar me kujdes ata që shfaqin sjellje agresive dhe tendenca për të miratuar sjellje të kundraligjshme, pasi ky kontingjent është lehtësisht i manipulueshëm. Sipas Hasanllarit, duhen bërë bashkë të gjithë institucionet dhe familjarët që fenomene të tilla të parandalohen në kohë.
Dëshmia 1
I mituri: Me para çan edhe malin
Gazetarja -Çfarë vjedhjesh bëje?
I arrestuari -Dyqane, të gjitha pothuajse
Gazetarja – Si i vidhje dyqanet?
I arrestuari -Hyja nga dera dhe dal. -Është kollaj të hapet, edhe qepeni.
Gazetarja – Ke qenë i arrestuar më parë për vjedhje?
I arrestuari -Kam qenë, kam bërë 72 orësha e kam dalë.
Gazetarja – Si ke dalë?
I arrestuari -Siç hyra nga dera kam dalë
Gazetarja – Pse të linin të lirë për një vepër të përsëritur?
I arrestuari -Sepse ashtu e shikonin të arsyeshme dhe më linin të lirë.
Gazetarja – Sa herë ke shkuar në komisariat?
I arrestuari -S mbahet mend
Gazetarja – Aq shumë?
I arrestuari – Po kam shkuar disa herë. Po të ishin shqiptar s’do isha këtu unë
Gazetarja – Pse?
I arrestuari -Do kisha gjetur zgjidhjen e do kisha dalë.
Gazetarja – Si do e kishe gjet zgjidhjen?
I arrestuari -Me lek edhe malin çan
Gazetarja – Mendon se mund të kishe korruptuar?
I arrestuari -Po. Të gjithë korruptohen. Të gjthë. Ska njeri që s korruptohet.
Gazetarja – Ke pasur shoqëri me më të mëdhenj?
I arrestuari -Po që i vogël rrija me më të rritur se vetja
Gazetarja – Kush ta futi në kokë mendimin për të vjedhur?
I arrestuari – E kam bërë vetë
Gazetarja Nga çfarë je privuar këtu?
I arrestuari – Gjëja e parë është liria, telefoni e aksesorët nuk llogariten, gjëja më e shtrenjtë është liria.
Gazetarja Ti ke të dashur?
I arrestuari – Po s’pata unë kush do ketë?!
Gazetarja Ke menduar që ajo mund të të braktisë?
I arrestuari – Po, përditë
Dëshmia 2
Vajzat pinin drogë më shumë se çunat
Gazetarja -I ke kërkuar para familjes për të blerë lëndë narkotike?
I arrestuari – Jo, më dhimbsen lekët e tyre.
Gazetarja -Me çfarë merren ata?
I arrestuari – Kanë bizneset e tyre, një butik rrobash një tabako. Ata janë mirë. Më dhimbseshin lekët e tyre për ti prishur për ato që doja unë. Te tabako punoja 6 orë, mi jepte babi 250 mijë lekë por nuk dilnin
Gazetarja -Për sa ditë i prishje ti 250 mijë lekë?
I arrestuari – Për 24 orë
Gazetarja -Me drogë?
I arrestuari – Drogë, party alkool. Parti private, vilë me qira.
Gazetarja -Goca vinin?
I arrestuari – Sigurisht. Po s’ erdhën gocat s’ quhet party.
Gazetarja – Po gocat konsumonin drogë?
I arrestuari – Më shumë se ne
Gazetarja -Ua jepnit ju apo e sillnin vetë?
I arrestuari – Kishte që ua jepnim kishte që u sillnin vetë
Gazetarja – Gocat ku i gjenin lekët?
I arrestuari – Iu punon babi gocave.
Gazetarja -Gjimnaziste ishin ato?
I arrestuari – Po ka pasur gjimnaziste, Ka pasur në shkollë të lartë
Dëshmia 3
I riu: Si u përfshiva në trafikun e drogës
I arrestuari — Akuzohem për lëndë narkotike, hashash dhe kokainë
Gazetarja – Akuzohesh apo i ke shitur?
I arrestuari -I kam shitur
Gazetarja – Si të kapën?
I arrestuari – Isha duke hyrë në shpi, ishin brenda në shpi. Po më prisnin aty.
Gazetarja – Ishe vetëm apo në bashkëpunim?
I arrestuari – Në bashkëpunim.
Gazetarja – Nga e mësuat këtë punë?
I arrestuari – Na erdhi ide
Gazetarja – Ku e gjete drogën?
I arrestuari – Sipas shokëve
Gazetarja – Pse e bërë?
I arrestuari – Për një jetë më të mirë. Ishte një ide e gabuar. Familje kam nënën babën dhe vëllanë. Nëna është arsimtare, vllai punon në fast food. Babi është pa punë, ka pas biznes fruta perimesh. Familje e thjeshtë ishim nuk kishim as shumë as pak. Ndonjëherë edhe i ndihmoja.
Gazetarja – E dinin me çfarë mereshe?
I arrestuari -Jo
Dëshmia 4
Babanë se kam njohur kurrë, jetoja tek tezja. Baba s’kam. Se kam njohur. Se kam jetuar që i vogël.
Gazetarja – Ke mbiemrin e babit?
Jo, mbiemrin e gjyshit, të mamit. Mami jeton jasht shtetit punon. Këtu rrija me tezen. Tezja punon në spital, vëllai taksi, kushëriri, se ngaqë jam rritur me ta i quaj vëllezër.
Gazetarja – Sa vite ke jetuar me ta?
I arrestuari -Që i vogël. Mami më ka sjell këtu. Punon të më mbajë mua me lekë me gjithë të mirat. Punon andej të më mbajë mua me lekë.
Gazetarja – Sa ka mami që ka ikur?
I arrestuari -Se mbaj mend. Që kur isha i vogël
Gazetarja – Me mamin ke jetuar gjatë?
I arrestuari -Vjen herë pas here këtu më takon, plus që çdo muaj më dërgon lekë të më mbajë mua
Gazetarja – Ka tentuar ndonjëherë të shkosh në Gjermani me të?
I arrestuari -Tani po!
Gazetarja – Pasi ndodhi kjo?
I arrestuari -Sa të dal them të iki.
Gazetarja – Po më përpara?
I arrestuari -Jo. Skam patur dëshirë të iki
Gazetarja – Ke qenë ndonjëherë në Gjermani?
I arrestuari – Jo vetëm në Kosovë kam qenë.
Dëshmia 5
I arrestuari: 12-vjeç u futa në trafikimin e drogës
I arrestuari – Prindërit pa punë. Babi shkonte në Spanjë. Tani nuk shkon më.
Gazetarja – Çfarë pune bënte në Spanjë
I arrestuari – Punë kshu ndërtim. (qesh)
Gazetarja – Sa ndenji babi në Spanjë?
I arrestuari – Që pa lindur unë.
Gazetarja – Shoqëria jashtë, jam rritur me më të rritur, më thonin mos se je i vogël, do përfundosh në burg por kisha mendjen time dhe ja përfundova në burg.
I arrestuari – Kam filluar që në moshën 12 vjeç, Shif tjerët, televizor gjona, doja të isha si ata. Doja të kem bizneset e mia. Ia arrita deri 12 vjeç. Shkollën e kam lënë në klasë të gjashtë. Dilja nga shpia pa leje deri sa mora shpi me qera, hapa punën time. Më thonin prindërit mos, s është mirë. Nuk i pyesja deri sa mora shpi me qira, hapa punën time.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co