“Mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve”- Begaj zbardh takimin me Erdogan, në fokus forcimi i lidhjeve dypalëshe: Turqia, ndër partnerët tanë më të mëdhenj tregtarë!

mik i shqiperise dhe shqiptareve begaj zbardh takimin me erdogan ne fokus forcimi i lidhjeve dypaleshe turqia nder partneret tane me te medhenj tregtare





































Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim Presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili po zhvillon një vizitë shtetërore në Shqipëri.

begaj erdogan shqiperi

Fillimisht, Presidenti Begaj dhe Presidenti Erdogan zhvilluan takimin kokë më kokë dhe më pas takimin me delegacionet përkatëse.

Biseda u fokusua në marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe në mundësitë që këto marrëdhënie të thellohen e të forcohen.

“Mik të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, e konsideroi Begaj Presidentin Erdogan. “Jam shumë i përkushtuar që të fuqizojmë bashkëpunimin tonë vëllazëror, një bashkëpunim që mbetet prioriteti ynë, një bashkëpunim që u dëshmua me solidaritetin e popujve tanë përgjatë situatave të shkaktuara nga tërmetet”, tha Begaj.

“Ky bashkëpunim, do të një njohë rritje të mëtejshme me këtë vizitë dhe me nënshkrimin e marrëveshjeve përkatëse. Konfirmoj se Shqipëria ka një vullnet të fortë për të vijuar me avancimin e marrëdhënieve në çdo fushë të bashkëpunimit dypalësh. Mbajtja e Takimit të Dytë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë  është mundësi e mirë për të diskutuar në mënyrë më të thellë dhe më konkrete bashkëpunimin dypalësh në fusha, si: siguria, mbrojtja, energjia e rinovueshme, ekonomia dhe tregtia, infrastruktura, turizmi, mjedisi dhe çështje të tjera thelbësore”, u shpreh Kreu i Shtetit.

Në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit Shqipëri-Turqi, kontributi reciprok në organizmat ndërkombëtarë, ku dy vendet janë anëtare.

Kreu i Shtetit e falënderoi Erdogan për ndihmën që Turqia ka dhënë para dhe gjatë procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO, si dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera që efektivët tanë kanë në misionet dhe operacionet e përbashkëta.

Presidenti i Republikës u shpreh se Shqipëria mbetet e angazhuar për të shkëmbyer pikëpamje dhe opinione mbi çështjet e sigurisë, të cilat lidhen dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rajonin tonë dhe në Lindjen e Mesme.

“Shqipëria ka mbështetur vazhdimisht dhe pa rezerva zgjidhjen me dy shteteve të pavarura, që jetojnë në paqe dhe fqinjësi të mirë”, theksoi Presidenti Begaj.

Presidenti Begaj falënderoi Presidentin Erdogan për ndihmën ndaj shqiptarëve dhe Kosovës në veçanti. Gjatë bisedës, u vlerësua me rëndësi edhe forcimi i lidhjeve dypalëshe përmes avancimit të projekteve të bashkëpunimit ekonomik.

“Turqia është ndër partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shqipërisë. Investimet turke e bëjnë Turqinë partnerin e katërt më të madh tregtar të Shqipërisë. Mirëpresim kompanitë turke për të investuar në Shqipëri në sektorë të ndryshëm, si: infrastrukturë, turizëm, energji, teknologji, bujqësi, si dhe në industrinë e prodhimit dhe të përpunimit”, theksoi Presidenti Begaj, gjatë takimit me Erdoğan.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →