Nuk ishin brilant, madje tërbuan tifozët në “Bernabeu”, me ultrasit që nuk kursyen as vërshëllimat, por në fund Real Madrid bën atë që di më mirë, kalon në fazën çerekfinale për herë të 12 në 14 sezonet e fundit. Përballë Leipzig vuajtën jo pak, luajtën me “zjarrin”, me gjermanët që nuk u dorëzuan për asnjë moment, por e mbajtën kualifikimin pezull deri në sekondat e fundit.
“Demat” ishin më superior, krijuan 21 raste, goditën katër herë kuadratin, goditën shtyllën, madje në fund e pjesës së parë flirtuan me golin e avantazhit. Në pjesën e dytë, Ancelotti hodhi në fushë Rodrygo-n, ishte pikërisht braziliani ai që i shkoi shumë pranë golit të avantazhit. Në minutën e 65-të, Bellingham dhe Vinicius Jr gatuan golin e parë, me brazilianin që finalizoi plot klas një aksion fantastik.
Leipzig iu përgjigj vetëm tre minutë më pas me Orban që me kokë barazoi shifrat në 1-1. Në fundin e sfidës, Dani Olmo bëri me zemër tifozët madrilen, teksa me një parabël të ëmbël goditi traversën duke rrezikuar të dërgonte ndeshjen në shtesë. Reali i falet fitores 0-1 në sfidën e parë.
Në Spanjë festojnë, por jo plotësisht, për këtë sukses përballë Leipzig: “Mision i kryer, por i vuajtur”, shkruan AS në faqen e parë. “Agonik”, ishte kryesor i Marca.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co