Modelja shqiptare ndjek ëndrrën e fëmijërisë pas tragjedive familjare

modelja shqiptare ndjek endrren e femijerise pas tragjedive familjare
modelja shqiptare ndjek endrren e femijerise pas tragjedive familjare

Një nga vajzat më të bukura në botën e modelingut që jeton e punon prej vitesh në SHBA, ka gjetur momentin e saj më të mirë për të ndjekur ëndrrën. Në rrjetet sociale, Vildane Zeneli ka ndarë gjithnjë me ndjekësit e saj projekte që lidhen me të bukurën, me jetën e përditshme si modele, por tani ka vendosur të bëjë një ndryshim rrënjësor në karrierën e saj.

Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, modelja lajmëron se ka vendosur t’i përkushtohet muzikës. Ky nuk është një vendim i rastësishëm apo një “sprovë” pë të ndjekur trendin, përkundrazi – është një ëndërr që kishte mbetur në sirtar që prej vitit 2012. Ngjarjet e forta që i kanë shenjuar jetën, vetëm ia kanë shtyrë në kohë, por kurrsesi nuk e kanë tutur.

Në rrëfimin e gjatë në llogarinë e saj sociale, Vildania kujton kohën kur modelonte për ‘Beats by Dre’ dhe kur vendosi të realizonte disa këngë. 6 këngët u dëgjuan nga Dr. Dre dhe Jimmy Iovine, që e vlerësuan zërin e saj si të veçantë, më pas erdhën 25 këngë e bashkëpunime me emra të mëdhenj, por që nuk u publikuan kurrë.

“E kam dashuruar këngën dhe muzikën që kur kam qenë fëmijë, rreth një dekadë më parë kur punoja si modele për ‘Beats by Dre’ dhe preka nga afër ‘Interscope Records’. Vendosa që t’i futem profesionalisht muzikës.

Kontaktova mikun tim në Suedi, Andreas Carlsson i cili është një nga tekstshkruesit më të mirë dhe i kërkova nëse mund të realizonim një këngë. Ai më ftoi në Suedi dhe kemi regjistruar 6 këngë për 6 ditë. Kur u ktheva në Los Anxheles dhe ia tregova këngët Dr. Dre dhe Jimmy Iovine i cili në atë kohë ishte dhe CEO i ‘Interscope Records’, ‘feedback’-u ishte i jashtëzakonshëm. Dy nga legjendat më të mëdha të muzikës që po më tregonin se unë kisha një zë të veçantë dhe një timbër karakteristik.

Ishte një nga komplimentet më të mira që mund të kisha marrë ndonjëherë në jetën time. Nisa të regjistroj këngë tek ‘Interscope Records’, realizova rreth 25 këngë në studion e Dr. Dre që për mua ishte një ëndërr e madhe. Pata bashkëpunime me will.I.am dhe Soulja Boy si dhe me disa bashkëpunëtorë të tjerë, por që nuk i publikova kurrë”.

“Në atë kohë, babai im pësoi një arrest kardiak dhe si rrjedhojë pas 9 muajsh të qëndrimit të tij në spital, ai iu nënshtrua transplantit të zemrës. Fatmirësisht babai mbijetoi, por gjatë atyre muajve që mua m’u desh të përkujdesesha për të, u futa në pusin e zi të ankthit dhe depresionit. M’u desh të merrja ndihmë profesionale dhe bëra një punë sistematike për të dalë prej asaj gjendjeje. Sapo u ndieva disi më mirë, kuptova që kisha humbur shumë kohë. E vendosa muzikën mënjanë dhe u riktheva aty ku unë besoja se bëja më mirë dhe të nxirrja shpenzimet e jetesës. Zona ime e rehatisë, modelingu!

Pak para pandemisë, nisa të regjistroj sërish këngët mirëpo kur ndodhi pandemia dhe kufizimet që erdhën prej saj, nisa të punoj në financë meqenëse mund të punoja nga shtëpia pa pasur nevojë të shkoja në zyrë.

Pas disa kohësh, u riktheva në vendlindjen time Kosovë për të kënduar, por këtë herë në shqip. Punova me disa producentë të cilët më prezantuan shumë materiale muzikore, por sërish hezitova për të publikuar qoftë edhe një këngë”.

Momenti tjetër i vështirë ishte humbja e babait nga kanceri. Jo vetëm kaq, por edhe dy xhaxhallarët e saj ndërruan jetë e pak muaj më vonë, motra e modeles u diagnostikua me kancer. Do të ishin pikërisht këto ngjarje, shpjegon Vildania në postimin e saj, që do t’i jepnin shtysën e fuqishme për të mos lënë më asnjë sekondë të shkonte dëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co