Mosparaqitja e dëshmitarëve në Komisionin Hetimor për koncesionet në Shëndetësi, ka ngjallur debat mes palëve, me opozitën që kërkon të vijnë dhe të dëshmojnë dhe mazhorancën, që shprehen se ata që nuk janë paraqitur kanë dhënë arsye ligjore.
Duke qenë se punimet e komisionit përfundojnë më 14 nëntor, deputetja demokrate Ina Zhupa është shprehur se tre janë format për të mundësuar dëshminë e tyre. E para, policia. E dyta, zgjatja e afateve të komisionit dhe e treta, të gjenden të gjitha mënyrat për marrjen e dëshmive të tyre.
“Nuk mund të lejojmë të na bëjnë për budallenj”, tha ndër të tjera Zhupa.
Edhe kryetarja Albana Vokshi, është shprehur se punimet e këtij komisioni nuk do të mbyllen pa dëshminë e personave sipas saj kyç, që janë kryeministri Edi Rama dhe biznesmenja Vilma Nushi.
Nga ana tjetër, deputeti i PS-së, njëherësh nënkryetari i komisionit, është shprehur pro dëshmisë se të thirrurve, por shton se ata kanë dhënë arsye ligjore pse nuk janë paraqitur.
Kërkesën e opozitës për t’i sjellë me çdo formë në komision e cilëson ‘spektakël kot’.
Debati:
Zhupa: Kërkojmë nga ky komision, sidomos nga përfaqësuesit e mazhoranës, ti kthehen vendimit të seancës plenare, për zhvillimin e komisionit. Tre janë opsionit, një; policia. Dy; shtimi i afatit dhe tre; të gjenden gjitha mënyrat për të marrë dëshmi dhe në raste ekstreme. Nuk mund të lejojmë të na bëjnë për budallenj. Më vjen keq, por duhet ky komision të jetë me përgjegjësinë që i ka dhënë seanca plenare.
Vokshi: Ky komisioni nuk mbyllet pa dëshminë e Vlima Nushit dhe Edi Ramës. Nuk mund të mbyllet pa dëshminë e personave kyç.
Nderca: Këta që janë me shtetësi italiane, kanë të drejtën e tyre të bëjnë aktivitetin e tyre në vendin e tyre. Nuk e di nëse janë thjeshtë dhe vetëm shtetas italianë, por është e pritshme të mos kenë të njëjtën përgjegjësi juridike si shtetasit shqiptare. Nuk më shqetëson mundësimi i prezencës së tyre në komision. Për zotin Lleshi, ai ka sjellë justifikim, një raport mjekësor. Nuk mund të paragjykojmë. Nuk ka arsye që të bëjmë thirrjen e detyrueshme të tij, përsa kohë nuk ka shprehur mos vullnet për të ardhur. Edhe zoti Fani ka treguar gatishmëri, por për arsye që i thotë në e-mail, nuk mund të jetë sot.
Nuk e shoh të arsyeshme ti thërrasim me policisë, sepse nuk kanë thënë nuk duan të vijnë. Ata kanë dhënë arsye ligjore. Ne e kemi vullnetin për ti marrë në dëshmi, për ti dëgjuar dhe për tu bërë pyetjet tona. Nuk mund të bëjmë spektakël kot, kur nuk është e nevojshme.
Duhet zonja Nushi sepse qenë edhe kontributore e PS. Pra kjo qenka një arsye pse duhet të jetë para nesh që ti bëjmë gjyqin njerëzve që ua përmendin emrin pa kriter. I paragjykojmë. Nuk kemi ardhur për të bërë komision hetimor se kë kemi denoncuar, por për të shqyrtuar dy kontrata.