Me siguri nuk ju ndodh rrallëherë që të humbisni krejt pa pritur në mendime teksa jeni duke kryer një punë. Madje kjo mund të ndodhë edhe kur nuk jeni duke bërë asgjë apo aktivitete të thjeshta si ecjet në natyrë. Po flasim pikërisht për përhumbjet në mendime që shpesh duken si një krejt proces natyral dhe i padëmshëm.
Por së fundmi, ekspertët psikiatër ngrenë shqetësimin se kjo po kthehet në një problem, madje në një sëmundje të vërtetë të njohur si “çregullimi i përqëndrimit”. Duke qenë se janë të ngjashme edhe me sindroma apo sëmundje të tjera, komuniteti mjekësor ka ende ndarje përsa i përket diagnostikimit të kësaj gjendjeje në një sëmundje më vete mendore. Simptomat e kësaj gjendjeje shpesh shfaqen me lodhje, konfuzion të vazhdueshëm, ngadalësim i proceseve të përditshme dhe vështirësi të tjera psikofizike.
Sipas ekspertëve, ky shqetësim ka kohë që është shfaqur dhe shpesh është quajtur me emërtime të ndryshme. Disa prej tyre e shohin si një efekt anësor të sidromës ADHD, sëmundja e mungesës së vëmendjes dhe hiperaktivitetit. Personat vuajnë nga hiperaktiviteti dhe interaktiviteti i vazhdueshëm me të tjerët ose mjedisin përreth. Shpërqëndrimi i vazhdueshëm, nga ana tjetër, mund të jetë një shprehje e po kësaj sëmundjeje që shfaqet në këtë formë duke u mbyllur në mendime. Në një studim të bërë nga Universiteti Mjekësor i Virxhinias, psikologu Russel Barkley thotë të kundërtën. Në fakt, ky veprim i trurit, sipas Barkley, është një shqetësim i ri që prek turin, ndaj duhet diagnostikuar dhe trajtuar si i tillë.
Gjithsesi, për momentin mbetet ende jashtë emërtimit si një sëmundje mendore e veçantë. Psikiatri amerikan, Allen Frances, profesor në Universitetin Duke, e kritikon krijimin e një manuali dhe një emërtimi për simptoma, të cilat deri tani janë konsideruar normale. Sipas tij, simptomat që gjenden tek kjo sindromë e re e supozuar shfaqen edhe tek personat që vuajnë nga depresioni. Nga ana tjetër, ka studime të cilat tregojnë se simptomat e shpërqendrimit dhe humbjes së vëmendjes shfaqen thuajse në të gjithë fëmijët, kur nëna ka abuzuar me alkoolin gjatë shtatzënisë. Momentalisht, mjekët po zhvillojnë teste dhe po kapin imazhe të trurit të këtyre personave, në mënyrë që të krijojnë një hartë të zhvillimit të tij.
Gjithsesi, evidentimi i “mungesës së përqendrimit” si një sëmundje të vërtetë mendore mbetet ende i hapur nga akademikët. Një nga problemet më të mëdha që ekspertët ngrenë në rivlersimin dhe zgjerimin e sëmundjeve mendore është prishja e sjelljeve që njerëzit bëjnë në normalitet./aw
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co