Ndalet Prestige, Bulqiza fiton në ndeshjen “maratonë”

ndalet prestige bulqiza fiton ne ndeshjen maratone
ndalet prestige bulqiza fiton ne ndeshjen maratone

Prestige ndalet sërish, këtë herë në një betejë mes pretendentësh kundër Bulqizës. Në Kamzë ishin pikërisht këta të fundit që fituan me shifrat 2- 0 në një ndeshje, që zgjati thuajse 120 minuta për shkak të një ndërprerjeje të gjatë pas dëmtimit të rëndë të Aldo Branicës. Prestige lëshon në këtë mënyrë kreun e renditjes dhe komplikon situatën në lidhje me ngjitjen në Kategorinë e Dytë.

PJESA E PARË – Prestige e nis me më këmbëngulje dhe përpiqet të qëndrojë më shumë në zonën kundërshtare. Në të 14-ën miqtë krijojnë shansin e parë të favorshëm të ndeshjes. Gjipi kontrollon topin në të djathtë të zonës, gjen Aldo Branicën, i cili rrotullohet dhe godet, por gjen përgjigjen e portierit Mertkola. Bulqiza përgjigjet në të 29-ën me një tentativë të Murrjes në hyrje të zonës, por jashtë kuadratit.

Në të 30-ën Gjipi tenton me një gjuajtje nga distanca, e cila përfundon shumë mbi kuadrat. Pas gjashtë minutash Prestige ka një tjetër mundësi, këtë herë me Matën, i cili tenton rrezikshëm në hyrje të zonës, por një prej lojtarëve vendës devijon në këndore. Në të 44-ën Aldo Branica ka një tjetër mundësi, por sërish gjuajtja e tij nuk ka forcë sa për të mposhtur portierin Mertkola. Në shtesë Shini nis një kros në zonë për Malik, i cili nuk arrin ta shtyjë sferën në rrjetë nga shumë pranë portës.

PJESA E DYTË – Prestige e nis në sulm, me Ygor, që tenton me një diagonale në zonë, por është sërish Mertkola, që u mohon golin kryeqytetasve. Në minutën e 16-të ndeshja merr një rrjedhë krejtësisht tjetër. Kadiu dhe Branica përplasen dhunshëm me kokë në mesfushë dhe mbeten të dëmtuar, me sulmuesin e Prestige, që pëson një të çarë serioze. Pas ndërhyrjes së mjekut Perli Rusi, sulmuesi transportohet me ambulancë drejt spitalit për kontroll më të detajuar. Pas një ankthi që zgjat më shumë sesa 25 minuta ndërprerjeje të lojës, vjen lajmi i mirë se Branica është “OK” dhe nuk ka asgjë serioze.

Pas ardhjes së ambulancës, loja rinis dhe i shkon përshtat Bulqizës. Ndeshja duhet të vijojë përtej 90 minutave dhe në të 3-ën shtesë Bulqiza arrin të shënojë me Murrjen, pavarësisht ndërhyrjes së Hasanajt në momentin e parë. Prestige tenton përgjigjen në të 11-ën shtesë me goditjen e Ygor me kokë, por pret sërish portieri. Në të 15-ën shtesë tenton edhe Limani, por gjuajtja e tij kalon mbi portë. Në të 25-ën shtesë Bulqiza gjen edhe golin e dytë. Lika fiton një penallti dhe e gjuan vetë, duke arritur të tundë rrjetën përballë Hasanajt dhe fiksuar shifrat në 2-0.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →