Në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa ishte e ftuar Kryeredaktorja e News24, Anila Jole, ku janë diskutuar jo vetëm zhvillimet e fundit politike në vend.
Jole tha se Shqipëria është një vend i vogël, por me zhvillime të mëdha, qoftë përsa i takon politikës, por edhe krimi fatkeqësisht.
Referuar ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, Jole tha se kur PD dhe PS duan të arrijnë pakte i arrijnë, veçanërisht për reformën zgjedhore, që realizohet në minutat e fundit.
“Kjo tregon se të dyja palët janë të interesuara për atë që kanë arritur dhe e firmosin, pavarësisht kundërshtive që mund të ketë kundërshti brenda Parlamentit. i arrijnë paktet në minutën e fundit, lenë shumë pak kohë para zgjedhjeve dhe kjo është disi e çuditshme, por e rëndësishme është të jetë produkti i mirë, pra që në listat e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme të kemi emra cilësorë”, tha Jole.
Në vijim ajo u shpreh dhe nëse do të ketë emra cilësorë do të shikojmë se kush i ka më cilësorë dhe ajo parti do të jetë fituese. Duke vijuar komentet përsa i takon reformës zgjedhore, Jole u shpreh se mbase kundërshtitë vijnë nga ata individë që nuk kanë siguri për veten e tyre në zgjedhjet e ardhshme. Dhe në këtë kuadër, ajo përmendi qëndrimin e mbajtur nga Lulzim Basha. Në këtë kuadër, Jole solli në vëmendje faktin se Basha dorëzonte në minutat e fundit listat e kandidatëve për deputet dhe nuk lejonte askënd që të shihte apo diskutonte. “Nuk mendoj se kundërshtitë janë parimore”, tha Jole.
Lidhur me tërheqjen apo dorëheqjen e Lindita Nikollës nga posti i Kryetares së Kuvendit, Jole tha se ndoshta puna dhe fryma me këtë Parlament edhe e ka lodhur. Jole tha se natyra e qetë dhe paqësore e Lindita Nikollës ka ndikuar pozitivisht në sallën e Parlamentit, duke shtuar se edhe pasardhësi i saj duhet të jetë një natyrë e qetë, i paanshëm dhe tolerante, në mënyrë që të ulë tensionet që krijohen herë pas here në Parlamentin shqiptar.
Jole tha se nuk mendonte se largimi i Lindita Nikollës nga posti i Kryetares së Kuvendit ka lidhje me Kongresin e PS-së.
“Nëse do të kishte lidhje me Kongresin do të anonçohej atje, Lindita Nikolla tha se largohej për arsye shëndetësore dhe unë e shoh ashtu siç është, pa konsipracion brenda”, tha Jole.
Referuar Kongresit të PS-së, ajo tha se shumë flitet se Kryeministri Edi Rama do të anonçojë ndryshime në Qeveri dhe për drejtuesit e qarqeve, por askush nuk e thotë dot me siguri që do të ketë, pasi Edi Rama ka surprizuar gjithmonë.
“Është koha për të prezantuar ndryshime, por duhet të shohim nesër”, tha Jole.
Përsa i takon procesit të gjyqeve për logon dhe vulën e PD-së, Kryeredaktorja e News24 shprehet se i gjithë procesi i ngjante me një telenovelë.
“Hedhja e topit nga një gjykatë në tjetrën ishte një telenovelë. Mendoj se nuk është vula ajo që zëvendëson opozitën, pasi opozita është opozitë. Nuk kam menduar asnjëherë që Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij ishin opozita e vërtetë. Opozita i takon Sali Berishës, dhe mendoj se vendimi i Gjykatës së Apelit ishte i drejtë”, tha Jole.
Ajo tha se Berisha ka pasur gjithmonë pas vetes një grup mbështetësish, që besojnë te ai. “Protestat që zhvillohen çdo pasdite më shumë janë solidariteti, nuk i shikoj si protesta që mund të sjellin një efekt real”, tha ajo.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co