Uragani ‘Milton’ goditi Floridën të mërkurën, duke lënë pas disa të vdekur dhe shumë dëme materiale. Sipas njoftimeve më të fundit në media dhe nga të dhënat e rrjetit PowerOutage.us, vazhdonin të ishin të enjten pa energji mbi 3 milionë shtëpi dhe janë raportuar të paktën 11 viktima.
Përmbytjet më të rrezikshme duket se kanë ndodhur në Qarkun Sarasota, ku niveli i ujit arriti në deri 3 metra.
Sipas guvernatorit DeSantis, deri të enjten pasdite ishin shpëtuar nga ekipet e emergjencave 340 persona dhe 49 kafshë shtëpiake.
Megjithatë, sipas drejtores së agjencisë federale të emergjencave, FEMA, uragani Milton nuk rezultoi aq shkatërrimtar nga ç’pritej.
“Nuk patëm pasojat ekstreme të skenarit më të keq të mundshëm, por të cilin ishim përgatitur, por ka ende shumë persona që janë ndikuar”, tha drejtorja Deanne Criswell.
Ajo shtoi se pati 38 tornado që pasuan uraganin dhe që shkaktuan dëme domethënëse.
Stuhia e rrezikshme goditi me fuqinë e një uragani të kategorisë 3. ‘Milton’ ishte uragani i dytë i fuqishëm në dy javë që godet shtetin juglindor amerikan.
Pamjet nga kamerat e sigurisë dhe dëshmitarët, tregojnë fuqinë e uraganit ‘Milton’.
Stuhia goditi bregun perëndimor të Floridës pranë qytetit të Sarasotës mbrëmjen e së mërkurës, duke shkaktuar erëra të forta, me një shpejtësi prej 205 kilometrash në orë.
Para se të mbërrinte në tokë, uragani Milton’ shkaktoi të paktën 24 tornado. Autoritetet thonë se disa njerëz vdiqën si pasojë e tornadove të cilat shkatërruan më shumë se 100 shtëpi, duke përfshirë atë të banorit të qytetit Fort Majërs, Connor Ferin.
“E gjitha kjo ndodhi shumë shpejt. Dritaret u thyen. Isha këtu kur ndodhi. Macja ishte mbi tavolinë. Mora dy qentë dhe u futa me shpejtësi poshtë shtratit. Ndoshta zgjati një minutë. Ndoshta më pak”, thotë ai.
Autoritetet thonë se më shumë se 3.2 milionë shtëpi dhe biznese kanë mbetur pa energji elektrike.
Erërat e fuqishme dëmtuan çatinë e stadiumit Tropicana, të ekipit të njohur të bejsbollit ‘Tampa Bay Rays’. Gjatë uraganit stadiumi po përdorej si qendër strehimi për ekipet urgjente.
Operacionet e kërkim-shpëtimit nisën para agimit.
“Kishim mbi 80 mijë njerëz në qendrat e strehimit natën gjatë goditjes së stuhisë. Shkallën e dëmeve do ta kuptojmë me kalimin e ditës. Kemi ekipe që në këto momente po vlerësojnë dëmet. Ekipet urgjente janë angazhuar gjatë gjithë natës për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Mund të themi se stuhia ishte e fuqishme, por fatmirësisht ky nuk ishte skenari më i keq”, tha Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis në komentet e tij të para sot në mëngjes pas stuhisë.
Reshjet e dendura të shiut sollën nivele të larta të ujit nga Bregu i Gjirit në zonat e ulëta të qyteteve Tampa, Shën Petersburg, Sarasota dhe Fort Majërs.
Qendra Kombëtare e Uraganeve tha se mëngjesin e së enjtes ‘Milton’ kishte fuqinë e një stuhie të kategorisë 1, ndërsa po kalonte në pjesën qendrore të Floridës.
Parashikuesit e motit paralajmëruan për “reshje shkatërruese të shiut dhe erëra të furishme” gjatë gjithë ditës, para se stuhia të dilte në Oqeanin Atlantik.
Shkencëtarja Hannah Cloke paralajmëron se ndryshimet klimatike do të shpeshtojnë dhe ashpërsojnë stuhi si uragani ‘Milton’.
“Do të ndikojnë edhe në llojet e uraganeve që do të përjetojmë. Ka disa dëshmi se ato do të jenë më të forta, me më shumë tornado dhe sigurisht, për shkak të ndryshimeve klimatike, do të ketë reshje më të furishme”, thotë ajo.
Shumë nga komunitetet që u goditën nga uragani ‘Milton; ende nuk e kanë marrë veten nga pasojat e uraganit ‘Helene’ i cili muajin e kaluar shkaktoi vdekjen e mbi 200 personave dhe përmbytje të mëdha kryesisht në pjesën perëndimore të Karolinës së Veriut dhe në lindje të shtetit Tenësi.
Krahasimi mes Miltonit dhe uraganit Helen?
Shumë nga komunitetet që preken nga Miltoni u goditën muajin e kaluar nga uragani Helene dhe ende nuk e kanë marrë veten nga pasojat e tij. Uragani shkaktoi vdekjen e më shumë se 200 personave e përmbytje katastrofike kryesisht në pjesën perëndimore të Karolinës së Veriut dhe në lindje të Tenesit.
Në momentin më intensiv të tij, uragani Helene ishte një stuhi e kategorisë 4, me erëra të qëndrueshme prej rreth 220 km/h. Milton e kapërceu me shpejtësi atë, duke u bërë një stuhi e kategorisë 5 brenda disa orësh me erëra të qëndrueshme prej 285 km/h. Të mërkurën Milton u dobësua disi, duke u ulur në një uragan të kategorisë 4 dhe më tej në kategorinë 3.
Pesë uraganët më të fuqishëm të Atlantikut?
Milton është tashmë uragani i pestë më i fuqishëm i regjistruar në Atlantik. Uragani më intensiv i regjistruar para tij ishte Wilma në vitin 2005, ndjekur nga Gilbert në vitin 1988, ai që njihet si uragani i Festës së Punës, i vitit 1935, si dhe Rita në vitin 2005.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co