Një ditë pas tragjedisë në Gjermani, ku një makinë hyri përmes turmës në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, duke lënë pas pesë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, forca të shumta policia kanë shkuar në terren për të monitoruar vendin, ndërsa zona është përfshirë në heshtje dhe zi.
Të afërm, familjarë dhe qytetarë të ndryshëm me qirinj dhe lule në duar kanë shkuar në vendin e tragjedisë sot për të bërë homazhe për 5 viktimat që humbën jetën padrejtësisht.
Të tronditur nga sulmi i pamëshirshëm, mes lotësh ata vendosin lule në vendin ku ndodhi tragjedia.
Autori i sulmit është një mjek 50-vjeçar nga Arabia Saudite. Ai është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për t’u marrë në pyetje, si i dyshuar për shtypjen e njerëzve me veturën e tij BMW në tregun e Krishtlindjes në Magdeburg të premten mbrëma.
Autoritetet gjermane po hetojnë mjekun saudit, 50-vjeçar, i cili ka jetuar në Gjermani për gati dy dekada, si të dyshuar për shkeljen e njerëzve me veturë në këtë treg.
Nuk është e qartë se cilat kanë qenë motivet e tij dhe policia ende nuk e ka emëruar zyrtarisht të dyshuarin. Por, mediat gjermane e kanë identifikuar atë si Taleb A.
Një burim saudit i tha Reuters se Arabia Saudite kishte paralajmëruar autoritetet gjermane për sulmuesin pasi ai kishte postuar qëndrime ekstremiste në llogarinë e tij personale në X, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë.
Der Spiegel raportoi se i dyshuari kishte shprehur simpati për partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD). Gazeta nuk e specifikoi burimin e informacionit.
Gazeta FAZ e Gjermanisë raportoi se e kishte intervistuar të dyshuarin në vitin 2019, duke e përshkruar atë si një aktivist kundër islamit.
“Njerëzit si unë, që kanë një kaluar islamike, por nuk janë më besimtarë, nuk përballen me as mirëkuptim as tolerancë nga myslimanët këtu”, citohet të ketë thënë ai.
“Unë jam kritiku më i madh i islamit në histori. Nëse nuk më besoni, pyesni arabët”, kishte thënë ai.
Kancelari gjerman Olaf Scholz mbërriti në Magdeburgun të shtunën paradite.
Socialdemokratët e tij kanë ngelur mbrapa AfD-së dhe opozitës konservatore, e cila prin, në sondazhe para zgjedhjeve të parakohshme të 23 shkurtit.