Qeveria e Kosovës e ka shpallur 11 korrikun ditë përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës, bazuar në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nga 23 maji.
Duke folur në një mbledhje të Qeverisë së tij të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky është “një veprim fisnik dhe i duhur në emër të Kosovës”.
“Është veprim…i universales sonë njerëzore dhe i dëshirës sonë për paqe, që të mos harrohet e të mos përsëritet më gjenocidi, as në Bosnje, e as në Kosovë dhe askund tjetër në rajonin tonë dhe në botë”, tha Kurti.
Më 2021, Kuvendi i Kosovës e miratoi një rezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në Bosnje e Hercegovinë.
Në maj të këtij viti, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 11 Korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Në Srebrenicë dhe zonat përreth, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.300 boshnjakë në korrik të vitit 1995.
“Le të jetë kjo ditë një kujtesë e përhershme e vuajtjes dhe pikëllimit tonë të përbashkët, forcës sonë për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur dhe përkushtimit tonë për ruajtjen e së vërtetës, paqes, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut”, tha zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, e cila vjen nga komuniteti boshnjak.
Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës nga komuniteti serb, i cili e mbështeti këtë vendim, tha se është e rëndësishme të thuhet se “kriminelët dhe gjenocidi kanë emrat dhe mbiemrat e tyre dhe nuk duhet të përgjithësohen për një popull të caktuar, ose një vend të caktuar, por mbi autorët individualë që e bënë këtë, duke mos menduar as për viktimat dhe as për njerëzit e tyre”.
Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë lëshoi një vendim që thotë se Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid në Srebrenicë në korrik të vitit 1995. Atëbotë, Srebrenica ishte zonë e mbrojtur e OKB-së.
Gjykata e njëjtë gjeti se Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit. Gjykata po ashtu tha se Serbia ka shkelur obligimin për të ndëshkuar kryesit e gjenocidit.
Para këtij vendimi, disa gjykata kanë dënuar më shumë se 50 persona me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.
Në mesin e tyre janë edhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq. Të dy janë dënuar me burim të përjetshëm./REL
Burimi informacionit @Gazeta Shqiptare Online: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co